“Drejtësia” e Babës

8 Mars 2015 - 08:00 - Valbona Mehmeti      

Edhe katër muaj Babës do t’i skadojë mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Këtë kohë Baba pritet ta shfrytëzojë që t’ia gjejë vetes postin e radhës. Sepse ambiciet e tij gjithmonë kanë synuar vetëm poste të larta të shtetit. Dhe për t’i arritur ato nuk ka ngurruar të shfrytëzojë qoftë Kanunin, qoftë ndërskamcat politike e juridike

“Baba ka tagër... Mbi jetë e mbi gjallnim të të bijve, me rrahë, me lidhë, me burgosë a edhe me vra të birin e të bin... kanuja s’i lypë arsye, edhe ia xen se vret vedin: ‘Kush vret vedin shkon gjak-hupës...’”

Kështu i përmbledh Kanuni i Lekë Dukagjinit në kapitullin “Prindja” rolin dhe statusin e babait në shoqërinë shqiptare të mesjetës.

Kanuni ka shërbyer me qindra vjet si një kod moral në mungesë të ndonjë sistemi shoqëror të funksionimit. Për të huajt, Kanuni është praktikë unike e kulturës shqiptare.

Pesëqind vjet pas, me gjithë ekzistimin e ligjeve dhe të një rendi shoqëror, në Kosovë vazhdon të jetojë figura e babait të Kanunit.

Për rastësi fatkeqe të shoqërisë, këtë figurë më së miri e mban gjallë i vetëquajturi Babë i themelit të Republikës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

I vendosur në krye të institucionit që ka për detyrë të mbrojë aktin më të lartë juridik, Baba sillet me shtetin sipas tagrit të përcaktuar nga Kanuni. “Mat e pret” sipas kutit të vet, duke i kthyer “bijtë e bijat” e veta në errësirën e mesjetës.

Baba ka kryer shkollë për të zbatuar dhe interpretuar drejt ligjet përparimtare të botës. Por ato i interpreton sipas dëshirës dhe kërkesave politike të kohës. Sepse Baba do që me çdo kusht të mbajë dizgjinët e lojës dhe shantazhit me udhëheqës të politikës dhe të gjyqësisë. Këtë mund ta arrijë vetëm duke i shfrytëzuar privilegjet që ia jep Kanuni.

Pse të mos e zbatojë Kanunin Baba, kur askush nuk i kërkon llogari e përgjegjësi për veprimet. Ata që do të duhej ta bënin këtë, janë pjesë e një rrjeti oportunistësh që Baba e ka ndërtuar me vite në gjyqësi dhe në politikë. Partive në pushtet u konvenon që ai të jetë aty ku është, për t’ua realizuar apetitet e tyre politike sipas nevojës. Ashtu siç veproi vitin e kaluar në rastin e zgjedhjeve kur vendosi ta bllokonte për gjashtë muaj jetën institucionale në favor të partisë që e ka sjellë në pushtet.

Aktualisht Baba po e mban peng zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit, sepse kështu i ka direktivat. Ta zvarrisë sa të mundet dekretimin e të përzgjedhurit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, derisa të krijojë rrethanat për sjelljen në krye të organit më të lartë të akuzës njeriun e përshtatshëm për pushtetin. Babës i “frikësohet” madje edhe presidentja e Republikës. Ajo nuk guxon të ndërmarrë asnjë veprim pa e kërkuar “aminin” e tij. Kështu po vepron edhe me mosdekretimin e kryeprokurorit. Sepse tashmë i ka dërguar sinjale kërcënuese që një gabim, të cilin ai do ta interpretonte kundërkushtetues, asaj do të mund t’i kushtonte me humbjen e të gjitha beneficioneve që ia ofron posti i fituar dhuratë.

Aq shumë fuqi ka fituar Baba, sa tashmë edhe manipulimet i ka shumë transparente. Ai i shfrytëzon me dinakëri zbrazëtitë ligjore në marrjen e vendimeve që i sjellin përfitime politikës së kriminalizuar.

Megjithëse ka për detyrë të mbrojë Kushtetutën nga shkeljet, Baba bëhet vetë shkelës i saj. Sepse, Kushtetuta është ai vetë.

S’ka kush as t’ia gjykojë shkeljet. Njerëz të caktuar të gjyqësorit le që nuk i kanë trajtuar me vite, por edhe i kanë fshehur dosjet dhe akuzat kundër tij.

Në sirtarët e Prokurorisë qëndrojnë katër kallëzime penale kundër Babës, të gjitha me akuzat për falsifikim dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Së fundi Baba ka marrë një “goditje” nga Avokati i Popullit. Ai po dyshon se Baba ka bërë falsifikim të aktvendimit për lëndën e Avokatit të Popullit rreth mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, të vazhduar nga presidentja.

Një xixë shprese se Baba një ditë mund të japë llogari para drejtësisë e ka ndezur Prokuroria kur ka njoftuar se ka nisur një hetim preliminar për dyshimet e ngritura nga Avokati i Popullit.

Para se të niste ky hetim, si zakonisht Baba as që lodhej të shpjegonte në opinion të vërtetën rreth pretendimeve të Avokatit. Reagimi i shpejtë i tij pas këtij njoftimi dhe një sqarim jo fort i qartë rreth asaj që ka ndodhur, lënë për të dyshuar se ai mund të jetë i përfshirë edhe në një vepër penale.

Në shpjegimin e detyrave të babës në Kanun thuhet: “Baba asht në detyrë m’u rrekë për të mirë të të bijve si kah ndera, si kah pasunija”.

Sa dëshpëruese do të duhej të ishte për një fëmijë kur e kupton se babai i tij nuk është ai gardiani ideal i familjes, por një shpërdorues i detyrës dhe i parave të popullit.

Por “bijtë e bijat” e Babës së Republikës as nuk do t’i dëshpëronte as s’do t’i pikëllonte lajmi i tillë. Ata qëmoti janë zhgënjyer me “baballarët” e shtetit, që po ua fundosin çdo ditë e më shumë ëndrrat për një të ardhme më të mirë.

Dyert e së ardhmes së këtij vendi nuk hapen me njerëz si Baba, që e interpretojnë ligjin sipas dëshirës. As me verbalizmin bosh politik të qeveritarëve dhe me qëndrimin pasiv juridik të përgjegjësve të drejtësisë. As me Kanunin e mykur. Hapen me interpretim dhe zbatim të drejtë të ligjit nga të gjitha instancat e shtetit.

Pavarësisht se drejtësia ende nuk ia ka vërtetuar akuzat për shkelje ligji, Baba nuk ka më kredibilitet të udhëheqë me institucionin që e mbron Kushtetutën. Për hir të mosdëmtimit të mëtejmë të vlerave të shtetit, ai duhet të japë dorëheqjen ose të shkarkohet. Dorëheqjen po ia kërkojnë edhe partitë opozitare, por bazuar në veprimet e tij të deritashme, dorëheqja zor të jetë opsion i Babës.

Edhe katër muaj atij do t’i skadojë mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Këtë kohë Baba pritet ta shfrytëzojë që t’ia gjejë vetes postin e radhës. Sepse ambiciet e tij gjithmonë kanë synuar vetëm poste të larta të shtetit. Dhe për t’i arritur ato, nuk ka ngurruar të shfrytëzojë qoftë Kanunin, qoftë ndërskamcat politike e juridike.

Vetëm një gjë e dallon Babën e Republikës sonë nga babai i Kanunit. Ai mund edhe t’i “vrasë” me ligje “bijtë e bijat” e veta dhe të mos shkojë “gjakhupës”. Gjersa atij do t’i lejohet të vazhdojë lojërat e ndyta me institucionet tona, “gjakhupës” do të jemi vetëm ne njerëzit e këtij vendi.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...