Liberland komunat

3 Maj 2015 - 08:08 - Valbona Mehmeti      

Sikurse Liberlandi, edhe komunat e reja të premtuara nga Thaçi vazhdojnë të mbesin vetëm në letër. Për dallim prej tyre, Liberlandi ka arritur të bëhet atraksion turistik dhe të shënohet qoftë edhe vetëm virtualisht në hartën e botës. Fshatrat pretendente për komuna duhet të presin zgjedhjet e reja që politikanëve t’u bjerë ndërmend për to

Liberland është mikroshteti më i ri në botë. Ka sipërfaqe prej 7 kilometrash katrorë dhe ndodhet në tokën e askujt, ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë. Themeluesi i tij, politikani konservativ çek anti-BE, Vit Jedlicka, e nguli aty shtizën me flamurin e dizajnuar dhe e shpalli pavarësinë e shtetit, më 13 prill të këtij viti.

Motoja e shtetit të tij është: “Të jetosh dhe t’i lësh të tjerët të jetojnë”. Më 1 maj ai e shpalli Ditën e çlirimit në tokën malore dhe pa banorë. Më shumë se 100 persona këtë ditë kanë shkuar ta vizitojnë Liberlandin. Rreth 300 mijë qytetarë nga mbarë bota kanë aplikuar për shtetësinë e shtetit fiktiv.

Themeluesi thotë se Liberlandi nuk është ndonjë rreng, por një propozim serioz i bazuar në faktin se kjo copë toke është e askujt dhe mbi të nuk ushtron pushtet askush. “Kjo shpallje është për të kufizuar fuqitë e shtetit. Qeveritë janë forcuar aq shumë, sistemi është i pamoralshëm. Duke e parë të pamundshme për t’i ndryshuar gjërat nga brenda, do të përpiqemi t’i ndryshojmë nga jashtë”, ka thënë presidenti i mikroshtetit më të ri, pavarësinë e të cilit nuk e ka njohur ende asnjë vend. Shpallja e tij ka bazë të paqartë ligjore dhe kushtetuese, për dallim nga shteti më i ri në Evropë, Kosova.

Legjitimiteti i Kosovës është njohur ndërkombëtarisht, por vendi ka problem me legjitimitetin dhe besueshmërinë e politikanëve të saj në pushtet. Pafytyrësia dhe mashtrimet që ua bëjnë ata qytetarëve dalin në pah më së shumti gjatë fushatave elektorale, kur bëjnë premtime të parealizueshme. Në këtë rrafsh prin lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili për tetë vjet ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.

Në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve komunale në vitin 2013, nga posti i kryeministrit Thaçi ua “plotësonte” dëshirat qytetarëve sikur të kishte një shkop magjik në xhep. Duke shkuar derë më derë u “shpërndante” atyre miliona në këmbim të votës për kandidatët e PDK-së, u premtonte investime, vende pune, rritje pagash, çfarëdo që i binte në mend. Pa u lodhur nëse premtimet e tij ishin të realizueshme apo jo. Sepse Thaçi me mendjen e tij finoke e dinte nga përvoja e zgjedhjeve të mëhershme se këtë popull të zhytur në mjerim social, ekonomik e politik mund ta gënjesh çfarë të duash dhe kurrë të mos i japësh llogari për premtimet e papërmbushura. Prandaj pse mos t’u bëheshin edhe premtime fare pa bazë ligjore për t’u realizuar. I tillë ishte premtimi për t’iu dhënë disa fshatrave statusin e komunave.

Gjatë fushatës të cilën Thaçi si kryeministër e filloi si zakonisht para kohës së paraparë me ligj, duke i shfrytëzuar paratë e buxhetit të shtetit për të lobuar për partinë e vet, ishte zotuar para banorëve të Rogovës, Gjonajt dhe Zhegrës se nuk do të ketë fuqi politike që do të mund ta pengojë formimin e këtyre komunave. Qeveria e tij madje kishte sjellë edhe vendime për themelimin e këtyre komunave të reja. Krejt kjo kishte ndodhur pak muaj para datës së zgjedhjeve. Qytetarët e gjorë i kishin besuar dhe partia e Thaçit kishte arritur të mbetej në pushtet, për shembull në Prizren, edhe falë votës së tyre.

Që nga fushata kanë kaluar gati dy vjet, por rajoni i Hasit me Rogovën e Gjonajn dhe Zhegrën e Gjilanit vazhdojnë të mbajnë statusin e fshatrave. Sepse vendimi i Thaçit për to ishte vendim i ngutshëm dhe i paanalizuar, që kishte për qëllim përfitimin e votave e jo përmirësimin e kushteve dhe jetës së qytetarëve në këto fshatra. Jetësimi i vendimeve për themelimin e komunave të reja është ligjërisht i pamundshëm. Për t’u realizuar duhet të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për kufijtë administrativë.

Me gjithë se e dinte këtë fakt, edhe në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, Thaçi vazhdoi t’u premtojë banorëve të disa fshatrave e lagjeve se do t’ua kthejë vendbanimet në komuna. Banorëve të Kijevës, që administrohet nga Komuna e Malishevës, Thaçi ua kishte bërë punë të kryer themelimin e komunës. Ai madje kishte thënë se “Komuna e Kijevës dhe funksionimi i saj do të jenë model për komunat e reja të Kosovës”.

Thaçi tani po e shijon më shumë pushtetin si ministër i Jashtëm dhe “nuk po ka kohë” të merret me çikërrima elektorale. Si për shumë premtime të papërmbushura, ia ka lënë në dorë pataten e nxehtë kryeministrit Isa Mustafa. Në Qeveri thonë se në programin legjislativ për vitin 2015 është paraparë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit aktual për kufijtë administrativë me qëllim të rregullimit ligjor të hollësishëm të procedurave dhe kritereve për themelimin e komunave të reja. Edhe sikur të bëheshin ndryshimet ligjore sivjet, zbatimi i tyre merr kohë sepse janë disa kritere që duhet plotësuar.

Deri më tani kërkesa që të kthehen në komuna kanë bërë: Zhegra, Hasi, Gjonaj, Kijeva, Komorani, Rugova e Pejës, si dhe Hogoshti i Kamenicës. Banorët e këtyre fshatrave shpresojnë se duke u bërë komuna do të mund të përfitojnë investime, do të zvogëlohej numri i banorëve që ikin dhe se nuk do të humbnin kohë për të marrë shërbimet civile në komunat nga të cilat administrohen aktualisht.

Por, nga mënyra e funksionimit të komunave të reja të themeluara me planin e Ahtisaarit, ashtu si edhe të komunave të kamotshme, pritjet e tyre nuk do të duhej të ishin shumë të mëdha.

Një raport i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për funksionimin e të gjitha komunave të Kosovës për vitin 2014 tregon për një performancë jo të kënaqshme të ofrimit të shërbimeve komunale për qytetarët. Në media vazhdimisht raportohet për keqmenaxhim buxhetesh, korrupsion dhe nepotizëm në administratë, arsim e shëndetësi pothuajse në të gjitha komunat. Investimet kapitale janë të pavërejtshme me gjithë ndërrimin e pushteteve në disa prej tyre. Kompetencat e komunave janë të kufizuara, për çështje madhore ato janë të varura nga pushteti qendror. Për më tepër, shkëputja e fshatrave të mëdha do t’ua prishte edhe më shumë hesapet buxhetore komunave administruese.

Sikurse Liberlandi, edhe komunat e reja të premtuara nga Thaçi vazhdojnë të mbesin vetëm në letër. Për dallim prej tyre, Liberlandi ka arritur të bëhet atraksion turistik dhe të shënohet qoftë edhe vetëm virtualisht në hartën e botës. Themelimi i tij e ka arritur synimin për të përçuar mesazhe politike.
Fshatrat kosovare, pretendente për komuna, mund të mbesin me statusin e njëjtë deri në zgjedhjet e ardhshme. Vetëm atëherë vëmendja e politikanëve do të kthehet tek to. Sepse synimi për themelimin e tyre ka qenë dhe do të mbetet për përfitime politike.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...