5 Qershor 2014 - 21:41 - Agron Bajrami
Rreth librit “Këmbët e gjarprit” nga Veton Surroi
Të qenët redaktor i Veton Surroit sjell një avantazh të madh: privilegjin dhe kënaqësinë e leximit të shkrimeve të tij ndër të parët, para botimit.
Krahas këtij avantazhi, të qenët redaktor i Vetonit, gjithashtu, të vërë edhe në një situatë që i pari të mahnitesh me dilemat që nxjerrin shkrimet e tij.
Sikur në rastin e kolumneve të tij të rregullta, që me vite i botonte në “Kohën Ditore” – e që shpresojmë një ditë, shumë shpejt, të vazhdojë t’i shkruajë si më parë, rregullisht – edhe libri që na mblodhi sot këtu, “Këmbët e gjarprit”, është vështirë të klasifikohet meqë që nga kapitulli i parë na shfaqen dilemat nëse kemi të bëjmë me përshkrim dokumentar-historik, rrëfim letrar, reportazh gazetaresk, apo deklaratë politike!
Dhe redaktori së pari pyet veten: “Këmbët e gjarprit” është dëshmi historike për kohë dhe ngjarje të rëndësisë së madhe shoqërore? Apo është rrëfim letrar i bazuar në ngjarje dhe personazhe të vërteta, por që përshkruhen me lirinë artistike të shkrimtarit?
Apo ndoshta është një reportazh gazetaresk i nxjerrë nga kujtimi i një njeriu që mban mend mirë - prej ngjarjeve më dramatike deri te detajet më të vogla dhe fjalët e thëna, që ndryshe do t’i kishte marrë era? Një analizë e ftohtë e ngjarjeve, personazheve dhe fakteve të së kaluarës sonë të afërt? Ose, thjesht është një deklaratë politike që akuzon përgjegjësin dhe përgjegjësit për degradimin shoqëror që po vazhdon prej fundit të luftës deri në ditët e sotme?
* * *
Përgjigjja vjen shumë shpejt gjatë leximit: “Këmbët e gjarprit” janë të gjitha këto, dhe shumë më shumë se kaq!
Nëse do ta thjeshtësoj më tej, e them kështu: “Këmbët e gjarprit” është libër historie.
Është libër historie ashtu si e ka parë Vetoni, i cili që në hyrje paralajmëron lexuesin se para vetes ka një interpretim - siç e thotë vetë - “një grumbull skicash si interpretim provokues për një shoqëri që ka nevojë të zgjohet nga letargjia e kafshimit të helmuesve”.
Është libër historie që flet për individë e ngjarje, të ditura e të paditura, në të cilat vetë autori ka qenë pjesëmarrës direkt, dhe rrëfimi që na sjell Surroi është dëshmi për një kohë dhe disa njerëz që edhe sot kanë rol e çojnë peshë në Kosovë.
Por më shumë se thjesht një libër historie, “Këmbët e gjarprit” është edhe libër për historinë. Libër që nxjerr në shesh shtrembërimin e historisë, blerjen dhe shitjen e saj, rishkrimin e saj dhe manipulimin me të, nga njerëz që, në rrethana të tjera, mund të kishin qenë individë në margjina të shoqërisë.
I artikuluar deri në shkronjën e fundit, me përzierjen prej një mjeshtri të rrëfimit që nuk lëshon as detajin më të imët, dhe të mendjes së mprehtë politike e cila ka guximin të flasë hapur, në “Këmbët e gjarprit” Surroi na sjell copëzat e historisë sonë, të përziera me studimin e karaktereve të disa prej personazheve kryesore që e ndikuan këtë histori, në 15 vjetët e fundit - prej kryepersonazhit Hashim Thaçi, të quajtur “Gjarpri”, deri tek Enver Hoxhaj, Azem Syla e Jakup Krasniqi.
Dhe, me këtë, “Këmbët e gjarprit” na bëhet edhe triler politik!
Triler politik që, përveç historisë, shtron edhe dilema heretike! Sikur që është vënia në peshore nëse emërtimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reflekton edhe në realitetin faktik të momentit? Apo tjetra, që ngre pyetjen se ku ishin ushtarët e Adem Jasharit kur ai me familjen e tij ishin të rrethuar nga policia serbe, nëse ai ishte komandanti legjendar i UÇK-së?
* * *
Si në librat e tij të mëparshëm, prej “Fluturimit të vetëm të Azem Berishës për në kështjellë” e deri te romani “Miliarderi”, edhe në “Këmbët e gjarprit” lexuesi do të takojë shkrimtarin Veton me stil të veçantë letrar të ndikuar, midis tjerash, edhe nga letërsia latino-amerikane, bashkë me gazetarin Veton që, i ndikuar nga profesionalizmi i “The New York Times”-it, apo “The Washington Post”-it, gjithmonë i ka parasysh faktet. Si dhe Vetonin,që, me përvojën e tij të madhe politike e negociatore, e ka aftësinë e përllogaritjes së momentit dhe kontekstit politik, bashkë me Vetonin, aktivistin e shoqërisë civile që nga vitet e rënies së komunizmit, i cili nuk hesht përballë rreziqeve që kërcënojnë shtetin e papërfunduar të Kosovës dhe të shoqërisë së saj që ende zvarritet në transicion drejt demokracisë liberale, prej 15 vjetësh.
Kështu, “Këmbët e gjarprit” është po ashtu një polemikë politike që, duke përshkruar personazhet politike - prej kryeministrit në detyrë dhe ministrit të Jashtëm, deri tek ish-deputetë, politikanë, luftëtarë dhe një ish-rektor - nxjerr një diagnozë të rëndë për sistemin që e sundon Kosovën, e që, pashmangshëm, do të nxisë reagime, përkrahëse e kritikuese, nga pozicione qysh tash të parashikueshme.
Sigurisht, autori qëllimshëm ngacmon individë e struktura si “zap’ues” të pushtetit dhe shkatërrues të shoqërisë, për të detyruar hapjen e një debati, të cilit Kosova me vite i shmanget! Debatit për mungesën e llogaridhënies dhe përgjegjësisë në udhëheqje, që Kosovës i kushtoi dhe i kushton me pësime historike.
Apo, siç e thotë vetë autori në fund të librit, kur shtron pyetjen nëse ka mundur të jetë Thaçi kaq i fortë dhe kaq shkatërrues, dhe vetë jep përgjigjen: “Nuk e besoj. Gjarpri ka mundur të na afrohej, si çdo gjarpër tjetër, aq sa e kemi lejuar ne”.
Për më tepër, lexojeni librin!
(Fjalë e rastit në promovimin e librit “Këmbët e gjarprit” të Veton Surroit, në Panairin e Librit në Prishtinë, më 4 qershor 2014)
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...