29 Mars 2015 - 08:08 - Agron Bajrami
I.
Pothuaj nuk ka ditë që dikush, diku, nuk i citon fjalët e filozofit amerikan George Santayana: “Ata që nuk e mbajnë mend të kaluarën e vet, janë të dënuar t’u përsëritet”.
Kaq gjë, besoj, ne shqiptarët e kemi mësuar në vetë lëkurën tonë, në së paku 150 vjetët e fundit.
Mirëpo problem edhe më i madh tek ne në Kosovë dhe përgjithësisht ndër shqiptarë është se sa harresa e historisë është shtrembërimi i saj!
Dhe, në mungesë të një thënie të përshtatshme për atë se çka u ndodh atyre që historinë e vet e shtrembërojnë, e dredhin sa herë t’u duhet për nevoja ditore, e fshehin dhe e gropojnë kur nuk u konvenon, vetëm për ta nxjerrë në dritë kur u duket e përshtatshme - na mbetet të shikojmë çka na ka ndodhur në këto dekadat e fundit, prej kur kemi nisur me të madhe ta shndërrojmë historinë në përrallë.
II.
Sigurisht dikush mund të thotë se një pretendim i këtillë është i tepruar; se shqiptarët nuk e kanë manipuluar historinë dhe nuk e kanë shtrembëruar atë; se gabimet që edhe sot gjenden në shumicën e librave të historisë janë pasojë e pushteteve diktatoriale të së kaluarës, të cilat i detyronin historianët që ngjarjet e së kaluarës t’i mbështjellin me gënjeshtra politike të aktualitetit ideologjik, me qëllim të krijimit të perceptimit të gabuar për një ngjarje historike, ashtu që të krijojnë ndërlidhjen patriotiko-ideologjike mes vetes dhe heronjve të së kaluarës. Apo, kur idetë dhe synimet assesi nuk mund të përputheshin, t’i degradojnë në antiheronj personalitetet e së kaluarës.
Po ashtu, dikush tjetër mund të thotë se pjesën më të madhe të historisë na e kanë shkruar të huajt, në qëllimet e të cilëve gjithsesi dhe gjithmonë duhet të kemi dyshim! Pushtues të ndryshëm, prej Perandorisë Otomane deri tek Jugosllavia e Mbretit por edhe ajo e Titos, dhe sidomos Serbia e Milosheviqit, për qëllimet e veta kanë sajuar të kaluarën, për të na e drejtuar të ardhmen.
Nuk dyshoj se është edhe kështu.
Por, këta që na e thonë këtë nuk na udhëzojnë të kemi dyshim edhe në qëllimet dhe profesionalizmin e historianëve tanë, prej të cilëve ka që kanë ndërruar historitë sa herë që është ndërruar pushteti. Këta, pra, që nuk duan të shikohemi në pasqyrë, gabimet të cilat njeriu mund t’i gjejë madje edhe me shfletimin krejt sipërfaqësor të librave të historisë, do t’i mbrojnë vazhdimisht si gabime “të paqëllimta” ose “teknike”, ose edhe “të vërteta të kulluara”.
Do të mllefosen fort kur ndonjë historian i huaj apo publicist i guximshëm, apo edhe koleg i tyre vendës, të nxjerrë para publikut një version tjetër të mundshëm për ndonjë ngjarje të madhe apo karakterin e një personaliteti historik. Do të mohojnë faktet, edhe kur ato janë të pamohueshme. Akuzojnë për herezi. Tradhti kombëtare.
Gjithçka për ta mbrojtur versionin e vet të historisë. Pa çka që ai nuk është i saktë. Ose, së paku, jo krejt i saktë.
III.
Skënderbeu, luftëtar për krishterim apo për komb?
Pushtimi otoman – kohë e represionit dhe konvertimeve të dhunshme, apo e prosperitetit dhe përparimit shoqëror?
Shpallja e Pavarësisë më 1912, shpëtim i kombit, apo sakrifikim i një pjese të tij?
Shqipëria, Republika e shtatë jugosllave – mundësi reale e kohës së pas Luftës së Dytë Botërore, apo sajim i qarqeve jugosllave në luftë kundër Enver Hoxhës?
Autonomia e vitit 1974 – Republikë në realitet, apo mashtrim?
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë – lëvizje për demokraci dhe liri, apo promovim i marksizëm-leninizmit enverist në Kosovë?
UÇK-ja apo NATO-ja – kush e çliroi Kosovën?
Ibrahim Rugova apo Hashim Thaçi – cili e solli pavarësinë?
17 shkurti 2008 – liri e pavarësi, apo nënshtrim ndaj diktatit ndërkombëtar?
IV.
Pyetje të shumta, për ngjarje me peshë, që nuk gjejnë përgjigje nga shkenca e historisë, por mbeten tema të nxehta për konfrontime ditore politike, zëvendësim për debate të munguara qenësore.
Sigurisht, kur nuk mund të përballesh me të sotmen, ktheju konflikteve të së kaluarës për të zhvendosur vëmendjen publike.
Gjithçka për t’i ikur realitetit. Gjithçka për të zhvendosur vëmendjen nga paaftësia e liderëve të sotëm, në historitë kontroverse të liderëve të së kaluarës.
Andaj edhe nuk është për habi se njerëzit, qytetarët, e kanë humbur besimin jo vetëm në të tashmen, por edhe në të kaluarën. Nuk u besojnë më versioneve të shumta zyrtare të historisë, sidomos pas përvojës së luftës së fundit, ku kujtesa jonë nga vitet 1998-1999 tepër shpesh nuk përputhet me ato që i lexojmë nëpër libra-monografi historike, apo kujtime të protagonistëve të ngjarjeve.
Besimi sidomos humbet kur ndodh që dy pjesëmarrës të së njëjtës ngjarje e kujtojnë atë në mënyra krejt të kundërta, kontradiktore.
E kështu po ndodh shumë shpesh.
V.
Sa është e çoroditur qasja jonë ndaj së kaluarës sonë mund të shihet jo veç ndaj trajtimit të ngjarjeve historike. Shikoni monumentet tona, që do të duhej të ishin dëshmi për lashtësinë e përpjekjeve të njeriut të kësaj toke që të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme, më të mirë, për veten.
Kalaja mbi Prizren është shembulli i fundit i injorimit të vlerave historike nga njerëz që sikur na thonë: gjithçka nis me neve! Por jo vetëm!
Me vite të tëra interesimi i shtetit për të nxjerrë në dritë qytetin antik të Ulpianës është inekzistent. Ministrat kosovarë mjaftohen të mbajnë në zyrë nga një kopje (apo edhe dy) të Hyjneshës në Fron, në vend se të përpiqen t’i kthejnë artefaktet e vjedhura nga Beogradi. Në emër të patriotizmit të rizbuluar nacionalist, rrënohen përmendore të atyre që luftuan kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa manipulimi me historinë mbase reflektohet më së miri në emërtimin e rrugëve nëpër qytete e komuna të mbarë Kosovës. Gjithë ajo histori e një treve të lashtë, dhe një populli të moçëm që gjurmët e veta i la prej kohëve antike deri në ditët e sotme, dhe ende mbetet i gjallë dhe aktiv, reduktohet në dy-tri premisa nacionale, të shekullit 19, mbi të cilat vlerësohen të gjithë aktorët e historisë, prej Lekës së Madh deri tek Adem Jashari.
Dhe, pyetja që mbetet është sa e thjeshtë aq edhe qenësore: i meritojmë ne këta burra të mëdhenj, marrë parasysh si i trajtojmë? E meritojmë ne këtë histori që kemi, marrë parasysh sa fort bëjmë pazar me të?
VI.
Historia është shkencë, dhe si e tillë do të duhej të mbajë distancën nga përditshmëria politike, apo rrëfimet mitike për të kaluarën. Librat e historisë do të duhej të shkruheshin të zhveshura nga emocioni nacional, politik, rajonal, etnik, gjinor, kulturor, social.
Hiq disa përjashtime të pakta, shumica e historianëve të tanishëm shqiptarë, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, sikur edhe shumica e atyre që kanë vepruar në të kaluarën, nuk ishin në gjendje - nuk guxonin apo nuk dinin, pak ka rëndësi – të studiojnë dhe të shkruajnë për të kaluarën të pandikuar.
Derisa të jetë kështu, pazari me historinë do të vazhdojë.
Fatkeqësisht.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...