4 Maj 2014 - 09:59 - Valbona Mehmeti
Para se t’i ofronte kontratën e re, punëdhënësi i kishte shpikur disa vërejtje për shkelje të rregullores së punës dhe të kontratës që Arta nuk e kishte fare.
Kontrata e re i ishte ofruar vetëm për gjashtë muaj dhe ajo i skadonte një muaj para se Arta të shkonte në pushim të lehonisë. Pas skadimit kontrata nuk i ishte vazhduar. Mosvazhdimi ishte arsyetuar nga punëdhënësi me mospërmbushjen e detyrave nga e punësuara, mungesën e mjeteve financiare për ta mbajtur në punë dhe me pretendimin se produktet e kompanisë distribuuese do t’i marrë përsipër një kompani tjetër.
Fillimisht punëdhënësi kishte tentuar të bënte një lloj pazari me të duke i premtuar se do t’ia marrin motrën në punë derisa ajo të kryejë pushimin e lehonisë. Por as këtë ofertë nuk e kishin realizuar. Një muaj pas largimit nga puna, pozita e saj kishte mbetur vakante dhe në fund, me gjithë “arsyetimet” se nuk mund ta mbajnë në punë për mungesë mjetesh financiare, kompania kishte angazhuar një punëtore të re.
Punëdhënësi e kishte përgatitur largimin e Artës duke “respektuar” të gjitha normat ligjore dhe duke mos i lënë hapësirë juridike për ankesë. Kur Arta kishte shkuar në Inspektoratin e punës për të shikuar mundësitë e ankesës, aty i kishin thënë se nuk ia vlen as të merret me ndjekjen e së drejtës së saj, sepse do të dilte humbëse.
Kompania madje e kishte kërcënuar se nëse ndjek rrugët ligjore për kthim në punë do t’i kërkojnë dëmshpërblim për shpenzimet e gjykatës. Arta tash është e papunë dhe mezi ia del të rrisë foshnjën vetëm me pagën e bashkëshortit.
Raste të tilla si ky i Artës kur gruas shtatzënë i shkelet e drejta e pushimit të lehonisë ka me bollëk në sektorin privat të punës. Duke iu shkelur grave kjo e drejtë, njëkohësisht u shkelet e drejta e fëmijëve të porsalindur për t’u rritur në mirëqenie dhe pa presionin prindëror të mbijetesës sociale.
Ligji i punës parasheh pushim 12-mujor të lehonisë. Gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70 për qind të pagës bazë, tre muajt në vijim pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa e punësuara ka të drejtë që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre muaj të tjera pa pagesë.
Ligji i punës ndalon shkëputjen e kontratës së të punësuarave shtatzëna apo gjatë kohës kur ato janë në pushim të lehonisë. “Gjatë kohës së shtatzënisë, pushimit të lehonisë dhe mungesës në punë për shkak të përkujdesjes së veçantë ndaj fëmijës, punëdhënësi nuk mund t’ia shkëpusë kontratën të punësuarës dhe t’ia ndërrojë vendin e punës, përveç në rastet e shkëputjes së kontratës sipas nenit 76 të këtij ligji”, thuhet në nenin 53 të ligjit.
Me gjithë të mirat që ka ky ligj, neni 49 për pushimin e lehonisë, praktika po e dëshmon se droja që kishin shfaqur organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave se do të zvogëlojë numrin e grave të punësuara ka qenë e bazuar.
Ligji i mirë, por zbatimi kurrkah
Si të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës edhe ky i punës është ligj i mirë që mbron të drejtën e punëtorit. Por njësoj si ligjet e tjera edhe ky vazhdon të mos zbatohet në praktikë, sidomos në sektorin privat.
Mund të numërohen në gishta kompanitë private në Kosovë që respektojnë plotësisht të drejtat e punëtorëve. Në shumicën prej tyre trajtimi nga punëdhënësi i ngjan epokës së skllavopronarisë; punëtorët mbahen në punë pa kontrata, nuk u respektohet e drejta e pushimit, nuk u ofrohet siguria në vendin e punës, punojnë me orar të stërzgjatur dhe pa kompensim për orët shtesë etj. Si pasojë e papunësisë së madhe, për të ruajtur vendin e punës dhe një rrogë minimale këta punëtorë i durojnë të gjitha shkeljet që bëhen në kurriz të tyre.
Gjendja nuk është shumë e mirë as në sektorin publik edhe pse aty natyra e shkeljeve dallon nga ajo e sektorit privat të punësimit. Diskriminimet në administratën publike të Kosovës kryesisht bëhen në shkeljet e konkurseve duke punësuar individë në baza partiake, familjare, miqësie e interesi.
Edhe punëtorët e administratës publike u nënshtrohen presioneve të klaneve të ndryshme partiake dhe shkeljeve të llojllojshme, por edhe ata janë të detyruar të heshtin, sepse rrezikojnë humbjen e vendit të punës. Ka raste kur me ndërrimin e pushtetit në komuna, drejtues të ndërmarrjeve publike janë kushtëzuar të aderojnë në partinë në pushtet nëse duan të ruajnë postin.
Në raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2012 (raporti i vitit 2013 ende është në diskutim) thuhet se gjatë periudhës raportuese, në IAP janë paraqitur gjithsej 228 ankesa nga e drejta e punës dhe e ushtrimit të profesionit, prej të cilave janë hapur 59 raste hetimi. Ndërkohë janë regjistruar edhe 12 ankesa lidhur me moszbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (KPMK).
Në raport thuhet se në rastet e identifikuara dhe të trajtuara nga IAP, vërehet se ka një hezitim të përgjithshëm të institucioneve publike për zbatimin e vendimeve të KPMK. “Hezitimet në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me mosnjohjen e Ligjit për shërbimin civil dhe të kompetencave të KPMK-së. Herë-herë, vërehet po ashtu edhe një shpërfillje totale e KMPK-së, e ligjit në fuqi dhe e vetë Kushtetutës nga institucione të caktuara publike”, thuhet në raport.
Sindikatat në kurthin e politikës
Një Maji është dita kur në vendet e zhvilluara festohen vlerat historike dhe arritjet e organizatave sindikale në fushën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Është po ashtu dita kur sindikatat ritheksojnë përkushtimin ndaj organizimit të punëtorëve dhe përkrahjes së të drejtave të tyre për paga të dinjitetshme, për mbrojtje sociale, siguri, shëndet dhe vende pune të qëndrueshme.
Por këto vlera universale nuk vlejnë për organizatat sindikale në Kosovë. Sindikatat kosovare thuajse kanë harruar qëllimin e funksionimit të tyre. Udhëheqësit e tyre më shumë se për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, po luftojnë për mbrojtjen e vendit të tyre të punës, pagës së majme që marrin dhe benficioneve të tjera që u jep posti.
Shumica e punëtorëve kosovarë nuk e dinë saktë as kush janë udhëheqësit e tyre sindikalë, as si menaxhohen paratë që ata ndajnë çdo muaj në mbrojtje të drejtave të tyre.
Në Ditën Ndërkombëtare të Punës sindikatat e Kosovës as këtë vit nuk patën për çfarë të krenohen. Nëse e konsiderojnë sukses të vetin nënshkrimin e Kontratës kolektive apo rritjen simbolike të pagave, gabohen shumë. Ato nuk janë rezultat i presionit të tyre sindikal, por “vullnet” i Qeverisë dhe i kryeministrit aktual për të siguruar vota në prag zgjedhjesh.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura në Kosovë (BSPK), dikur organizatë që i kundërvihej një regjimi të paskrupullt, sot është kthyer në një institucion të përçarjes dhe flirtit me politikën. Në një vend si Kosova ku papunësia sipas statistikave arrin në 40 për qind dhe ku të drejtat e punëtorëve shkelen në çdo hap BSPK-ja dhe sindikatat e tjera e mbajnë nën kontroll shpërthimin social, duke mos ngritur zërin kundër politikave të Qeverisë dhe duke pranuar “kockën” që ua hedh kohë pas kohe kryeministri Thaçi me disa privilegje dhe me rritje simbolike pagash të shërbyesve civilë.
Në ditën kur edhe në vendet me të drejta më të avancuara të punëtorëve protestohet për kushte më të mira të punës, BSPK-ja nuk lëshon asnjë kumtesë proteste e lëre më të organizojë protesta në rrugë. Madje kreu i saj nuk i sheh protestat si zgjidhje të problemeve sociale.
Duke mos u angazhuar sinqerisht dhe duke minimizuar diskriminimin që u bëhet punëtorëve kosovarë sindikatat po ua mohojnë atyre të drejtën për të kërkuar edhe me protesta ngritje pagash dhe kushte më të mira të punës.
Me inercinë e tyre, sindikatat në Kosovë e kanë kthyer Një Majin në një festë shëtitjeje në natyrë të të rinjve të papunë, thuajse krejt punët janë në dyzen.
Sigurimi i kushteve të mira për punë nuk është privilegj, është e drejtë e pamohueshme e punëtorëve. Mbikëqyrja dhe lufta për realizimin e kësaj të drejte nga punëdhënësit është obligim i sindikatave.
Prandaj sindikatat kosovare duhet të dalin sa më shpejt nga kurthi i politikës, sepse kështu si funksionojnë sot më shumë do t’u ndihmonin punëtorëve sikur mos të ekzistonin fare.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...