26 Tetor 2014 - 08:46 - Agron Bajrami
Si pjesëmarrës i debatit duhej të shprehja skepticizmin e skajshëm me idenë se shqiptarët dhe serbët, pas kaq shumë vjetësh konflikti, do të mund të përfundonin si miq e aleatë brenda një kohe të shkurtër, sado që aspirata për të qenë pjesë e botës demokratike perëndimore, Bashkimit Evropian dhe (në rastin e Kosovës) NATO-s kërkon një ndryshim të tillë qenësor raportesh. Derisa folësit serbë, evropianë e të tjerë kryesisht insistonin në arritjet pozitive të dialogut aktual mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, siç u shprehën zyrtarët serbë ka qenë i suksesshëm falë “ambiguitetit konstruktiv”, mua m’u desh të përcjell një besim se një bela kaq e madhe historike nuk mund të tejkalohet përmes këtij “ambiguitetit konstruktiv”, që i mundëson secilës palë të interpretojë ndryshe një marrëveshje apo një zhvillim.
Për më tepër, qartësia është esenciale që marrëdhëniet e konfliktit të tejkalohen! Pa qartësi absolute rreth asaj se kush është përgjegjës për çka, dhe kush ka të drejtë për çka, është absurd të flitet për një normalizim apo edhe paqe mes dy popujve. Që do të thotë se Serbia duhet pranuar përgjegjësinë për krime, dhe duhet ta njohë shtetin e Kosovës.
Disi ngjashëm, siç e thotë historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, e cila botohet po në këtë numër, procesi i pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të nisë pa një akt të sinqertë, të qartë e pa ekuivokë të kërkimfaljes nga Serbia për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve, posaçërisht në luftën e viteve 1998-1999.
Dhe ai proces nuk mund të përmbyllet pa njohjen e Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë! Kjo nuk është çështje negociatash e dialogu, është çështje e tejkalimit të armiqësisë historike, dhënies fund të ngatërresës mes dy popujve, përmbylljes së belasë, e cila, në një formë apo tjetër, nisi diku në kohën kur i tërë rajoni ishte nën sundimin otoman, dhe shqiptarët nisën kërkimin e së drejtës për të jetuar të lirë në tokën e vet.
* * *
Por, realiteti nuk është i një Serbie të gatshme për një pajtim të tillë dhe kjo, në anën tjetër, sigurisht se nxit pozicionimin konfrontues edhe tek shqiptarët.
Fatkeqësisht, edhe ajo që shihet në fotografitë nga Brukseli, ku liderët shqiptarë e serbë ulen bashkë për të diskutuar, nën syrin qortues të perëndimorëve, është vetëm një copë e realitetit, sepse, të njëjtët politikanë që një ditë shtrëngojnë duart në Bruksel, ditën tjetër nxjerrin zjarr nacionalizmi nga gjuha e tyre, për të shembur çdo ide të një partneriteti dhe për të kthyer gjithçka në pikën e konfliktit.
Dhe, natyrisht, në këto rrethana, një ndeshje futbollistike si kjo mes Serbisë dhe Shqipërisë, na e nxjerr para syve pamjen më të përafërt të realitetit aktual:
Në Serbi, derisa mijëra huliganë thërrasin “Vrisni shqiptarët”, shteti i përkrah ata zëshëm, shumica e popullatës bëhet sikur nuk dëgjon, ndërsa zërat e paktë të arsyes serbe mbyten nga mediat në kërkim të gjakut shqiptar!
Tek shqiptarët, frustrimi me stagnimet dhe dështimet politike, shoqërore e ekonomike në të dyja anët e kufirit i shtyn njerëzit në drejtim të një nacionalizmi të rimëkëmbur, më agresiv, më absolutist, që rrezikon vrasjen e çdo debati demokratik brendashqiptar!
Sigurisht, pamja kompletohet nga UEFA, e cila, në traditën më të mirë të ndërmjetësve evropianë, kërkon të baraspeshojë gjithçka, përfshirë edhe fajin, duke e barazuar viktimën me agresorin, dhe duke anashkaluar tërësisht racizmin antishqiptar para syve të gjithë botës!
* * *
Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më 7 dhjetor 1970, kancelari gjerman, Willy Brandt, udhëtoi në Poloni për të nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Gjermanisë dhe Polonisë, me të cilën Berlini i pranonte kufijtë e Polonisë së pasluftës dhe obligohej se nuk do t’i kontestonte kurrë ata.
Gjatë vizitës në Varshavë, Brandt u ndal edhe para memorialit të Kryengritjes së Getos së Varshavës, ngjarje kjo e vitit 1943, kur hebrenjtë në kryeqytetin polak u ngritën kundër forcave naziste. Ishte paraparë që Brandt të vendoste një kurorë lulesh në memorial, dhe pasi bëri këtë, papritur, ai ra në të dy gjunjët, uli kokën poshtë, dhe qëndroi i heshtur për disa minuta, në atë që të gjithë e kuptuan të ishte një shprehje e sinqertë e pendesës për krimet që bashkëkombësit e tij gjermanë u kishin bërë hebrenjve, polakëve dhe gjithë botës. Willy Brandt kurrë nuk kishte qenë në anën e nazistëve, prej rinisë ka qenë kundërshtar i tyre, dhe kohën më të madhe të sundimit të Hitlerit e ka kaluar në ekzil. Por, ai e ndjeu nevojën që në emër të popullit gjerman të shprehte keqardhjen për krimet e bëra.
Belaja shqiptaro-serbe, mbase edhe mund të marrë fund ditën kur një Willy Brandt serb të vijë në Kosovë për ta nënshkruar marrëveshjen për pranimin e kufijve shtetërorë të Kosovës, dhe të përkulet para viktimave të regjimit serb.
Deri atëherë, edhe futbolli do të jetë pjesë e belasë!
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...