Rrugët e Kosovës pa krye

10 Gusht 2014 - 08:24 - Agron Bajrami      

Është koha e fundit që prokurorët të merren me keqpërdorimet që janë bërë në projektet e ndërtimit të rrugëve në mbarë Kosovën. Të gjitha dëshmitë i kanë: edhe asfaltin e shtruar bashkë me plasaritjet e shpejta prej kualitetit të dobët, edhe dosjet e tenderëve në të cilat ekspertët tashmë publikisht po tregojnë si janë bërë dallaveret

Të hënën në mëngjes, kur prokurorët e Kosovës të kenë nisur javën me kafenë e parë në zyrë, në tavolinat e tyre të punës do të duhej të kenë këtë numër të “Kohës Ditore” të së dielës, dhe në të, në ballinë dhe në tri faqet që i paraprijnë këtij komenti, temën e javës, e cila do të duhej t’iu interesonte shumë – nëse veten dhe punën e tyre i marrin seriozisht.

Sepse këtë javë, në temën që trajtojmë në këtë edicion, prokurorët do të gjejnë më shumë se kritika të përgjithësuara e dyshime të shprehura publikisht për korrupsion dhe keqpërdorim të parasë publike. Këtë javë do të gjejnë pohime konkrete për mënyrën si keqpërdoret shteti në projekte të ndërtimit të rrugëve, që prej vitit 2007 deri më sot kapin shifrën totale prej 2 miliardë eurosh nga buxheti i shtetit.

Inxhinier Muhamet Selimi, që ka mbikëqyrur dhe ndërtuar rrugë për afro tre vjet në Kosovë, e konfirmon atë që publiku vazhdimisht e ka parë me sy të dyshimtë në tenderët e shumtë për shtrim të asfaltit nëpër Kosovë: funksionimin e sistemit korruptues.

Që një ndërmarrje të fitojë një tender për të shtruar një rrugë ose duhet të konkurrojë me çmim më të ulët sesa çmimi real, ose duhet t'i korruptojë zyrtarët.

Në rastin e parë, siç e shpjegon inxhinieri, konkurrimi me çmim më të ulët nënkupton përdorimin e materialit jokualitativ. “Me bo me hi nëpër dosje të tenderit dhe me i pa ofertat e kompanive dhe çmimet nëpër pozicione të ndërtimit të rrugëve, e sheh që janë çmime qesharake. Shembull, qesin çmim 4-6 euro për 1 metër kub të tamponit/zhavorrit, që në gurthyes mund të blihet me çmimin prej 8 eurove. Qysh mundet me u nxjerrë ai në këtë ndërtim, përveçqë e përgjysmon sasinë që e vendos në bazë të rrugës, duke e dëmtuar cilësinë e rrugës”, thotë Selimi. “Rrugët me cilësi të dobët nuk mund të riparohen. Është sikur tesha e kalbur që e qep në një vend dhe pëlcet në vendin tjetër. Nuk mund të mbahen”.

Në rastin e dytë, nëse fituesi i tenderit u jep ryshfet zyrtarëve për të marrë punën, të hollat e shpenzuara për korrupsion ai i kompenson te materiali që përdor për punë, sepse “kompanitë punojnë për profit e jo për humbje”. “Nëse hiqen dhe nuk shtrohen 2 centimetra asfalt, atëherë i kursen 2 euro e 40 për metër katror. Nëse rruga i ka 6 mijë metra katrorë, atëherë shkuan 15 mijë euro. 1 centimetër asfalt bën sa 10 centimetra zhavorr. Kryesisht dallaveret bëhen tek asfalti, pasi aty është paraja më e madhe, sepse në vend që me i heqë 10 centimetra zhavorr, e heq 1 centimetër asfalt dhe fitimi është i njëjtë”, tregon inxhinier Selimi, i cili shpjegon se si përfitohet edhe nga trashësia e asfaltit: “Ata bëjnë më shumë dallavere tek bitumeni, pasi ia heqin një sasi të bitumenit, ia qesin sasinë minimale të bitumenit që është projektuar.”

Për prokurorët, informatë relevante do të duhej të ishte edhe ajo për çmimin e një kilometri autostradë në Kosovë. Dëshmitë flasin se ndërtimi i autostradave në vendin tonë është më i shtrenjtë se në shumicën e vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Danimarkën, Slloveninë dhe Kroacinë. Apo, siç e konkludon Lumir Abdixhiku nga instituti “Riinvest”, kosovarët e varfër nga buxheti i tyre kanë paguar mesatarisht 100 euro për një centimetër autostradë!

Ta lënë për një çast kafenë e mëngjesit prokurorët e Kosovës dhe të marrin frymë thellë: 100 EURO PËR NJË CENTIMETËR ASFALT!

Janë 2 MILIARDË EURO para që Kosova i ka ndarë për shtrim rrugësh në shtatë vjetët e fundit, ndërsa kualiteti i punës në shumë raste është nën çdo nivel. Për këtë konstatim nuk na duhen vlerësimet e ekspertëve, kemi sytë për të parë: në çdo cep të Kosovës shumë nga rrugët e shtruara këto vite janë të kualitetit më të keq të mundshëm me plasaritje të mëdha e të shumta të asfaltit, shembje të rrugëve, dëmtim nga lagështia, ndërsa numri më i madh i tyre duket si të ishin të pakryera. Disa, madje, mbeten projekte në ndërtim me vite të tëra, sikur që është shembulli skandaloz i rrugës nacionale Prishtinë - Mitrovicë, e cila ka nisur të ndërtohej para pesë vjetësh, dhe, bazuar në gjendjen në terren, gjasat janë se nuk do të kryhet edhe për vite të tjera!

Dikush duhet të japë përgjegjësi pse Kosova ka shpenzuar kaq shumë para për rrugë kaq të këqija. Për prokurorët e Kosovës do të duhej të ishte puna më e lehtë të hetojnë këto raste, të identifikojnë shkeljet dhe keqpërdorimet, dhe të nxjerrin para drejtësisë ata që e krijuan këtë situatë, ku rrugët i kemi më të shtrenjtat në Evropë, ndërsa kualitetin e kemi më të dobëtin.

Është fare lehtë: rrugët janë aty, kualiteti i secilës lehtë mund të përcaktohet me ekspertizë, dosjet e tenderëve bashkë me kriteret teknike që është dashur të zbatoheshin janë nëpër sirtarët qeveritarë dhe nëse mediave dhe publikut i mohohet qasja në to, prokurorëve nuk mund t’ua fshehin!

Prej prokurorëve kërkohet vetëm guximi minimal, për të kryer punën e vet për të cilën edhe paguhen nga paratë e qytetarëve të Kosovës.

Nëse vazhdojnë të injorojnë detyrën e vet për të ndjekur keqbërësit që po e shkatërrojnë shtetin, atëherë nuk mbetet ndonjë shpresë se gjërat do të mund të ndryshojnë në Kosovë. Dhe jo vetëm rrugët tona do të jenë pa krye!

[email protected]

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...