Shumë më tepër sesa demarkacioni

3 Shtator 2016 - 10:10 - Agron Bajrami      

Kjo ditë, në të vërtetë, është Dita D për Qeverinë e Mustafës dhe presidentin Thaçi. Ratifikimi i demarkacionit është shpresa e tyre e vetme. Shkak nuk është vetëm demarkacioni. Kjo ka të bëjë edhe me vetë pushtetin e tyre. Rrjedhimisht, çështja ka më pak lidhje me Malin e Zi sesa që mund t’i duket dikujt. Për këtë arsye, njësitë speciale në kufi janë jo vetëm të panevojshme, por edhe të papërshtatshme

Lajmet janë të zymta. Shkaku i demarkacionit me Malin e Zi, Kosova është buzë kaosit. Opozita dhe pushteti gati sa nuk kanë “hyrë në luftë”. Opinioni jo vetëm që ka mbetur i hutuar, por edhe i shqetësuar jashtë mase me lojërat e reja politike, të cilat në vend se ta qartësojnë gjendjen, duket sikur janë të krijuara që vetëm sa t’i komplikojnë gjërat.

Nga ana tjetër, Podgorica po dërgon në kufi njësite speciale, gjë që të jep përshtypjen se qysh nesër do të shpërthejë një luftë.

Derisa nga të dyja anët e kufirit – sado i kontestuar të jetë – njerëzit pyeten: çfarë do të ndodhë nesër, kur demarkacioni (nuk) ratifikohet në Prishtinë?!
Por, para se të flasim rreth asaj se çfarë do të ndodhë, është rendi që ta kujtojmë se çfarë ka ndodhur deri më tani, si ka qenë dhe përse ka qenë ashtu!

***

Para më shumë se një viti, më 26 gusht të vitit 2015, në Vjenë, kryeqytetin e Austrisë (përndryshe të njohur gjatë dhjetëvjeçarëve të tërë si kryeqyteti joformal i Ballkanit), Kosova dhe Mali Zi nënshkruan Marrëveshjen për vendosjen e kufijve. Dokumentin, përmes të cilit formalisht tërhiqet vija kufitare midis dy shteteve, e nënshkruan ministrat e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës dhe Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Igor Lukshiq, ashtu si edhe ministrat e Brendshëm, Skënder Hyseni dhe Rashko Konjeviq.
Marrëveshja për kufizimin (apo demarkacionin) është domosdoshmëri politike midis dy shteteve. Në rastin e demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi, Qeveria në Prishtinë ka insistuar gjatë tërë kohës se fjala është për konfirmimin e vijës tashmë ekzistuese kufitare, identike me kufirin midis Kosovës dhe Malit të Zi qysh nga periudha e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Kushtetutës së saj të vitit 1974.

Por, banorët e rrethinës së Pejës kishin nisur të protestonin qysh para nënshkrimit të Marrëveshjes, duke thënë se me demarkacionin po ngushtohet territori i komunës së tyre dhe i Kosovës për disa mijëra hektarë. Edhe opozita e kishte kundërshtuar këtë gjë, por autoritetet, duke llogaritur se kanë një shumicë komode parlamentare, kishin shpërfillur këto kundërshtime, duke nënshkruar Marrëveshjen, derisa ministri i atëhershëm i Jashtëm i Kosovës, tani president, Hashim Thaçi, e deklaronte me lehtësi se “së shpejti” do të nënshkruhej edhe marrëveshja për demarkacion me Serbinë!

Natyrisht, fjala e Thaçit nuk është se ka ndonjë peshë në Kosovë – njerëzit ende e mbajnë në mend se në vitin 2010 kishte thënë që kosovarët brenda 15 muajve do ta kenë liberalizimin e vizave dhe ja, gjashtë vjet më vonë, njerëzit ende po presin – por problemi është theksuar edhe më shumë, pasi që kjo qasje e tij është përhapur si sëmundje në radhët e pushtetit dhe institucioneve shtetërore; që të gjithë, prej kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrave të tij, e deri tek Komisioni Shtetëror për Kufij, kanë pritur me muaj që dikush tjetër ta bindë opinionin se demarkacioni me Malin e Zi është në rregull. Ndërkohë kemi pasur lotsjellës në Parlament, protesta të qeta dhe të dhunshme, bojkot të Parlamentit nga opozita, bllokadë institucionale dhe thyerje xhamash të ndërtesës së Qeverisë, por Qeveria në heshtje ka pritur që gjendja të qetësohet dhe që pastaj shumica parlamentare ta kryejë punën e vet.

Ndërkohë, në kushte të tensionit të lartë, Thaçi është zgjedhur për president dhe partia e tij është bërë me një kryetar të ri, Kadri Veseli, kryetari i tanishëm i Kuvendit të Kosovës, që në Kosovë njihet si shefi i Shërbimit Sekret Informativ të UÇK-së, e pas luftës i Partisë Demokratike të Thaçit.

Pastaj, dikur rreth qershorit, erdhi afati përfundimtar për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, i cili – si u kuptua më vonë prej BE-së – është midis tjerash edhe kusht pa të cilin Kosova nuk mund ta marrë regjimin pa viza në shtetet e zonës Schengen.

Por, dhjetë muajt e heshtjes dhe të shpërfilljes së opinionit janë dëshmuar fatalë: shumica e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës janë të bindur se me demarkacionin Kosova e ka humbur një pjesë të territorit. Disa deputetë të koalicionit qeverisës janë vënë në anën e kundërshtarëve të Marrëveshjes, midis të cilëve edhe një ekspert, profesor i gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, nga Lidhja Demokratike e kryeministrit Mustafa, i cili insiston se me demarkacion Kosova ka humbur tetë mijë hektarë tokë.

Ekspertët e së drejtës, ish-diplomatët dhe ekspertët e gjeografisë kanë botuar qindra tekste, e madje edhe disa libra, përmes të cilëve argumentojnë se ku dhe si kanë gabuar ekspertët shtetërorë, gjatë negociatave me Malin e Zi. Rreth dhjetë deputetë të koalicionit qeverisës tashmë disa muaj kundërshtojnë Marrëveshjen, derisa pjesa dërrmuese e shoqërisë civile, përfshirë profesorët e Universitetit, ish-diplomatët dhe disa intelektualë të pavarur kanë kërkuar publikisht prej Qeverisë që të mundohet ta gjejë rrugën e kompromisit dhe ta kërkojë negociimin e sërishëm me Podgoricën, për ta zgjidhur tërë këtë çështje pa komplikime edhe më të mëdha.

Por, nga ana tjetër, shtetet perëndimore, përfshirë këtu SHBA-në dhe BE-në, ia kanë dhënë mbështetjen Marrëveshjes, duke insistuar se gjithçka është në pajtim me hartat e vjetra të Kosovës, mbi bazën e të cilave u shpall Pavarësia, derisa më herët edhe një komision ndërkombëtar konfirmoi se Marrëveshja për demarkacion është në rregull dhe se Kosova “nuk humb asgjë”. Pikërisht kjo shtytje që ia ka dhënë Perëndimi Qeverisë së Kosovës e ka nxitur (apo detyruar) pushtetin që ta nisë fushatën për demarkacion, kështu që gjatë disa javëve të kaluara, çdo ditë, dikush ka folur në mbështetje të demarkacionit – presidenti Thaçi dhe kryeministri Mustafa rregullisht, përmes “Facebook”-ut pohojnë se me demarkacion “Kosova nuk humb asnjë copë tokë” dhe nëse kjo marrëveshje nuk ratifikohet, “një gjë e tillë do të jetë fatale për Kosovën”. Thaçi madje edhe e ka “shpikur” se Kosova do të izolohet prej Washingtonit po qe se nuk votohet demarkacioni. Po ashtu, Komisioni Shtetëror, që ka negociuar me Podgoricën rreth kufirit, prononcohet pothuajse çdo ditë përmes deklaratave zyrtare, të cilat i ilustron me harta të ndryshme, të cilat, sipas tyre, dëshmojnë se Çakori, Bjeluha dhe pikat e tjera të kontestuara “kurrë nuk kanë qenë pjesë e Kosovës”.

Por, në të gjitha ato polemika, autoritetet jo shumë rrallë flasin marrëzi; kështu njëri prej ekspertëve shtetërorë, duke e mbështetur Marrëveshjen, ka thënë se Kosova me demarkacion nuk humb asnjë milimetër tokë, porse Mali i Zi zgjerohet!

Në fund, diskutimet publike, polemikat dhe debatet kanë ardhur tepër vonë për t’ia ndërruar mendjen dikujt; opozita vazhdon të kundërshtojë, duke shfrytëzuar (natyrisht) gjendjen që mbi këtë çështje madje edhe ta rrëzojë Qeverinë; Qeveria është gjithnjë e më e shqetësuar – tashmë qarkullojnë rrëfimet se një zyrtar i lartë perëndimor ka porositur Thaçin dhe Mustafën se demarkacioni duhet të kalojë: nëse ju nuk mund ta bëni atë gjë, ka të tjerë që mund ta bëjnë. Kjo e përkthyer do të thotë: ose demarkacion, ose zgjedhje të reja!

Alternativa të rënda për pushtetin, posaçërisht duke e pasur parasysh se kredibiliteti i Qeverisë është në nivelin më të ulët të mundshëm, shkaku i skandaleve të shumta, keqpërdorimit të pushtetit dhe parasë publike, gjendjes së rëndë ekonomike, papunësisë dhe korrupsionit të lartë, ilustrimi më i mirë i të cilit është parë përmes bisedave të përgjuara të zyrtarëve të lartë (përfshirë presidentin Thaçi dhe shefin e Parlamentit, Veseli), të cilat mediet janë duke i publikuar për çdo ditë, tashmë tri javë, dhe prej të cilave shihet në mënyrë të qartë se si pushteti vendos njerëzit e vet në të gjitha postet e rëndësishme, pa konkurse dhe me qëllim që ta vërë nën kontroll tërë aparatin shtetëror – prej administratës dhe kompanive publike, e deri tek policia, gjyqësia dhe agjencitë e pavarura.

Në rrethana të tilla, gjendja është shndërruar bukvalisht në eksplozive – bomba misterioze dhe granata gjatë ditëve dhe javëve të kaluara janë hedhur në ndërtesën e Parlamentit, të televizionit publik - RTK dhe shtëpisë së shefit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion, si dhe në atë të drejtorit të RTK-së. Policia dyshon në opozitën, derisa njerëzit dyshojnë edhe në vetë pushtetin.

Të gjithë ndihen të pasigurt, derisa askush nuk e ka tërësisht të qartë se si kemi arritur në këtë pikë të vlimit, shkaku i demarkacionit me një shtet fqinj dhe miqësor, gjë që, sipas të gjithë skenarëve të mundshëm, është dashur të jetë një proces administrativ-teknik, i kryer pa kurrfarë problemi.

* * *

Shumë përgjigje do të mund të merren sot. Në rrugët e Prishtinës lëvizja “Vetëvendosje” do të fillojë që nga ora dhjetë protestën kundër demarkacionit. Duke i pasur parasysh tensionet e ditëve të kaluara (dy ditë para protestës, policia arrestoi gjashtë aktivistë të “Vetëvendosjes”, shkaku i dyshimeve se qëndrojnë prapa sulmit me bombë në Parlament, derisa opozita e akuzon Policinë për inskenim), nuk është përjashtuar mundësia që të ketë dhunë.

Një orë e gjysmë më vonë Parlamenti do të duhej të votonte për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Po qe se nuk ka ndonjë ndryshim të madh, Qeveria nuk i ka votat e nevojshme për ratifikim. Herën e kaluar votimi ishte shtyrë në moment të fundit, pasi që votimi për demarkacion është shndërruar në esencë në votim për ose kundër dyshes Thaçi-Mustafa. Nëse nuk kalon demarkacioni, kjo Qeveri nuk ka kuptim të mbetet edhe më tutje.

Por, një gjë e tillë duket e mundshme edhe nëse ratifikimi shtyhet sërish, pasi që nuk ka mbetur më kohë.

Prandaj kjo, në të vërtetë, është Dita D për qeverinë e Mustafës dhe presidentin Thaçi. Ratifikimi i demarkacionit është shpresa e tyre e vetme. Shkak nuk është vetëm demarkacioni. Kjo ka të bëjë edhe me vetë pushtetin e tyre. Rrjedhimisht, çështja ka më pak lidhje me Malin e Zi sesa që mund t’i duket dikujt.

Për këtë arsye, njësitë speciale në kufi janë jo vetëm të panevojshme, por edhe të papërshtatshme.

(Ky koment i kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është shkruar ekskluzivisht për "Vijestin", gazetën më të madhe në Mal të Zi)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...