24 Janar 2016 - 08:00 - Valbona Mehmeti
Një engjëll me flatra të shtrira e mban nën lëkurë, poshtë qafës, midis shpatullave. Gjersa flet instinktivisht herë pas here e fërkon me dorë sikur do të sigurohet se është ende aty. Engjëlli i saj zor se do të ikë ndonjëherë. Ai është bërë për të mos ikur. Mund të largohet për disa orë ose edhe për një ditë, por ai sërish kthehet tek ajo. Për t’ia rikujtuar dhe për t’ia lehtësuar dhimbjen e një humbjeje të pakthyeshme.
“Një psikologe më pati këshilluar që humbjen ta përjetësoj në një objekt në të cilin do të gjej ngushëllim dhe do të më shërbente si një lloj pengese në rrugën e harresës. E bëra këtë engjëll tatuazh”, thotë ajo. Tatuazhi për të është më shumë se një gur varri. Aty ajo tani preh shpirtin.
H.V. ishte në një lidhje dashurie me një djalë. Pas dy vjetësh argëtimi 22-vjeçarja mbetet shtatzënë, si pasojë e mospërdorimit të kontraceptivëve. Të dy ishin studentë, të papunë, të pashtëpi. Nuk planifikonin të martoheshin. Familja e saj kurrë nuk do të pranonte që ajo të rriste në shtëpinë e tyre një fëmijë jashtëmartesor. Zgjidhja e vetme ishte ndërprerja e shtatzënisë së padëshiruar. Ajo ishte e vetëdijshme se po i nënshtrohej një rreziku të madh. Fryti tashmë kishte mbushur 14 javë (tre muaj e gjysmë).
“E dija që po rrezikoja të mos mbetesha kurrë shtatzënë, por rrethanat ishin asisoj që unë duhej të lirohesha patjetër nga ajo barrë”, thotë ajo. Abortin e ka kryer në një ordinancë private. Megjithëse ligji e ndalon ndërprerjen e shtatzënisë pas javës së dhjetë, mjeku i ordinancës private as që e ka diskutuar me të këtë çështje.
Rastin e saj nuk e ka regjistruar si abort, por si një lloj infeksioni. E gjithë procedura dhe mjekimi i ka kushtuar rreth 500 euro. Që atëherë vazhdimisht ka probleme shëndetësore. Pas abortit kishte përfunduar edhe lidhja me të dashurin. Ishin ndarë në heshtje me peshën e një faji të përbashkët...
Fati i H.V. fatkeqësisht i përcjell shumë vajza të reja në Kosovë, si kudo në botë. Përderisa në shoqëritë e zhvilluara aborti është pjesë e debateve publike dhe agjendave politike, në Kosovë aborti ende konsiderohet fenomen i turpshëm dhe temë tabu.
Në zgjedhjet e sivjetme presidenciale në SHBA, sipas anketimeve, aborti është radhitur si e 11-ta nga 12 çështjet më të rëndësishme për qytetarët.
Në një anketë të CNN-it të kryer në muajin nëntor të vitit të kaluar, 27 për qind e votuesve të regjistruar e konsiderojnë qasjen e kandidatit për president ndaj abortit si çështje shumë të rëndësishme në vendimin e tyre për votim.
Në pesë palë zgjedhje të përgjithshme që i ka mbajtur Kosova që nga përfundimi i luftës, aborti as nuk ka qenë temë debati, as nuk është prezantuar si pjesë e programeve të partive politike. Ndoshta e kanë të shkruar në letër, por publikisht as burrat, as gratë politikane nuk e kanë ngritur kurrë si çështje, as nuk janë deklaruar për qasjen e tyre ndaj këtij problemi që rrezikon natalitetin e kombit.
Në vendet e Bashkimit Evropian aktivistet për të drejtat e grave organizojnë vazhdimisht protesta në kërkim të kujdesit më të madh ndaj shëndetit të gruas dhe të drejtave për të vendosur rreth trupit të saj. Aktivistet kosovare e kanë ngushtuar aktivitetin e tyre në reagime me komunikata shtypi. Ato nuk kanë qenë në gjendje t’i ofrojnë gazetës asnjë raport apo hulumtim që kanë kryer ekskluzivisht për çështjen e abortit dhe planifikimit të familjes.
Debati për abortin e induktuar (të nxitur qëllimshëm) në botë kryesisht shtrohet si çështje morale që ka të bëjë me të drejtën e fetusit për jetë dhe të drejtën e gruas mbi trupin e saj. Në debate përfshihen edhe institucionet fetare.
Krerët fetarë të të tria konfesioneve në Kosovë nuk janë shprehur kurrë publikisht rreth abortit.
Indiferenca me të cilën i qaset shteti dhe shoqëria kosovare këtij problemi, që lë pasoja në shëndetin riprodhues të vajzave dhe grave, është e frikshme dhe shqetësuese.
Kosova e ka të rregulluar me ligj çështjen e abortit. Sipas këtij ligji, ndërprerja e shtatzënisë së padëshiruar mund të kryhet deri në javën e dhjetë të zhvillimit të frytit në të gjitha institucionet shëndetësore. Por sikurse edhe shumë ligje të tjera, në praktikë ky ligj nuk respektohet.
Mosrespektimi i ligjit dhe qasja indiferente e ka shtyrë gazetën që të trajtojë në këtë numër pikërisht problemin e aborteve. Hulumtimi i temës gjatë një jave ka nxjerrë në pah të gjitha mangësitë e zinxhirit të sistemit kompetent për shëndetin riprodhues të gruas në Kosovë. Zyrtarët shëndetësorë refuzonin të flisnin ose jepnin përgjigje pa shpjegime të sakta. Doli se nuk ka hulumtime apo anketa për qëndrimin e përgjithshëm të shoqërisë ndaj dukurisë së aborteve. Nuk ka raporte të sakta për shkaqet e ndërprerjeve të shtatzënive dhe as numër të saktë të aborteve që ndodhin brenda një viti në të gjitha institucionet shëndetësore.
I vetmi raport i përgjithshëm rreth shifrave të aborteve në Kosovë është Shqyrtimi i progresit në shëndetin maternal i publikuar nga UNFPA në vitin 2009. Sipas këtij raporti, që për Kosovën ka shfrytëzuar të dhënat nga Studimi shëndetësor demografik i vitit 2007, vendi ynë ka pasur një shkallë prej 480 abortesh për 1.000 lindje të gjalla që është më shumë se shumica e vendeve të rajonit.
Gazetës i janë ofruar shifra simbolike nga spitalet shtetërore, ndërkohë që klinikat private nuk kanë raportuar asnjë rast të kryerjes së abortit gjatë gjithë viteve të funksionimit edhe pse ligji i obligon ta bëjnë.
Në klinikën private ku kishte kryer abortin, H.V. thotë se të njëjtën ditë me të prisnin në radhë për t’u liruar nga shtatzënia e padëshiruar edhe katër vajza të tjera. Vajzat dhe gratë përzgjedhin klinikat private për të kryer abortet për t’iu shmangur identifikimit në institucionet shëndetësore publike dhe vlerësimit të një komisioni që miraton ose jo abortin. Ndërsa në klinika private abortet kryhen edhe pas tejkalimit të javëve të lejueshme me ligj, duke e rrezikuar shpesh shëndetin e femrave. Inspektorati shëndetësor nuk ka kryer kurrë inspektime në këto klinika, prandaj ato vazhdojnë rehat të përfitojnë në kurriz të grave e vajzave fatkëqija.
Sikur sistemi shëndetësor i Kosovës të funksiononte në mënyrë më rigoroze dhe sikur shteti t’u ofronte përkrahje materiale ose t’u siguronte një vend pune, vajzat si H.V. me siguri se do të mateshin dy herë para se të merrnin vendim të “vrasin” jetët e saponisura në barkun e tyre.
“Gabimi që kam bërë më ndjek si hije. S’ka natë që nuk e kujtoj. Sikur të kisha mendtë e sotit, s’do ta bëja kurrë ”, thotë H.V. Ajo tani ka kryer shkollimin dhe është e pavarur ekonomikisht. Planifikon që ta themelojë një shoqatë joqeveritare, e cila do t’i ndihmonte dhe këshillonte vajzat e reja rreth shtatzënive të padëshiruara. Dëshiron t’i vetëdijesojë që të mos e humbin mundësinë për të shijuar amësinë, që të mos humbin një fëmijë varrin e të cilit nuk do ta dinë kurrë...
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...