Presidenti i Qeverisë

7 Shkurt 2016 - 08:00 - Agron Bajrami      

Politika do të zgjedhë president jo për popull e shtet, por për qeveri e pushtet

Zgjedhja e presidentit të Kosovës është momenti më i mirë për të gjithë ata që duan të shohin, qartë dhe pa shtrembërime, përmasën e degradimit të sistemit politik të Kosovës dhe thellësinë e korruptimit të atyre që pretendojnë se përfaqësojnë popullin, derisa shfaqet qartë se nuk përfaqësojnë asgjë dhe askënd më shumë se sa interesin e grupit të vet politik, e shpeshherë edhe vetëm interesin e vet personal. Janë të njëjtët njerëz që për vite me radhë kanë bërë gjithë çka është e mundur që të gjitha, jo vetëm pozitën e të parit të vendit dhe liderit popullor, t’i ngjyrosin me ngjyrën e vet politike, dhe të mbjellin farën e përçarjes popullore.

Që pafytyrësia të jetë edhe më e madhe, janë të njëjtët që e kanë miratuar Kushtetutën e cila thotë se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës” dhe janë zotuar, më shumë se një herë, se do të reformojnë sistemin zgjedhor, e t’ia lënë popullit ta zgjedhë vetë presidentin e vendit.

Janë, pra, të njëjtët që bënë që presidenti, në vend se të përfaqësojë “unitetin e popullit” siç e kërkon Kushtetuta, të simbolizojë politikën e interesit partiak. Ata bënë që presidenti, prej “gardianit të Kushtetutës” të shndërrohet në garanci të mbetjes në pushtet. Prej kohës së Rugovës e Haradinajt, Sejdiut e Thaçit, Thaçit e Pacollit, me Jahjagën si aksident i paparaparë, e deri te kjo koha e Mustafës dhe Thaçit, në vazhdimësi është promovuar një president jo për popull, por për qeveri.

Tani, të njëjtët e bëjnë prapë. Përgatisin zgjedhjen e një presidenti të ri politik, partiak, qeveritar. Që të vazhdojë loja e garantimit të pushtetit për disa, në kurriz të gjithë shtetit dhe shoqërisë.

Prandaj është zgjedhja e presidentit të Kosovës momenti më i mirë për të parë qartë peshën e rëndë të mashtrimit që krerët e politikës kosovare ua bëjnë qytetarëve të vendit, duke ua mohuar të drejtën për të pasur një udhëheqës që i bashkon, dhe në vend të kësaj u japin udhëheqje që i përçan, i ndan e i armiqëson.

Dhe, kanë fytyrë të thonë: e bëjmë këtë për të mirën e vendit!

* * *

Debati tashmë është ashpërsuar. Tensionimet ekzistuese politike do të shtohen edhe më shumë. Kacafytjet mes pozitës dhe opozitës do të bëhen më agresive. Dhe mosmarrëveshja e madhe ka gjasa të kulmojë pikërisht më zgjedhjen e Presidentit, kur një shumicë parlamentare do të kërkojë që patjetër, mbase edhe me masa të jashtëzakonshme, të imponojë interpretimin e saj të “unitetit të popullit”, derisa një opozitë parlamentare, që tashmë e ka degraduar Parlamentin në një fushë ngatërrimi e grushtimi, do të kërkojë të vazhdojë “mbrojtjen e Republikës”.

Dhe, në margjinat e debatit, qëndrojnë qytetarët, për të cilët e gjithë kjo puna rreth presidentit mund t’u duket një teprim politik, meqë në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit nuk u kujtohet të kenë parë rëndësinë e presidentit, të cilin për këtë e konsiderojnë një figurë simbolike, një post ceremonial që shërben më shumë për krijimin e një imazhi që nuk është, se sa për të kryer ndonjë punë.

Por, e kanë gabim. Presidenti nuk është një figurë dekoruese. Është një pozitë jo vetëm me peshën simbolike të “unifikuesit” të popullit, por edhe me pushtet real dhe domethënës. Sepse, Kushtetuta thotë se Presidenti e përfaqëson shtetin brenda e jashtë vendit dhe udhëheqë me politikën e jashtme, është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës, garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit, shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe cakton mandatarin e Qeverisë, nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare dhe propozon amendamente kushtetuese, pranon letrat kredenciale të ambasadorëve të huaj në Kosovë dhe emëron e shkarkon ambasadorët e Kosovës jashtë vendit. Presidenti po ashtu emëron dhe shkarkon: kryetarin e Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorin e Shtetit, gjyqtarët dhe prokurorët e vendit, përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, emëron kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Guvernatorin e Bankës Qendrore, ndërsa bashkë me kryeministrin emëron krerët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe shpall Gjendjen e Jashtëzakonshme. Po ashtu, jep medalje, mirënjohje e çmime, dhe shpall falje individuale.

Pra, presidenti është hallkë e pashmangshme në funksionimin e shtetit. Nëse dështon Presidenti, dështon shteti. Sikur edhe ka ndodhur, në shumë raste, sidomos në momentet e krizave politike kur mungesa e një presidenti me kredibilitet gjithëpopullor dhe qëndrim parimor e të paanshëm na ka kushtuar dhe na kushton ende shumë shtrenjtë, si shtet e shoqëri.

Për këtë arsye, nuk është e parëndësishme kush dhe si bëhet president. Deri më tash, asnjë që është zgjedhur nga marrëveshja politike nuk ka qenë president i popullit dhe i shtetit, por vetëm president qeveritar dhe i pushtetit. Simbol i lakmisë për pushtet dhe poste. Simbol i sistemit të korruptuar politik. Simbol i njerëzve që duan të përfitojnë me çdo kusht dhe me çdo kosto.

Simbol i unitetit të popullit? Assesi!

* * *

Pothuaj të gjithë vëzhguesit e paanshëm pajtohen se përfshirja e postit të presidentit në marrëveshjet politike për krijimin e qeverisë është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Rrjedhimisht, përpjekja që shohim tani nga ana e koalicionit qeverisës PDK - LDK për të imponuar Thaçin për president të vendit nuk është asgjë më shumë se përpjekje për të vazhduar lojën e manipulimit politik. Kjo nuk bëhet për të mirën e vendit, kjo bëhet për ruajtjen e status quo-së politike.

Por, zgjidhja nuk është thjesht insistimi që Thaçi të mos zgjidhet president dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Zgjidhja do të ishte nëse Kosova do të mund të bëhej me një president jopolitik, por kredibil. Një që nuk ua ka borxh postin partive politike në Kuvend, dhe që nuk ua ka për borxh politikanëve të veprojë konform dëshirave të tyre.

Sigurisht, gjasat nuk janë se një skenë e korruptuar politike si kjo që e kemi të mund të prodhojë një president të tillë. Këta nuk duan çka është mirë për vendin, por duan çka është mirë për ta.
Prandaj, të bëhemi gati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, sepse ky është momenti më i mirë për të gjithë ne, që edhe një herë të shohim sa të paskrupullt janë këta që thonë se na përfaqësojnë, e që, në të vërtetë, nuk përfaqësojnë asgjë më shumë se sa interesin e grupit të vet politik, e shpeshherë vetëm interesin e vet personal.

© KOHA Ditore 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...