Lexo për një botë ndryshe

31 Maj 2015 - 08:08 - Valbona Mehmeti      

“Ka shumë rrugë të vogla që e hapin botën e fëmijës suaj. Dashuria ndaj librit është më e mira”, Jacqueline Kennedy Onassis

Nxënës e parashkollorë do të mblidhen sot e nesër në sheshin e kryeqytetit dhe me libra para vetes do të përcjellin leximin e ndonjë përralle, fabule apo tregimi nga të rriturit, kryesisht personalitete të njohura të sferave të ndryshme. Në formë të lojës dhe argëtimit, për disa çaste ata do të futen në botën e pasur të librit dhe do të shijojnë bukurinë e të lexuarit shqip.

Fushata “Prishtina lexon” ka për synim që t’i afrojë me librin dhe të kultivojë tek vogëlushët shprehinë e të lexuarit, si një ndër mënyrat më të mira të nxitjes së imagjinatës dhe kreativitetit. Fëmijët do të kënaqen, e bashkë me ta edhe prindërit që për pak kohë do t’iu përkushtohen zhvillimit mendor e shpirtëror të fëmijëve të tyre. Të kënaqur do të jenë edhe zyrtarët komunalë si organizatorë, që për dy ditë krijuan një imazh se janë të përkushtuar në ngritjen e vetëdijes qytetare për rëndësinë e të lexuarit dhe se banorët e kryeqytetit të ri nuk janë prapa metropoleve.

Nismat e tilla sado simbolike qofshin duhen përshëndetur. Por sa bëjnë punë fushata të tilla dyditore, një herë në vit. Në rrethanat dhe sistemin që arsimon fëmijët kosovarë ato janë një pikë në det.

Prindërit luajnë rol të rëndësishëm në edukimin dhe kultivimin e shprehisë për të lexuar tek fëmijët. Në Kosovë po vërehet një tendencë e shtuar e prindërve të rinj dhe të shkolluar që të inkurajojnë fëmijët parashkollorë duke u lexuar atyre tregime e përralla të autorëve kryesisht të huaj, para se t’i vënë në gjumë. Gjithçka në rregull derisa këta fëmijë nuk nisin shkollën.

Institucioni arsimor është faktori i dytë që do të duhej të ndikonte në nxitjen e dëshirës së fëmijës për të lexuar literaturë jashtë planprogramit të paraparë mësimor.

Por në vend se ta zbusë problemin e moslexueshmërisë, sistemi kosovar i arsimit e mbyt edhe atë pak dëshirë të nxitur tek fëmija nga prindi. Duke eksperimentuar me metodat e mësimdhënies dhe mësimnxënies, shkollat tona nuk po arrijnë të zhvillojnë mendimin kritik dhe të pavarur tek nxënësit dhe as të stimulojnë tek ta kreativitetin. Si mund të zhvillohet imagjinata e një fëmije që sot u ekspozohet zhvillimeve marramendëse të teknologjisë së komunikimit vizual me lektura dhe revista demode të kohës së socializmit?!

Programi i lekturës në shkollat kosovare është ai i para 30 vitesh, pa asnjë ndryshim. Edhe sikur të kishte vullnet e iniciativë për të bërë ndryshime, oferta e librave për fëmijë nga shtëpitë botuese është e varfër. Sepse letërsia kosovare për fëmijë, sipas atyre pak krijuesve të saj, është në rrugën e shuarjes.

Për të mbajtur sadopak fëmijën afër librit zgjedhja e vetme që u mbetet prindërve janë librat e autorëve të huaj. Përkthimi i tyre lë shumë për të dëshiruar, por megjithatë ato përmbajnë pak aventurë dhe fantazi që cyt leximin.

Si mund të nxitet leximi kur nxënësve në shkolla vazhdon t’u ofrohet revista mbi 50-vjeçare “Pionieri” me po të njëjtin dizajn dhe përmbajtje që u është ofruar edhe prindërve të tyre. Arsimtarë të gjuhës shqipe, që nuk i përcjellin fare trendët e kohës i obligojnë nxënësit e klasave të teta të fillores të paguajnë edhe për të ashtuquajturën revistë “Zog mëngjesi”. Vetëm emri i saj mund ta bëjë të qeshë një 15-vjeçar e lëre më kur i shfleton faqet me poezi e tregime që nuk përkojnë fare me moshën dhe interesimet e tyre. Dizajni i saj aspak atraktiv dhe ilustrimet amatore e bëjnë edhe më dëbuese për adoleshentët.

Gjersa fëmijëve tanë u shtohen gjithnjë e më shumë mundësitë e argëtimit dhe marrjes së informacionit nga bota e internetit, lekturat dhe revistat me përmbajtje të varfra, ideologjike, të pakuptimta e shpesh me gabime faktike, vetëm sa i kthejnë prapa dhe ua shuajnë atyre kureshtjen dhe dëshirën për të pasuruar fjalorin, drejtshkrimin dhe botën e tyre të brendshme nëpërmjet leximit.

Kështu, fëmijët mbeten në mëshirën e “terrorit” gjuhësor të rrjeteve sociale, duke e sakatosur gjithnjë e më shumë gjuhën e shkruar dhe duke e varfëruar edhe më tej atë të folur. Mund të na ngushëllojë fakti se bastardimi i gjuhës tash është bërë problem për të gjithë popujt shkaku i përdorimit të telefonave të mençur dhe tableteve.

Digjitalizimi dhe avancimi i mjeteve të komunikimit po e mbyt lexuesin klasik kudo në botë. Megjithatë, në rrugët e metropoleve botërore, në trena e tramvaje ende shihen të rinj që bartin nën sqetull një libër që e hapin dhe e lexojnë qoftë edhe për disa minuta udhëtimi. Pamje të tilla nuk shihen kurrë në Kosovë.

Gjersa në shtetet e zhvilluara moslexueshmëria u kompensohet fëmijëve dhe të rinjve me programe të avancuara arsimimi, në Kosovë situata është e pashpresë, sepse sistemi i saj arsimor ka degraduar aq shumë sa të nxisë dilema nëse më shumë po u sjell dëme sesa dobi shkollarëve.

Leximi i paktë i rinisë kosovare ose thënë më mirë mosleximi as i librave, as i gazetave, pastaj mungesa e debatit fillimisht brenda familjes e më pas në shkollë e shoqëri, po krijon breza të paaftë për të formuluar e shprehur qartë mendimet dhe ndjenjat si privatisht ashtu edhe në publik.

Dobitë dhe përparësitë nga të lexuarit, sipas psikologëve, janë të shumëfishta. Studimet kanë dëshmuar se të lexuarit rregullisht stimulon mendjen, zvogëlon stresin, pasuron fjalorin, përmirëson mbamendjen, përforcon aftësitë analitike, shton përqendrimin, hap mendjen për gjërat që na rrethojnë. Thjesht, të lexuarit i bën njerëzit më të mençur dhe më atraktivë si për t’u shoqëruar ashtu edhe për t’u dashuruar.

Prandaj, ju të rinj që birrni kohën kot kafeneve apo në rrjetet sociale, investoni në veten tuaj duke lexuar, qoftë edhe për të tërhequr vëmendjen e atyre që dashuroni. Ndani pak kohë e para dhe vizitojeni Panairin e Librit që hapet këto ditë në Prishtinë. Bëjani vetes apo dikujt që pëlqeni një libër dhuratë. Kushedi mund të jetë fillim i një miqësie të përjetshme.

Panairin vizitojeni edhe ju prindër që synoni të brumosni një personalitet të shëndoshë dhe intelektual tek fëmijët tuaj. Merrini me vete edhe ata. Le të përzgjedhin vetë librat që dëshirojnë t’i lexojnë. Kështu do të ushqeni tek ta dashurinë për librin dhe të lexuarit.

Mos prisni nga pushtete hajdutësh e të padijshmish të zhvillojnë politika shtetërore që hapin botën e fëmijëve. Investoni sa më shumë në zhvillimin e tyre shpirtëror dhe mendor që nesër të bëhen qytetarë të ndershëm që do t’i kontribuojnë vendit dhe do t’iu kërkojnë përgjegjësi atyre që po ua mbyllin dyert e së ardhmes. Një libër i lexuar hap shumë dyer.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.  

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...