10 Korrik 2016 - 08:00 - Valbona Mehmeti
“Mos u afro se të ngreh plaku i bunarit”, “Mos u afro te lumi se të han uji”, “Mos e prek se xhixha-buba”, “Mos bë sherr se të han bubazheli”. Shumica e fëmijëve shqiptarë janë rritur duke dëgjuar udhëzime të tilla nga prindërit dhe të afërmit në fëmijërinë e tyre të hershme. Kërcënimi se mund të pësojnë nga qenie të frikshme të imagjinuara apo reale me siguri se ndikon që fëmijët të bëhen më vigjilentë dhe më të kujdesshëm ndaj rreziqeve të jashtme. Frika nga e panjohura gjithmonë të zmbrapsë.
Kultura e frikësimit si metodë edukimi është e rrënjësor thellë në kulturën dhe vetëdijen e shqiptarëve. Albanologu rus, Alexander Novik, në një studim për shqiptarët e zhvendosur nga Ballkani në fshatra të territorit të ish-republikave sovjetike, Moldavi, Ukrainë e Rusi, shkruan se edhe dyqind vjet pas zhvendosjes në këto troje shqiptarët kanë ruajtur gjuhën dhe elemente të kulturës tradicionale. Ndër to edhe kulturën e frikësimit të fëmijëve si masë mbrojtëse. “Ka me ardhë rusi me të marrë”, i frikësonin fëmijët gratë shqiptare në rajonin Azovi të Ukrainës. Kjo për shkak të hendekut të thellë në komunikim të shqiptarëve të ardhur me zyrtarët vendorë rusë.
Në kohët kur shumica e popullatës shqiptare në Kosovë ishte e paarsimuar, kishte vetëdije të ulët të edukimit të shëndoshë të fëmijëve, shqiptarët nuk kishin në dorë institucione arsimore dhe shtetërore, frikësimi si masë mbrojtëse nga rreziku mund edhe të arsyetohet, me gjithë pasojat që lë në personalitetin e njeriut.
Fatkeqësisht, kultura e frikësimit po mbetet ndër masat e vetme mbrojtëse të fëmijëve edhe në ditët e sotme, kur Kosova është bërë shtet dhe shqiptarët kanë ndërtuar dhe udhëheqin institucionet që do të duhej të kujdeseshin për sigurinë publike të qytetarit e në veçanti të fëmijëve. Kjo, sepse këto institucione nuk po e kryejnë detyrën si duhet.
Brenda tri javësh tre fëmijë kanë humbur jetën në Kosovë si pasojë e neglizhencës së institucioneve përgjegjëse për të krijuar ambient të sigurt për ta. Me gjithë rrezikun e paralajmëruar nga mediat dhe organizatat joqeveritare për mundësinë e shembjes së objekteve të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, autoritetet komunale nuk kanë marrë kurrfarë masash për të siguruar qytetarët. Neglizhencën e tyre e ka paguar me jetë një vajzë 3-vjeçare, që së bashku me nënën dhe motrën, për shkak të mungesës së kulmit mbi krye, kishin gjetur strehë në shtëpinë ku e gjeti vdekja.
Për tre vjet ka mbetur hapur një gropë ku kanë gërmuar kompani ndërtimi me qëllime përfitimi në lagjen “Kolovicë” të Prishtinës. Zyrtarët komunalë kanë injoruar ankesat dhe thirrjet e banorëve për mbylljen e saj. Ajo u mbyll vetëm pasi aty u shuan dy jetë të njoma.
Vdekje të njëpasnjëshme tragjike të fëmijëve kanë ndodhur në fshatra e qytete të Kosovës pikërisht nga mungesa e masave preventive të shtetit. Dy vajza janë shkelur nga treni në Drenas, disa fëmijë kanë humbur jetën nëpër kanale e lumenj për shkak të mungesës së rrethojave mbrojtëse, thuajse çdo vit ndodh që një fëmijë të shqyhet nga llava e qenve endacakë, të cilëve nuk po janë në gjendje t’u gjejnë çare pushtetet lokale nëpër komuna. Të mos flasim për aksidentet e panumërta në komunikacion si pasojë e ngasësve të pandërgjegjshëm dhe mungesës së trotuareve, nënkalimeve e mbikalimeve për qarkullim të lirshëm të fëmijëve gjersa shkojnë në shkollë.
Vdekjet aksidentale ndodhin kudo në botë. Por për vdekjet si pasojë e neglizhencës institucionale e besa edhe familjare, në vendet e zhvilluara me institucione të përgjegjshme ndëshkohen edhe zyrtarët përgjegjës, edhe prindërit apo kujdestarët e fëmijëve.
Por jeta në Kosovë sot kushton shumë lirë. Për rastet e lartpërmendura të vdekjeve të fëmijëve askush nuk ka dhënë përgjegjësi.
Institucionet nuk kanë asnjë raport përmbledhës për numrin e vdekjeve tragjike të fëmijëve si pasojë e neglizhencës institucionale e as për shkaktarët e këtyre vdekjeve. Policia nuk ka qenë në gjendje t’i ofrojë gazetës shifra të sakta të këtyre rasteve. Prokuroria dhe gjykata nuk kanë të dhëna për raste të iniciuara apo të gjykuara rreth këtyre vdekjeve.
Më e rënda mbi të gjitha është mungesa e reagimit të fuqishëm qytetar. Një protestë e organizuar nga shoqëria civile për vdekjen e vajzës në Prizren nuk arriti të mbledhë as njëqind veta.
Qytetarëve të këtij vendi definitivisht u është topitur truri dhe u është shuar çdo ndjenjë rebelimi. Ashtu siç nuk protestojnë masivisht për shumë padrejtësi sociale, moszhvillim ekonomik, papunësi e hajni që bëhet në emër të tyre, nuk reaguan as nuk i kërkuan llogari shtetit për humbjen e jetës së tre fëmijëve të pafajshëm.
Njeriu nuk mund t’ia ndalë vdekjen njeriut. Por, mund t’ia parandalojë kur ka mundësi dhe mjete ta bëjë. Sikur institucionet të reagonin me kohë në marrjen e masave mbrojtëse, në të dyja rastet e fundit fëmijët do t’i shpëtonin vdekjes.
Por, shqiptarëve duket se u pëlqen të jetojnë duke e injoruar rrezikun. Presin që për hapësirat publike në lagjet e tyre të kujdeset vetëm shteti. Nuk marrin asnjë iniciativë që ta përmirësojnë sigurinë publike, në radhë të parë për veten e pastaj edhe për bashkëqytetarët. Sikur banorët e “Kolovicës” të reagonin më fuqishëm apo të ndërmerrnin vetë iniciativë për të mbyllur apo për të rrethuar gropën, dy fëmijët e lagjes së tyre do të ishin ende gjallë.
Shumë fëmijë humbin jetën në aksidente trafiku për shkak se prindërit nuk u lidhin rripin e sigurisë apo nuk i vendosin foshnjat në ulëset e posaçme për ta. Gjersa në Perëndim për veprime të tilla shoferët gjobiten rëndë, Policia e Kosovës vetëm ua tërheq vërejtjen prindit, kur e ndalon për shkelje të rregullave të tjera të komunikacionit.
Për shkak se shteti nuk ndërmerr masa të rrepta ligjore për sigurinë e fëmijëve edhe nëpër shtëpitë ku jetojnë, prindërit shqiptarë i lënë fëmijët e tyre “në dorë të Zotit”. Ata i lënë vetëm në shtëpi edhe fëmijë të moshës 7-8 vjeç, të cilët mund t’u ekspozohen rreziqeve të ndryshme qoftë nga kureshtja, qoftë nga paaftësia e tyre e perceptimit. Në shtetet perëndimore ligji është i pamëshirshëm për prindër të tillë. Madje mund t’ua marrë edhe të drejtën e kujdestarisë.
Në epokën e high-techut dhe të superheronjve të animuar fëmijët nuk mund të mbrohen nga rreziku me metoda frikësimi dhe me mbështetje në një fuqi të mbinatyrshme. Detyrë e shtetit të Kosovës tani është që atyre t’ua heqë frikën. Bashkë me rrezikun.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...