Nën kontroll total

6 Dhjetor 2015 - 08:00 - Valbona Mehmeti      

Mustafa e Thaçi vazhdojnë ndarjen e posteve publike në stilin “një nga partia jote, një nga e imja”. S’lan institucion dhe ndërmarrje publike pa e futur nën kontroll partiak. Po luajnë si po duan me institucionet dhe paratë e qytetarëve. Të vetmet që s’po mund t’ua marrin janë mendja dhe fjala e lirë

Everything is under control. Kjo është shprehja që në anglisht tingëllon shumë fuqishëm kur dëshiron ta sigurosh shefin se puna po ecën sipas planit.

Pas një vit qeverisjeje të përbashkët, kryeministrave Mustafa e Thaçi puna po u ecën sipas planit. Sepse e kanë “under control” gjithçka të shtetit: gjyqësinë, shëndetësinë, arsimin, rrymën që e shpenzojmë, ujin që e pimë. E kanë në dorë të ardhmen tonë, me votën tonë.

Sikur kontrolli politik mbi institucionet publike të kishte synim ngritjen e përgjegjësisë dhe të cilësisë së shërbimeve të tyre ndaj qytetarit, me siguri se këta rreshta nuk do të shkruheshin fare.

Para se të vinte në krye të Qeverisë, Mustafa kritikonte Thaçin për shpërndarjen e militantëve partiakë nëpër institucione publike. Një vit qeverisjeje tregoi se politika e tij nuk ndryshon nga ajo e Thaçit. Shtrirjen e rrjetit të kontrollit partiak mbi çdo gjë shtetërore Mustafa e Thaçi e legjitimuan në marrëveshjen për koalicionin, të nënshkruar në fund të vitit të kaluar. Marrëveshja parashihte ndarjen e barabartë të të gjitha posteve publike që emërohen nga Qeveria. Rezultatet e saj po i shohim tani.

Ndarja në stilin “një nga partia jote, një nga e imja” po vazhdon edhe për postet në bordet e ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura. Prandaj në kompanitë e rëndësisë ekonomike për vendin dhe të shërbimeve jetike për qytetarët, në vend të njerëzve profesionistë të fushës janë instaluar injorantë që nuk kanë lidhje me menaxhimin, por kanë lidhje me partitë në pushtet. Nëpërmjet tyre bëhet më i lehtë kontrolli i politikave, dhe më e rëndësishmja - i vjedhjes së parasë publike. E kur i shtohet kësaj edhe kontrolli mbi televizionin publik tamam përmbushet vlerësimi i “Freedom House” për pushtet gjysmautoritar në Kosovë.

Partitë në pushtet tashmë i kanë caktuar tre partiakë në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe shumë të tjerë në shumicën e kompanive rajonale të ujësjellësit nëpër Kosovë. Tradita e njëjtë po vazhdon edhe në misionet diplomatike, ku të dyja partitë po nguten t’i rehatojnë njerëzit e vet nëpër ambasada.

Por, kulmi i përpjekjeve të Mustafës për të shtrirë ndikimin në një institucion të lartë juridik të vendit ishte votimi në Kuvend i kandidates për deputete të LDK-së për postin e gjyqtares në Gjykatën Kushtetuese. Edhe këtu Mustafa e kopjoi Thaçin. PDK-ja e kontrollonte Gjykatën Kushtetuese nëpërmjet ish-kryetarit të saj Enver Hasani. Tani nëpërmjet Selvete Gërxhaliu-Krasniqit LDK-ja synon të marrë nën kontroll institucionin që e mbron Kushtetutën. Pikërisht në kohën kur ajo duhet të vendosë për ligjshmërinë e marrëveshjeve me Serbinë dhe t’i japë kah zgjidhjes së krizës politike që ka përfshirë vendin.

Emërimi i saj është kritikuar nga shoqëria civile dhe nga opozita. Këtë veprim të pushtetit e ka kritikuar në rrjete sociale edhe ambasadori britanik në Kosovë, gjatë një komunikimi me qytetarë. Ai ka thënë se emërimet publike duhet të bëhen në baza meritore e jo për arsye nepotiste. Raporti i vendit i BE-së, sipas tij, e bën këtë të qartë. “Në Mbretërinë e Bashkuar në të kaluarën ne kemi pasur politikanë si gjyqtarë. Por tani ekziston një ndarje e qartë. Dhe kjo është jetike për të ndërtuar apo rindërtuar besimin e qytetarëve në gjyqësor”, ka shkruar Ruairi O’Connell.

Por qeveritarët tanë, të cilët çdo ditë komunikojnë me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe llomotisin në media për perspektivë dhe integrime evropiane, nuk janë të interesuar të zbatojnë në praktikë ligjet dhe vlerat evropiane. Nuk janë të interesuar të ndërtojnë besimin e qytetarëve në gjyqësi. Për ta rindërtuar nuk munden, sepse ai nuk ka ekzistuar kurrë që nga themelimi i institucioneve.

Shumë poste udhëheqëse të agjencive të pavarura, sidomos të atyre që kontrollojnë paranë publike, ka me muaj që janë të zbrazëta, ose i kanë përsëritur konkurset për shkak të garës së ashpër të partive në pushtet për të sjellë në ato pozita militantët e vet.

Domosdoshmëria e lidhjes me pushtetin në Kosovë është bërë kusht i përparimit personal në karrierë apo në biznes. Lidhje me politikën duhesh të kesh edhe në konkurset për vendet më të thjeshta të punës në institucione publike. Nuk kryejnë punë as diploma e as përvoja e punës. Ja një shembull: 300 veta konkurrojnë për postin e asistentit administrativ në një agjenci të pavarur buxhetore, ku nuk kërkohet përgatitje superiore. Shumë prej tyre kanë përfunduar edhe shkallën master të shkollimit. Konkurrenca është e madhe, ashtu si edhe lufta për të gjetur lidhjet familjare apo partiake me anëtarët e komisionit vlerësues. Natyrisht nuk fiton kandidati më i mirë, por ai që i ka lidhjet më të forta. Apo edhe që paguan më shumë para. Kriteret mbesin vetëm në letër.

Ka raste kur për të ruajtur vendin e punës në një ministri, i punësuari është detyruar të bëhet anëtar i partisë që ka marrë udhëheqjen e asaj ministrie, kur është ndërruar Qeveria.

Dhe kështu duke sjellë njerëz jokompetentë nëpër pozita të rëndësishme degradojnë institucionet, lulëzon korrupsioni, nuk ka llogaridhënie, dhe rrjedhimisht nuk ka shërbime të mira. Prandaj sot kemi nivel të ulët arsimimi nëpër shkolla dhe kapje të universitetit publik nga grupe të interesit, kemi shëndetësi të nivelit të vendeve aziatike si Nepali, Mongolia, Kurdistani dhe Iraku (kjo sipas vlerësimit të një mjekeje amerikane), kemi mungesë uji të pijshëm, nëpër fshatra ende kanë telashe furnizimi me energji elektrike, menaxhim të dobët të mbledhjes së mbeturinave, ajër të ndotur, sepse matrapazët e politikës bëjnë pazare edhe me mjedisin duke shkatërruar edhe bukuritë natyrore të vendit. Se a është apo nuk është i kënaqur qytetari me këtë mënyrë funksionimi të shtetit, kjo nuk është çështje që i preokupon qeveritarët tanë.

Dhe a ka gjasa të çkapet ky shtet ndonjëherë nga klientelizmi dhe ndikimi partiak? Me sistemin aktual gjyqësor që e ka Kosova jo. Sepse bosët e krimit dhe korrupsionit institucional janë përkujdesur moti që nëpërmjet shantazhit t’i vendosin në krye të gjyqësisë dhe prokurorisë njerëzit e vet, të cilët ua fshehin krimet dhe shkeljet e ligjit. Edhe emërimi i personave politikë nëpër bordet e ndërmarrjeve publike dhe në agjencitë e pavarura përbën shkelje ligjore. Në një të ardhme të largët ndoshta do të gjykohen për këto shkelje. Por jo me këtë sistem selektiv të drejtësisë.

Ky rreth vicioz i ndërtuar nga politika në pushtet dhe i mirëmbajtur nga oportunistët e hajnat që e kontrollojnë dhe e plaçkitin çdo gjë publike, mund të ndërpritet vetëm kur drejtësia të godasë kokat udhëheqëse të krimit institucional.

Deri atëherë, kosovarët do të jenë të detyruar të rezistojnë që ky pushtet të mos ua marrë nën kontroll edhe mendjen dhe t’ua mbyllë gojën. Të vetmet që u kanë mbetur.

[email protected] 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...