13 Prill 2014 - 09:49 - Agron Bajrami
Me apo pa faj tonin, na është bërë rregull që çështjet me rëndësi madhore për Kosovën të mos i diskutojmë pothuaj fare, apo edhe kur i diskutojmë, debatet tona i bëjmë tepër vonë – post festum!
Rasti më i freskët është ky me Tribunalin për të sqaruar pretendimet nga raporti i Dick Martyit. Në vend se të debatohej me kohë, qysh kur u hartua raporti famëkeq i zviceranit, para më shumë se tri vite e gjysmë, apo edhe më herët, kur ish-kryeprokurorja Carla del Ponte i bëri pohimet e ngjashme në librin e saj “Gjahu”, para gjashtë vitesh, Kosova tani vlon, në kohën kur pothuaj asgjë më nuk mund të ndryshojë.
Disi kështu janë edhe shumica e debateve të tjera kosovare. Me një ngulm për të mos trajtuar problemet kur janë të zgjidhshme, liderët tanë zgjedhin, me vetëdije apo për shkak të paaftësisë, t’i fshehin ato, t’i fusin nën tepih, duke pretenduar kështu se nuk ekzistojnë, derisa problemet bëhen aq të mëdha e të ndërlikuara, sa që janë të pazgjidhshme, apo zgjidhja e tyre ka një kosto shumë të madhe për gjithë shoqërinë.
* * *
Sot, ngjashëm është edhe situata me energjetikën. Me përjashtim të një grushti individësh e organizatash aktive dhe po aq mediumesh - siç ishin shembull Forumi 2015, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe kjo gazetë, që vazhdimisht kanë qenë aktive në trajtimin e kësaj çështjeje - shumica prej nesh ankohemi dhe debatojmë vetëm kur ka reduktime apo kur ngrihet çmimi i energjisë elektrike, ndërsa kryesisht heshtim problemin nëse çmimet nuk lëvizin dhe furnizimi është i rregullt.
Debatet e rralla për vizionet rreth sistemit energjetik shpeshherë dalin të sponsorizuara nga donatorët e jashtëm, qëllimet e të cilëve në shumicën e rasteve janë në përputhje me strategjitë investuese të kompanive të huaja, për të cilat, edhe në rastin më të mirë, Kosova është një treg minimal, i vockël, me kapacitete të vogla për profit, dhe aftësi të mëdha për të krijuar telashe.
Natyrisht, përgjegjësit e mëdhenj - ata që kanë marrë mandat dhe paguhen nga paratë tona për të udhëhequr dikasteret qeveritare pa llogaridhënie, për të hartuar strategji që nuk zbatohen kurrë, e për të promovuar projekte kapitale që nuk përfundojnë në afat edhe kur u dyfishohet kostoja – pra, kryeministrat, ministrat, e zëvendësit dhe vartësit e shumtë të tyre, do të na thonë të kundërtën: Kosova ka kapacitet të bëhet fuqi energjetike në rajon!
Mbase edhe ka! Por, ai kapacitet nuk do të përmbushet kurrë me këso udhëheqje të sektorit që do të duhej të jetë ndër tri më të rëndësishmit për çdo qeveri! Sepse, sikur që na tregojnë të dhënat e 15 viteve të fundit, Kosova me kapacitetet e gjenerimit që ka, nuk po mund t’i plotësojë as nevojat e veta elementare për energji. Kosova, me një ekonomi që kryesisht mbështetet në tregti dhe import, pra pa një sektor të madh të prodhimit, nuk po mund ti përmbushë nevojat energjetike të konsumatorëve të saj. Që do të thotë se, një ekonomi më e zhvilluar nuk mund të ndodhë me këto kapacitete që kemi.
Por pyetja është: çka është bërë në shtimin e kapaciteteve, përveç hartimit të prezantimeve teorike, strategjive në letër, të cilat janë ndryshuar sa herë ka ardhur një kryeministër i ri?
Përgjigjja: Konkretisht, asgjë! Ose, thënë më saktë, në disa vitet e fundit asgjë! Projekti kapital, që një herë u quajt “Kosova C”, dhe më pas u riemërua në “Kosova e Re”, ka mbetur i ngujuar në procedurat e tenderimit, pasi pësoi ndryshim pas ndryshimi, varësisht nga preferencat e jashtme, për të përfunduar së fundi si një plan ideor, që ka shkelur çdo afat realizimi! Ilustrimi më i mirë, mbase, është fakti se ky projekt tashmë ka hyrë në vitin e dhjetë e të qenit ide e madhe, që ndryshon vazhdimisht! Realizimi: askund!
Dhe, nuk është vetëm kjo! Kosova, përveç kapaciteteve të vjetruara, të amortizuara dhe joadekuate të gjenerimit, ka dhe një rrjet të vjetruar të shpërndarjes, për riparimin e të cilit do të duhen para dhe kohë, dhe që të dyja do të merren nga konsumatori i rëndomtë. Pra, çdo përmirësim të sistemit energjetik, do ta paguajmë vetë, përmes ngritjes së çmimit të energjisë elektrike. Kjo, në një Kosovë ku shumica e popullatës mezi mbijeton, është e zorshme për t’u arritur.
Por, edhe këtu është një pyetje që shtrohet, së cilës nuk i përgjigjet kush. Ka të bëjë me faktin se prej fundit të luftës, sistemi energjetik i Kosovës ka qenë mbase përfituesi më i madh i fondeve të jashtme. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dhjetë vitet e para të pasluftës, në periudhën 1999-2008, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka pranuar mbi një miliard euro në formë subvencionesh (459 milionë euro nga Buxheti i Kosovës dhe 593 milionë euro nga donatorët). Shuma është shtuar me qindra miliona të tjerë prej vitit 2008 deri më sot. Cili është rezultati i një investimi kaq të madh?
Këto, dhe fakte të tjera, janë në dispozicion, falë punës së asaj pakice që nuk pret të diskutojë çështjet me rëndësi vetëm kur bëhet vonë. Bëhet fjalë për studimin “Patologjia e një vonese”, të kryer dhe publikuar nga Forumi 2015 në dhjetorin e vitit 2012 (shih: http://kfos.org/pathology-of-a-delay/). Argumentet e numëruara aty çka shkoi huq në sistemin energjetik të Kosovës - prej dështimeve në projektin “Kosova e Re” dhe instruksioneve të gabuara të agjencive donatore ndërkombëtare, deri tek dështimet dhe vonesat e mëdha në ndërtimin e kapaciteteve të hidroenergjisë dhe mungesës së një vizioni afatgjatë zhvillimor për vendin – janë edhe sot të vlefshme, për secilin që e kupton se pa një sistem stabil dhe të qëndrueshëm energjetik, që është në funksion të zhvillimit të vendit dhe në shërbim të qytetarit, Kosova nuk ka asnjë gjasë të ngrihet më lartë se ku është tani.
* * *
Ndërkohë, disi në vete, edhe ata ndër ne që janë në pushtet, e dinë se punët i kemi keq, se pa kapacitete të reja gjeneruese nuk jemi në situatë të ngopim as nevojat tona për energji, ndërsa importi çdo vit është më i shtrenjtë. Por ajo që sikur e kemi harruar, është se energjia sot nuk është një komoditet, sikur që mbase ka qenë një herë e një kohë; energjia për shoqërinë është çka është gjaku për trupin – pa të, nuk funksionon asgjë.
Nëse nuk i zgjidhim telashet me rrymën sot, do të paguajmë koston shumë më të madhe një ditë, kur do të detyrohemi të zgjidhim gjithçka nën diktatin e kohës dhe rrethanave të tjera. Sikur me Tribunalin!
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...