17 Prill 2015 - 12:10 - Agron Bajrami
Shefi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, këto ditë publikisht i kritikoi politikanët kosovarë, duke thënë se ata për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet nuk po arrijnë ta nxjerrin Kosovën nga situata e rëndë shoqërore-ekonomike, dhe i fajësoi se janë përgjegjësit kryesorë pse i tërë shteti dhe shoqëria po stangojnë.
Në deklarata për mediat lokale, Olters tha se liderët politikë të Kosovës, në pushtet, por edhe në opozitë, janë përgjegjës pse prej fundit të luftës, më 1999, e deri më sot, Kosova ende nuk e ka gjetur rrugën e zhvillimit të saj, ndërsa interesi partiak është i vetmi që politikanët kosovarë e kanë parasysh kur vendosin për punët shtetërore.
Me një fjalor të ashpër, ky zyrtar ndërkombëtar, e ka akuzuar elitën politike të Kosovës se për interesat e veta të ngushta po e shkatërron shtetin, i cili ka vjet të tërë që po rrëshqet në një krizë çdo herë e më të thellë sociale dhe ekonomike, me stagnim të madh në arsimim, shëndetësi, shërbime publike, nën pushtetin që i ka përzier prioritetet, dhe me politikën e cila jeton në kurriz të qytetarëve.
* * *
Po, plotësisht e drejtë kjo që e thotë Jan Peter Olters. Do ta nënshkruaja secilën fjalë që e tha. Edhe më shumë se kaq, madje.
Sepse, në deklaratat e tij, njeriu i Bankës Botërore, i ngarkuar për punët në Kosovë, vetëm sa e përsëriti atë që ne këtu – mediat, shoqëria civile, qytetarët – e themi me vite: pushtetin e kemi tepër të korruptuar e të kriminalizuar, që të mund të ndërtojë një shtet ku sundon ligji, ku zhvillohet ekonomia dhe i cili ekziston që qytetarëve të vet t’u ofrojë jetë sa më të mirë.
Por, do të thotë dikush, një gjë është kur këtë e thonë njerëzit lokalë, për të cilët me siguri mund të thuhet se i kanë motivet e veta private për të kritikuar pushtetin (xhelozia, rivaliteti, hakmarrja dhe mosdurimi i ndërsjellë sigurisht se janë faktorë me ndikim, kur një ballkanas formon gjykimin për një ballkanas tjetër), ndërsa diç krejt tjetër kur të njëjtën gjë e thotë dikush nga anash, nga pozicioni i lartë ndërkombëtar dhe niveli zyrtar!
Edhe këtë e nënshkruaj! Ka dallim, të madh bile!
Tani, kur Olters e tha këtë që e tha, të gjithë e kemi plotësisht të qartë se që moti jemi në fazën kur sundimtarët tanë jo vetëm se nuk çajnë kokën se çka thotë populli, por tashmë nuk mërziten fare as për ato që i thonë të huajt. Madje, edhe kur këta të huaj janë në pozitat më të larta ndërkombëtare.
Dallimi këtu është se tani, në fakt, e shohim se pushtetin e kemi plotësisht të korruptuar deri në atë masë saqë më nuk u vjen as turp që për çdo ditë i kapim në flagrancë! Jo vetëm ne, por edhe të gjithë oltersët e botës!
Të ashtuquajturit liderë tanë shtetërorë e politikë kanë grabitur aq shumë pushtet, fuqi e pasuri, saqë (me arsye) ndihen të paprekshëm, të pacenueshëm, të pazëvendësueshëm!
Që do të thotë: janë të vetëdijshëm se vetë kjo bashkësi ndërkombëtare, e cila e dërgoi edhe Oltersin në Kosovë, në momentin e caktuar, do t’i thotë atij: Ja, pra, e ke thënë atë që e kishe në zemër, tani mund të bësh gjumë rehat, ndërsa ne do të vazhdojmë me punën, si deri tani!
Business as usual!
* * *
Eh, po! Business as usual. Ky është në fakt çelësi i tërë këtij rrëfimi. Fjala magjike, e cila i shpjegon të gjitha.
Sepse, ajo që Olters nuk e përmend në kritikat e tij, është ajo për të cilën ne të gjithë shtrojmë pyetjen, dhe askush nuk po ka vullnet të na japë përgjigjen: E ku ishte kjo bashkësi e fuqishme ndërkombëtare, derisa ne fundoseshim në këtë humnerë shoqërore-ekonomike-politike?
Ku ishin në gjithë këto vite Banka Botërore, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, shtetet demokratike të Perëndimit, OSBE-ja, FMN-ja, EULEX-i, Këshilli i Evropës, dhe gjithë ata zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, të cilët kjo bashkësi ndërkombëtare i dërgonte në Kosovë, derisa Kosova fundosej?
Përgjigjja është evidente: të gjithë ishin këtu, në Kosovë, duke kthyer kokën dhe duke mbyllur sytë, derisa politikanët na e vidhnin dhe plaçkitnin shoqërinë.
Të gjithë ishin këtu, duke u ndihmuar po të njëjtëve liderë, të cilët Olters tani i shanë, që t’i bëjnë po këto punë për të cilat ai tani i akuzon.
Kjo bashkësi ndërkombëtare gjatë gjithë kohës ishte bashkëpjesëmarrëse në këtë krim që ndaj Kosovës e kryen pushtetarët kosovarë. Dhe kjo për ta, gjithë këta vjet, ishte thjesht: business as usual!
Gjë që i bën ata të mos jenë asgjë tjetër pos njerëz që e bëjnë punën e vet.
Që dikush shkurt mund ta përshkruajë si: Men at Work!
(Kjo kolumne e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në të përditshmen më të madhe në Mal të Zi, “Vijesti”)
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...