Haxhi-turistët

26 Korrik 2015 - 08:07 - Valbona Mehmeti      

Pushimet e kosovarëve në bregdet më shumë i ngjajnë haxhillëkut: në të njëjtin vend, i njëjti ritual. I dallon vetëm qëllimi: të parët kryejnë një obligim fetar për të fituar kënaqësi në botën tjetër, të dytët përpiqen ta gjejnë atë në diell, ujë e zall...

Turistët zakonisht e kanë një mision në mendje kur udhëtojnë. Të shohin sa më shumë atraksione të vendit që e vizitojnë dhe t’i përjetësojnë kujtimet në fotografi. Ata kryesisht janë pasivë dhe presin t’u ndodhin gjëra gjatë udhëtimeve. Për dallim prej tyre udhëtarët janë aktivë. Ata duan jo vetëm t’i shohin, por edhe t’i eksplorojnë vendet që i vizitojnë, të njohin njerëz, të fitojnë përvoja të reja dhe ta përjetojnë plotësisht aventurën e udhëtimit, qoftë edhe në kushte e rrethana që e rrezikojnë jetën e tyre.

Shumica e kosovarëve nuk i kanë as tiparet e turistit e lëre më të udhëtarit. Emri që u shkon më përshtati është ashtu siç i quajnë në Shqipëri – pushues.

Pushues në zall me mbeturinat te koka, që vetëm rreshket në diell si peshku në skarë, herë nga njëra anë, herë nga tjetra dhe lahet në det. “Për qet ujë e për qet zall kemi ardhë, se për çka tjetër”, i dëgjon tek i thonë njëri-tjetrit në plazhe.

Pushimet në bregdet të shumicës së kosovarëve janë aq uniforme, sa ndodh që ata me vite pushojnë në të njëjtin vend, p.sh në Ulqin ose në Durrës. Ata madje nuk duan ta ndërrojnë as apartamentin ku rrinë gjatë pushimeve. “Nuk e ndrroj kurrë banesën. Pse me ndrru? Aty jam si në shpi teme. Veq e thërras shokin tem edhe i kallxoj që po vi”, thonë ata duke u krenuar se kanë zënë miqësi me të zotin e shtëpisë në bregdet.

Ka të atillë që u mbetet hatri që miku i tyre nikoqir nuk ua ka ruajtur edhe dhomën e preferuar. Ose shkojnë edhe më larg. Qesin kajde pse ua ka ndërruar ngjyrën e dhomës?! Vërejnë imtësi të kota, ndërsa nuk ankohen për mungesa elementare që e bëjnë një pushim të dinjitetshëm. Ndjenjën e të qenit si në shtëpi të vetën e plotësojnë edhe me gjësendet e ushqimet e shumta që sjellin nga shtëpia. Thuajse për ato dhjetë ditë të pushimit në det duhet patjetër gjithçka të jetë si në shtëpi. Sa u mungon shpirti aventuresk i udhëtarit!

Një ditë e kosovarëve në plazh si në “detin e Durrësit, si në atë të Ulqinit” është e njëjtë.

Vrap i mëngjesit për të zënë një çadër, ekspozim direkt në rreze edhe kur dielli arrin zenitin, muhabete me zë të lartë, përpjekje të vazhdueshme për të hyrë në bisedë dhe për të marrë vesh prej nga vjen pushuesi që ndodhet në shezlonget afër, konsumim petullash të fërguara në “fritezën mobile” afër bregut të detit, shtalba misri apo frutash të blera nga shitësi me gomar apo me karrocë dore. Rrallëkënd e sheh duke lexuar ndonjë libër e duke shikuar punët e veta.

Në plazhet e Ulqinit ende aplikohet rituali i “varrimit” në rërë për ta nxjerrë reumën nga trupi, sepse në det shkohet edhe “për ilaç”. Mjekët i konsiderojnë të rrezikshme për shëndetin këto “varrime”, por shqiptarët vështirë të ndërrojnë zakon.

Më të perënduar dielli pushuesit si në Ulqin, ashtu edhe në Durrës nisin ritualin e “haxhillëkut” dhe freskimit të trupit nga “zharitjet” e ditës. Të ndrequr e të pispillosur bëjnë xhiro të pakuptimta në shëtitoret që dikur i njihnim si korzo, e që përgjatë plazheve të bregdetit shqiptar viteve të fundit janë ndërtuar sipas të njëjtit model. I njëjtë është edhe modeli i shëtitjes në to edhe i xhingla-minglave që shiten përgjatë tyre.

Eh, kur mbaron “haxhillëku”, vrap te muzika. Patjetër tallava dhe patriotike. Se kosovarët edhe pushimet i bëjnë për patriotizëm. “Ma mirë i lëmë paratë te i joni”, thonë.

I lënë, sepse, e para, u kushton më lirë, dhe, e dyta, se për të bërë pushime në bregdete të tjera u duhen viza dhe pak më shumë pare e gjendja ekonomike nuk ua mundëson këtë luks shumicës.

Por nga mënyra sesi i bëjnë pushimet kosovarët nuk dalin edhe fort patriotë.

Edhe pse shkojnë me vite në një vend ata nuk kanë idenë se çfarë monumentesh apo atraksionesh kulturore dhe historike ka qyteti e rrethina ku pushojnë. E Shqipëria sidomos ka shumë të tilla.

Besoj se të paktë janë ata pushues shqiptarë që shkojnë ndoshta me dekada në Ulqin dhe e dinë për shembull se rreth 20 kilometra larg kësaj qyteze ndodhet Shasi, një lokalitet i bukur me gërmadha të lashtësisë ilire që dikur kishte 365 kisha.

Ashtu siç besoj se nuk e dinë as adhuruesit e pushimeve në Durrës, se në këtë qytet ndodhet amfiteatri i periudhës romake, ndër më të rëndësishmit në Ballkan, ku zhvilloheshin gara mes njerëzve dhe dyluftime mes kafshëve.

Edhe sikur të kenë vullnet për t’i vizituar këto antikitete këtë do të mund ta bëjnë vetëm individualisht, sepse institucionet përgjegjëse për turizmin në të dyja qytetet nuk u ofrojnë atyre vizita të organizuara me guidë.

Agjencitë e udhëtimeve nuk kanë oferta të tilla për pushuesit kosovarë, sepse nuk kanë as kërkesa. E tëra që u ofrojnë këto agjenci janë transporti me autobusë jo fort komodë në destinacione dhe shoqërimi me tingujt e muzikës së Medës apo Mentor Kurtishit.

Ofertat me guidë janë vetëm për turistët dhe udhëtarët e huaj, të cilët bëjnë pushime të planifikuara dhe duan që asnjë ditë e pushimit të tyre të mos jetë e njëjtë, por të ketë përmbajtje të ndryshme me plot aventurë e njohje të çdo atraksioni të vendit që e vizitojnë.

Pushimet e paorganizuara dhe pa agjendë që i bëjnë shumica e shqiptarëve nga të gjitha trevat etnike, ekspertët e turizmit i kanë cilësuar si mjaft primitive, të ngjashme me fillet e turizmit evropian pas Luftës së Dytë Botërore.

Faji, sipas tyre, është i dyanshëm: edhe i institucioneve të turizmit për mungesë kontrolli dhe oferte, edhe i pushuesve për mungesë interesimi dhe kërkese për ngritjen e standardeve.

Fatmirësisht natyra u ka dhuruar shumë bukuri viseve shqiptare dhe historia e bujshme u ka lënë shumë trashëgimi.

Janë të huajt ata që në njëfarë mënyre i kanë njoftuar me to dhe i kanë vetëdijesuar shqiptarët si këndej, si andej kufirit për rëndësinë e ruajtjes, shfrytëzimit dhe promovimit të pasurive natyrore dhe të monumenteve historike dhe kulturore.

Në kuadër të fushatës “Turizmi i së nesërmes” me përkrahjen e Qeverisë gjermane para disa vjetësh ka filluar një iniciativë e përbashkët e organizatave lokale dhe turistike të tri shteteve: Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi e quajtur “The Peaks of Ballkans” (Majat e Ballkanit). Si rezultat i saj sot janë të identifikuara shtigjet që lidhin trekëndëshin e Bjeshkëve të Nemuna, gjë që u ndihmon edhe vendorëve, edhe të huajve të shijojnë sa më lehtë bukuritë e Alpeve shqiptare.

Ka edhe plot shembuj të tjerë, që me iniciativën dhe ndihmën e fondeve të huaja janë restauruar e janë promovuar vlerat tona kulturore, duke i kthyer edhe në pika të leverdishme turistike.

Por fatkeqësisht këto bukuri më shumë po i shijojnë të huajt sesa shqiptarët. Ndoshta edhe për mungesë të kulturës turistike.

Edhe sivjet në pikat turistike të rivierës jugore të Shqipërisë, nëpër kala e gërmadha antike, më shumë shiheshin turistë të huaj sesa shqiptarë.

Qeveria shqiptare u ka bërë thirrje kosovarëve që të përpiqen të bëjnë pushime sa më aktive në bregdetin shqiptar, duke kombinuar të shijuarit e plazhit me vizita në zona arkeologjike dhe malore.

Do të ishte mirë që sa më shpejt të fillojnë me praktika të tilla. Kjo jo vetëm për të kënaqur sytë, por edhe për të njohur sa më mirë historinë dhe kulturën e bashkëkombësve, nga njohja e të cilave kanë qenë të privuar me dekada.

Nëse jo udhëtarë, pushuesit shqiptarë do të duhej të bënin përpjekje të bëhen bile turistë. Të provojnë të ndryshojnë rutinën e pushimit, duke vizituar vende të reja dhe të eksplorojnë më shumë pasuritë natyrore dhe arkeologjike si të Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës. Kështu jo vetëm se do të pasuronin shpirtin dhe mendjen e tyre, por do ta njihnin më mirë edhe botën e mrekullueshme që i rrethon. Këto nuk mund t’ua ofrojë dielli, uji e zalli…

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...