7 Gusht 2016 - 08:00 - Agron Bajrami
Në pak më shumë se dy vjet, grupi terrorist që njihet si “Shteti Islamik” ka organizuar qindra sulme në mbarë botën, duke marrë në shënjestër si perëndimorët ashtu dhe arabët dhe myslimanët. Sipas një hulumtimi të “The New York Times”, ku përjashtohen viktimat e ISIS-it në Irak e Siri, nga aksionet e organizuara apo të inspiruara nga ky grup janë vrarë më shumë se 1200 njerëz në mbarë botën.
Gati gjysma e viktimave ishin perëndimorë, ndërsa të tjerët ishin civilë në vendet arabe dhe në pjesë të tjera të botës, që u vranë nga sulmet në xhami, në ndërtesa qeveritare apo caqe të tjera të ISIS-it.
Vetëm gjatë korrikut të këtij viti ISIS-i ka kryer apo ka marrë përgjegjësi për nëntë sulme të mëdha, përfshirë atë në Nicë, ku vrasësi me furgon u fut në masën e njerëzve dhe vrau 84, dhe sulme në Bagdad, ku nga dy bomba të hedhura prej pjesëtarëve të ISIS-it u vranë 325 persona dhe më shumë se 200 të tjerë mbetën të plagosur.
Edhe rastet e tjera të korrikut janë trishtuese: në Kabul u vranë 80 njerëz, në qytetin sirian Qamishli u vranë 44 njerëz, në Gulshan të Bangladeshit u vranë 23 njerëz, ndërsa një sulm terrorist ISIS-i ndërmori edhe në Xhaminë e Profetit, në Medinë, ku u vranë 7 njerëz dhe u dëshmua se për këta terroristë asgjë nuk është e shenjtë – madje as Profeti, emrin e të cilit ata e keqpërdorin për të arsyetuar fushatën e përgjakshme që bëjnë.
Në nëntë sulmet e korrikut bën pjesë edhe sulmi i kryer në Saint-Etienne-du-Rovray, ku dy terroristë hynë në kishë, vranë priftin dhe plagosën tre persona të tjerë, si dhe dy sulme në Gjermani, njëri në tren në Wurzburg dhe tjetri në një festival muzikor në Ansbach, ku përveç terroristëve nuk pati të vrarë të tjerë, por mbetën më shumë se 20 persona të lënduar.
Në këto shifra nuk llogariten sulmet për të cilat policia nuk ka dëshmi se janë kryer apo inspiruar nga ISIS-i, sikur që është rasti me sulmin në Munich, ku mbetën të vrarë nëntë persona, në mesin e të cilëve dhe tre kosovarë – Armela Segashi, Dijamant Zabërgja dhe Sabina Sulaj.
Krejt kjo, vetëm në korrik 2016.
Ngjashëm është nëse shikojmë qershorin 2016, me 49 të vrarë në Orlando të SHBA-së dhe 44 të vrarë në Aeroportin e Stambollit.
Apo nëse shikojmë majin 2016, me 90 të vrarë në Bagdad dhe 28 të tjerë në qytetin Balad të Irakut, ku i vetmi “krim” i viktimave ishte se ishin tifozë të klubit futbollistik Real Madrid.
Nuk ka muaj pa viktima, dhe ato po shtohen çdo herë e më shumë.
* * *
Numrat dhe statistikat janë të tmerrshme.
Prapa tyre gjendet vuajtje e madhe e njerëzve të pafajshëm. Por edhe paaftësi e institucioneve shtetërore për të ofruar siguri për qytetarët, madje edhe në vendet me aparatin më efektiv të sigurisë, siç janë SHBA-ja dhe Gjermania.
Sigurisht, edhe më rëndë është në zonat e konfliktit të përhershëm – Siri, Irak e Afganistan- ku terroristët kanë krijuar edhe zona të tëra të kontrolluara prej tyre.
Por realiteti i terrorizmit të ISIS-it është se askush dhe askund nuk është më i sigurt.
Dhe njerëzit këtë e ndiejnë shumë mirë, sikur që u pa qartë para një jave, në Prishtinë, kur një incident në qendër të qytetit u keqkuptua të ishte sulm terrorist dhe shkaktoi panik masiv, dhe pas vetes la dhjetëra të lënduar, kryesisht për shkak se u shkelën e u ndrydhën nga turma në ikje.
Për shumëkënd përpjekjet e Perëndimit që të godasin ISIS-in sikur nuk japin rezultatet e pritura. Në vend se të reduktohet fuqia e terroristëve, ata po përshkallëzojnë sulmet e tyre dhe po shtojnë numrin e viktimave civile, si në Perëndim ashtu edhe në vetë botën myslimane.
Realiteti tjetër i terrorizmit të ISIS-it është se, përveç shkaktimit të pasigurisë kronike edhe në zonat më të sigurta të Evropës, ai shkakton edhe çarje në shoqëritë tolerante. Ka synim të godasë bashkëjetesën mes religjioneve, etnive dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Të mbjellë urrejtje të thellë, e cila më pas shërben si katalist për rekrutim të vrasësve kudo.
Për këtë sulmojnë edhe kisha, edhe xhami, edhe media, edhe ngjarje kulturore, edhe festa familjare, edhe restorante! Synojnë të ndërtojnë një hendek aq të madh mes njerëzve, saqë komunikimi i vetëm mes feve, kombeve dhe racave të bëhet vetëm me armë!
Ky është synimi!
Dhe këtë duket e ka vërejtur më së miri kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, kur këtë javë, i pyetur nëse vrasja e priftit francez, Jacques Hamel, që u ekzekutua në kishën e tij në qytezën Saint-Etienne-du-Rouvray, ishte “vrasje në emër të islamit”, tha: “Nëse flas për dhunën islamike, duhet të flas për dhunën katolike… Nuk e besoj se është e drejtë të identifikohet islami me dhunën. Kjo nuk është e drejtë dhe nuk është e vërtetë”.
Dhe sa më shumë krerë fetarë, por edhe politikë e shoqërorë ta promovojnë këtë mesazh, aq më pak do të kenë sukses terroristët e ISIS-it dhe të gjithë të tjerët që promovojnë urrejtjen dhe konfliktin mes civilizimeve e besimeve.
* * *
Ngjashëm ka funksionuar rekrutimi i terroristëve edhe në Kosovë, ku predikuesit ekstremë kanë mbjellë urrejtjen tek një numër të rinjsh të zhgënjyer, duke i shndërruar ata në vrasës, që në emër të një ideologjie deri dje të panjohur për ta, shkuan mijëra kilometra larg për të vrarë njerëz që nuk i kishin njohur kurrë dhe që nuk u kishin bërë asnjë të keqe as atyre e as familjarëve të tyre, as popullit të tyre, as vendit të tyre!
Tani, pyetja e madhe shtrohet: Është çështje dite kur do ta bëjnë të njëjtën, por pa marrë mundin të bëjnë rrugë të largëta? Do të duan t’ia bëjnë të njëjtën vendit të vet, popullit të vet dhe familjes së vet?
Sikur që na e dëshmojnë sulmet në Paris, Munich, Nicë apo Orlando, shteti nuk mund ta garantojë sigurinë. Andaj, përgjigjen nuk duhet kërkuar vetëm te masat e sigurisë, por edhe brenda mekanizmave shoqërorë të parandalimit.
Sepse, nëse e kuptojmë terrorizmin si kërcënim vetëm në aspektin e sigurisë, do të mashtrohemi duke menduar se për aq sa nuk ka sulme në Kosovë, gjithçka është në rregull.
Por, e vërteta është se asgjë nuk është në rregull. Terroristët tashmë janë në mesin tonë. Dhe godasin. Pa armë klasike, por godasin.
I godasin tolerancën e mirëkuptimin dhe bashkëjetesën tradicionale ndërfetare shqiptare, e me të edhe orientimin civilizues properëndimor të shoqërisë sonë.
Kushdo që e mohon këtë realitet, vetëm se i ka mbyllur sytë përpara kësaj të keqeje të madhe. Ndoshta më të madhes që kemi në mesin tonë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...