Të rrezikuar nga vetvetja

24 Gusht 2014 - 08:10 - Valbona Mehmeti      

Në përvjetorët e pavarësisë së shtetit, ngjarja që tërheq më së shumti qytetarët shqiptarë të Kosovës është parada e forcave të sigurisë në qendër të kryeqytetit. Fëmijë e të rritur shtyhen me bërryla të dalin në rendin e parë të trotuarit për të shikuar burrat dhe gratë e uniformuar e të armatosur teksa marshojnë në vijë, me gjoksin e ngrehur para dhe me kokë të kthyer anash. Duartrokitjet nuk ndalen derisa përfundon marshruta.

Edhe pse një forcë jo e madhe numerikisht dhe me pajisje modeste, demonstrimi i Forcave të Sigurisë dhe atyre të Policisë së Kosovës, më 17 shkurt, ua ofron qytetarëve të paktën për një ditë, krenarinë për shtetin dhe ndjenjën e të qenit të mbrojtur, gjë që u mungon gjatë gjithë vitit.

Forca e Armatosur është vetëm një komponent i sigurisë kombëtare të një shteti. Për t’u ndier me të vërtetë i sigurtë një populli i duhen edhe forma të tjera të sigurisë. Në radhë të parë, mirëqenie ekonomike e sociale dhe sundim i ligjit. Pikërisht mungesa e shtetit ligjor dhe e besimit qytetar në institucionet e rendit dhe të drejtësisë i bën kosovarët të ndihen të pambrojtur në çdo hap.

Sado që në paradën e 17 shkurtit u bëhet zemra mal teksa shohin demonstrimin e forcave të rendit, perceptimet e opinionit kosovar për organet e sigurisë nuk janë aspak të kënaqshme. Raportet e bazuara në anketa të qytetarëve flasin për kënaqshmëri mesatare me Policinë dhe për një pakënaqësi të theksuar ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme e sistemit gjyqësor. Kjo pakënaqësi është përcjellë ndër vite, sepse, edhe pas Shpalljes së Pavarësisë dhe marrjes së përgjegjësive nga institucionet kosovare, ka munguar gatishmëria e shtetit që ta vërë në plan të parë qytetarin.

Si mund të ketë besim një kosovar në Policinë e Kosovës kur ajo nuk arrin as pas pesë vjetësh të zbardhë vjedhjet që iu bënë brenda institucionit në dhomat e dëshmive, kur policët kurdisin kurthe e vrasje për interesa të ngushta klanore apo partiake, kur dështojnë t’i ofrojnë mbrojtje qytetarit të rrezikuar nga kriminelë, hajna e besa edhe nga shoferë të papërgjegjshëm në komunikacion. Ky mosbesim mandej rezulton edhe me mosbashkëpunim të qytetarëve në kapjen e kriminelëve.

Fakti që shumë persona të ndjekur për krime më parë pranojnë t’u dorëzohen organeve të EULEX-it sesa Policisë së Kosovës dëshmon se ajo nuk ka arritur ta fitojë ende besimin e qytetarëve. Njësoj është gjendja me gjyqësorin. Jo se kosovarët janë shumë të kënaqur me gjykatat e EULEX-it, por megjithatë e ndiejnë një siguri më të madhe kur janë në duart e gjyqtarëve ndërkombëtarë. Kjo sepse gjykatat kosovare janë mbushur me gjyqtarë joprofesionistë, të ndikuar nga politika, gjyqtarë që nuk kanë as guxim as dije ta zbatojnë ligjin mirëfilli dhe të gjykojnë në mënyrë të drejtë.

Lëndët në gjykata zvarriten me vite, kryesit e veprave penale mbesin të padënuar ose lirohen nga “mungesa e dëshmive” dhe qytetari nuk arrin të realizojë të drejtën e tij për të zgjidhur kontestet penale apo civile. Zgjidhje i mbetet dhënia e ryshfetit apo marrja e drejtësisë në duart e veta. Dhe vazhdon kështu rrethi i kaosit, i lulëzimit të krimit, i therjeve e vrasjeve të të rinjve në pikë të ditës, pasojat e të cilave i ndiejnë qytetarët e pafajshëm. Siguria mbetet kurrkah.

Sikur të mos na mjaftonin të gjitha këto, tani qytetarët e Kosovës i ekspozohen edhe rrezikut nga veprimet terroriste të bashkëqytetarëve. Me vite pushteti ka injoruar nxitësit e radikalizmit fetar gjersa ata shtrinin rrjetet e tyre të indoktrinimit dhe tani kur kanë filluar të bien “kurbanët e parë” të një lufte të pakuptimtë, shteti reagon. Arrestimi masiv i të dyshuarve për aktivitete terroriste ishte një demonstrim i forcës së shtetit që natyrisht që krijon një ndjenjë sigurie tek qytetari. Por, vetëm një proces i drejtë gjyqësor ndaj të dyshuarve dhe një dënim i bazuar në fakte do të mund të përcillte mesazhin se shteti e ka seriozisht luftën kundër terrorizmit e jo vetëm për të bërë spektakle.

Rol të rëndësishëm në këtë luftë aktualisht globale luan edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI). Sipas barometrit të sigurisë, të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, shumica e qytetarëve të anketuar kanë thënë se nuk kanë opinion apo mbeten konfuzë e të paqëndrueshëm në vlerësimet për punën e AKI-së. Sigurisht se nuk mund të jenë të kënaqur, kur agjentët e institucionit që do të duhej të përkujdeseshin për sigurinë kombëtare dhe të paralajmëronte shtetin për rreziqet, punë të parë e ka “prodhimin” e skandaleve, ndërsa të dytë “censurimin” e medieve.

Politikologu amerikan Arnold Wolfers e ka përkufizuar sigurinë kombëtare nga aspekti objektiv dhe ai subjektiv. “Me siguri kombëtare objektivisht kuptojmë mungesën e kërcënimeve ndaj vlerave të fituara. Ndërkaq në aspektin subjektiv, mungesën e frikës se këto vlera do të sulmohen”, ka shkruar ai në vitet ’60.

Për sigurinë territoriale të Kosovës përkujdeset ende forca shumëkombëshe e NATO-s. Prandaj, kosovarët nuk e kanë më ndjenjën e frikës se vlerat e fituara me shumë sakrificë si liria dhe pavarësia do t’u rrezikohen nga ndonjë agresion i jashtëm. Këto vlera atyre po u rrezikohen nga vetvetja. Dhe ky, në fakt, është problemi të cilit nuk po mund t’i gjejnë zgjidhje.

[email protected] 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...