Sigurimet e pasigurta shëndetësore

12 Qershor 2016 - 08:00 - Valbona Mehmeti      

Për gati dy dekada kosovarët po presin që shteti t’u bëjë një zgjidhje për shpenzimet e shumta në trajtimin e sëmundjeve dhe ofrimin e një kujdesi dinjitoz shëndetësor, që do ta ndalte sadopak edhe fluksin e qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në spitalet e shteteve fqinje, por edhe më larg. Për këto dhe shumë arsye të tjera krijimi i Fondit për sigurime shëndetësore është i mirëpritur

“Për ta bërë diçka mirë duhet bërë mirë që nga fillimi”, është motoja e një ndër grave më të fuqishme të politikës botërore, kancelares gjermane, Angela Merkel. Ndjekja e kësaj motoje i ka sjellë asaj shumë suksese si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme.

Nëse gjërat në fillim nisin mbrapsht, shumëçka mund të zhvillohet, por kurrë s’do të bëhet sërish mirë, citohet Merkel në librin biografik “Kancelarja dhe bota e saj” të gazetarit Stefan Cornelius.

Në shëndetësinë kosovare gjithçka nisi mbrapsht. Për 17 vjetët e pasluftës asnjë qeveri, asnjë parti që udhëhoqi shëndetësinë nuk qe në gjendje ose nuk deshi të vendosë rregull e rend në këtë dikaster që prek direkt jetën e qytetarit.

Dhe sikur të mos i mjaftonte kaosi i deritashëm dhe gjendja e rëndë, ku e ka katandisur shëndetësinë, Ministria e Shëndetësisë po planifikon t’i hyjë një aventure të re dhe të rrezikshme për xhepin e qytetarit – krijimin e Fondit për sigurime shëndetësore. E rrezikshme sepse po e nis një projekt mbrapsht, në stilin “po ia nisim, le të del ku të del”.

Sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen shëndetësore të qytetarit. Në vendet e zhvilluara ato janë prioritete të qeverive, sepse shpesh ndodh që partitë të vijnë në pushtet pikërisht nga votat e qytetarëve, të cilët parapëlqejnë ofertat e tyre për kujdesin shëndetësor.

Për partitë politike të Kosovës sigurimet shëndetësore nuk u bënë kurrë prioritet. Ato mbetën vetëm premtime elektorale dhe cilado parti që erdhi në pushtet e shfrytëzoi sistemin publik shëndetësor për ta mbushur jo me profesionistë, por me njerëz partiakë, nëpërmjet të cilëve keqpërdor tenderët e furnizimit të spitaleve me pajisje mjekësore dhe me barna. Shëndetësia, e sidomos sektori farmaceutik, u kthye në “minierë” për të mbushur xhepat e qeveritarëve dhe të kompanive farmaceutike të lidhura me ta. Kështu sistemin që do të duhej t’u ofronte qytetarëve shpresë dhe mirëqenie shëndetësore e kthyen në sistem të krimit.

Për gati dy dekada kosovarët po presin që shteti t’u bëjë një zgjidhje për shpenzimet e shumta në trajtimin e sëmundjeve dhe ofrimin e një kujdesi dinjitoz shëndetësor, që do ta ndalte sadopak edhe fluksin e qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në spitalet e shteteve fqinje, por edhe më larg. Për këto dhe shumë arsye të tjera krijimi i Fondit për sigurime shëndetësore është i mirëpritur. Por mënyra sesi zyrtarët shëndetësorë thonë se do të implementohet jo vetëm që nuk lë vend për t’u entuziazmuar, por vetëm sa e ngjall edhe më shumë frikën se do të vazhdojë avazi i njëjtë i neglizhencës së personelit mjekësor dhe keqpërdorimet e mëtejme me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Ministria e Shëndetësisë po përgatitet që ta fillojë projektin e sigurimeve muajin e ardhshëm, por në këtë proces ajo nuk është aspak transparente ndaj publikut. Ky projekt nuk është hedhur në diskutim publik dhe qytetarit nuk i është dhënë mundësia të shprehë pakënaqësinë apo pajtimin me të.

Sipas ekspertëve, por edhe të vet punëtorëve shëndetësorë, institucionet publike shëndetësore nuk janë të përgatitura për të zbatuar Ligjin për sigurimet shëndetësore.

Ata shprehin dyshime se projekti i sigurimeve shëndetësore ka mundësi të dështojë gjashtë muaj pasi të fillojë mbledhja e premiumeve, sepse Ministria e Shëndetësisë nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet për funksionim të mirëfilltë të sistemit shëndetësor. Komponentët që më së shumti rrezikojnë dështimin e këtij projekti, sipas tyre, janë: mungesa e sistemit informativ shëndetësor, çmimorja e shërbimeve, pakoja bazë e shërbimeve që do të ofrohen, mënyra sesi do të kontraktohen këto shërbime dhe mosinvestimi në përmirësimin e kushteve në spitalet publike.

Madje, ata thonë se kështu siç është projektuar ky sistem i sigurimeve shëndetësore shkon në dobi të sektorit privat dhe e dëmton atë publik.

Meqenëse Ligji i konsideron të barabarta institucionet publike dhe ato private shëndetësore dhe çmimet për shërbime dhe rimbursime planifikohen të jenë më të shtrenjta në sektorin publik, atëherë është e kuptueshme që qytetari do të zgjedhë të marrë shërbimin tek privatët, shkaku i kushteve më të mira e jo në spitalet publike, ku shpesh mungojnë edhe fashat e dorëzat sterile.

Por, problemet e vërteta të projektit të sigurimeve pritet të dalin me listat e ordinancave, spitaleve dhe barnatoreve private, që do të përzgjidhen për rimbursim të shërbimeve. Mbetet të shpresohet që kriter i përzgjedhjes të mos jetë ai institucion që paguan më shumë ryshfet apo ai që ka lidhje me zyrtarë të partive në pushtet.

Para disa vitesh i pata premtuar vetes se do ta votoja përjetë atë parti politike, atë ministër apo kryeministër që do ta vinte në binarë shëndetësinë e Kosovës. Gjasat për ta realizuar këtë premtim në një të ardhme të afërt po duken shumë të vogla. Jo me këtë sistem që i nis punët gjithmonë mbrapshtë.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...