Mashtruesit e pandëshkuar të politikës

11 Tetor 2015 - 08:06 - Valbona Mehmeti      

Kriza që e ka kapluar tani Kuvendin dhe ambicia e Thaçit për t’u bërë president, ka mundësi që ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Nëse ndodhin zgjedhjet, ne votuesit duhet ta shfrytëzojnë këtë shans për t’u çliruar përfundimisht nga politikanët që na mashtruan me vite dhe mbijetuan me votën tonë

“A ke ndonjë informatë kur po mbahen zgjedhjet e reja?”, e kishte pyetur këto ditë një koleg timin një aktivist i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga një qytezë, bastion i kësaj partie. Kolegu gazetar me përvojë ishte habitur me pyetjen, meqë mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme nuk është temë debati këto ditë. ”O, këta të partisë kanë nis me m’thirr shpesh kohën e fundit e këta më thirrin veç kur ka zgjedhje se ndryshe as që ju bjen në mend për mu”, kishte vazhduar aktivisti.

Deklarata e tij, jo vetëm që është indikacion se partia në pushtet PDK mund ta çojë shumë shpejt Kosovën në zgjedhje të parakohshme nacionale, por e dëshmon edhe një zakon të etabluar tashmë 16 vjet në Kosovë. Politikanëve iu bie në mend për anëtarësinë dhe votuesit vetëm para dhe gjatë zgjedhjeve. Edhe atëherë nuk janë të sinqertë me ta. I rrejnë dhe i mashtrojnë haptas pa iu bërë syri vër në këmbim të votës. Premtimet e tyre e lënë me gojë hapur edhe qytetarin më optimist.

Në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, që u pasuan nga një ngërç institucional gjashtëmujor, premtimet e liderëve të dy partive më të mëdha në vend tejkalonin parashikimet e çdo mendjeje të shëndoshë. Shifra të pabesueshme për vende të reja pune, 200 mijë, 120 mijë, si në pazar. Veç folni sa po doni. Fond punësimi prej 1.5 miliardë eurosh, rritje ekonomike, rritje pagash 100 për qind për mjekë, mësimdhënës, autostrada, hekurudha, 500 milionë euro subvencione për bujq. Lule, lule gjithandej...

Me të përfunduar fushata, të gjitha këto premtime u shkrinë si një flluskë e vërtetë dëbore (jo si ajo flluska e Editës që nuk po shkrihet me vite).

Se edhe vetë Thaçi e Mustafa nuk besojnë në premtimet e veta e dëshmuan kur e thyen premtimin e parë. Ndonëse moto e fushatës zgjedhore të LDK-së ishte jo koalicion me PDK-në, jo koalicion me zaptuesit e shtetit, Mustafa përfundoi në përqafim të Thaçit dhe kompanisë së tij. Kjo për ta përforcuar zaptimin. Këtu populli e mori vesh sa është sahati. Nuk e priti punësimin as rritjet e premtuara të pagave. Shpërtheu vala e ikjeve masive jashtë Kosovës legalisht e ilegalisht për në vendet perëndimore. Rreth 50 mijë kosovarë besohet se e kanë lëshuar vendin nga fundi i vitit 2014 dhe fillimi i 2015-s. Të mbeturit ironizonin: Po ikin se po frikësohen mos po i merr Isa e Hashimi në punë. Ose tjetra: Kush po thotë more që Hashimi s’po e mban premtimin për vende pune. A po shihni që i punësoi mijëra veta, ama jo në Kosovë, në Gjermani!

Dhe kur e panë se ky milet po ik nga puna, Mustafa e Thaçi hoqën dorë krejt nga realizimi i premtimeve për qindra e mijëra vende pune brenda mandatit katërvjeçar.

Qeveria ka miratuar programin qeverisës dhe në të nuk ka i përmendur shifrat e punësimit. Nuk e ka krijuar as fondin e punësimit, që e kishte premtuar. E ka aprovuar një koncept-dokument për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, në të cilin shprehet synimi për krijimin e vetëm 20 mijë vendeve të punës në një periudhë gjashtëvjeçare. Fondi nuk do t’i ketë miliardat e premtuara. Parashihet të startojë me vetëm 20 milionë euro.

E ju shërbyes civilë as mos ëndërroni rritje pagash, sepse as ajo nuk është paraparë në dokumentet qeveritare.

Por si të kujdesshëm që janë, Thaçi e Mustafa, nuk na lanë anash neve që e fitojmë me nder paranë dhe ende e shohim ardhmërinë në këtë copë vendi, me gjithë vetëfundosjen që i shihet në horizont.

Duke e parë se arka e shtetit është zbrazur, kjo sidomos nga lukset e zyrtarëve dhe hajnive nëpërmjet tenderëve gjatë dy mandatave të qeverisjes së Thaçit, planifikuesit e buxhetit vendosën që ta mbushin arkën në kurriz të qytetarëve. Sepse kur buxheti mbushet vetëm nga të hyrat e doganave dhe nga tatimet dhe kur nuk ke ide për joshje të investimeve të huaja, atëherë duhet ta shtrydhësh qytetarin e ngratë duke ia rritur tatimin. Po si ngushëllim na e lanë kthimin simbolik të TVSH-së nëpërmjet kuponëve fiskalë. Ndoshta ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë taktikë të mirë këtë, por ne qytetarëve na e ka rënduar xhepin.

Qeveria me siguri do të mblidhte më shumë para sikur t’ua ndalonte zyrtarëve të saj shpenzimet e panevojshme, mëditjet për punë të kota dhe sorollatjet me vetura zyrtare. Dhe të ndalte hajninë me tenderët milionësh.

Me krizën që e ka kapluar tani Kuvendin e Kosovës dhe dëshirën e madhe të Thaçit për t’u bërë president, parashikimi i aktivistit të PDK-së për zgjedhje të reja nuk është larg mendsh të jetësohet. Në qoftë se Kuvendi nuk ia arrin të dalë nga bllokada që po ua bëjnë seancave partitë opozitare, me disa aksione shpesh të paarsyeshme, atëherë mund të ndodhë që Qeveria të japë dorëheqje dhe të na çojë në zgjedhje të parakohshme. Në zgjedhje mund të na çojë edhe mungesa e votave të deputetëve për zgjedhjen e Thaçit president, kur Jahjagës t’i mbarojë mandati në prill 2016. Duke e ditur ambicien e Thaçit për të provuar edhe postin e presidentit, koalicioni qeverisës mund të kërkojë mocion mosbesimi për ta rrëzuar vetveten. Në zgjedhje mund të na çojë edhe prishja e papritur e koalicionit LDK-PDK.

Cilido variant që na çon në zgjedhje ne votuesit duhet ta shfrytëzojmë që përfundimisht të çlirohemi nga këta politikanë mashtrues, hajna e injorantë, të cilët i kemi legjitimuar vetë me votën tonë. Duke ua mundësuar karrigen e pushtetit, edhe ne si qytetarë mbajmë përgjegjësi që e kemi kthyer mashtrimin në vlerë dhe ata vazhdojnë të mbijetojnë në skenën politike me bekimin tonë, sepse për kaq vite ne jemi treguar inertë, kemi bërë sehir derisa ata nga hiçi ktheheshin në milionerë.

Ndëshkim meritojnë sidomos dy partitë kryesore, PDK dhe LDK, të cilat e mbajnë përgjegjësinë kryesore për krimin dhe korrupsionin dhe të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur këtij vendi. Dikush me të drejtë mund të thotë “s’kemi alternativë kë të votojmë” kur edhe opozita gjithnjë e më shumë po e dëshmon se nuk ka kapacitet as dije për të na nxjerrë nga humnera. Nëse nuk doni ta votoni asnjërin, dilni në zgjedhje dhe prisheni fletëvotimin. Le të mbetemi edhe pa Qeveri. Më mirë pa të se sa me qeveri politikanësh të shpenzuar që vijnë në pushtet me premtime boshe dhe me synimin që të rrjepin qytetarin e vet.

Vetëm trysnia qytetare mund ta kthjellë këtë vend. Duke i ndëshkuar me votë këta politikanë mashtrues, ndoshta edhe ndërkombëtarët do të binden se ne jemi ngopur me rrena dhe se ata nuk duhet t’i përkrahin më të tillët. Duhet ta dëshmojmë se ne meritojmë liderë të zotë dhe të pastër që nuk na e shpërdorin votën. Liderët e tillë nuk pikin nga qielli. Ata dalin nga populli.

[email protected] 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...