11 Janar 2015 - 13:20 - Valbona Mehmeti
Për shkak të tregut të varfër dhe mundësive të vogla të përzgjedhjes së veshmbathjes, këto dyqane u bënë mjaft atraktive për qytetarët e vendit të shkatërruar nga lufta. Atraktive ishte vetë prania e shitësve kinezë, por edhe përpjekjet e tyre për të komunikuar në shqip me klientët e që shpesh përfundonin me situata qesharake.
Deri para pesë vjetëve në Kosovë vepronin rreth 350 tregtarë kinezë të shpërndarë në të gjitha anët. Tash ata kanë filluar të largohen nga Kosova, por edhe nga shtetet e rajonit si Serbia që konsiderohej qendër e tregtisë së tyre. Arsye të largimit ata kanë dhënë rënien e shitjes si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike.
Një prej shkaqeve është edhe fakti se biznesmenët kosovarë kanë krijuar lidhje të mira biznesore në Kinë. Tash malli kinez vjen në Kosovë me shumicë.
Malli kinez nuk ka garanci kualiteti e qëndrueshmërie. Shkëlqimi i tij është i rrejshëm. Por kosovarët vazhdojnë ta blejnë. Jo se nuk dinë të çmojnë kualitetin, por për shkak se kushtet e vështira financiare ua imponojnë.
Njësoj ata veprojnë edhe me Qeverinë që i udhëheq. E pranojnë ashtu siç është: një mall i lirë që nuk përmbush nevojat e tyre.
Për shkak të “mbipopullimit” kabineti i Qeverisë aktuale të Kosovës nga analistë dhe oponentë politikë të partive në pushtet po quhet kabinet “kinez”.
Fatkeqësisht, jo vetëm për nga sasia, por edhe nga kualiteti ky kabinet i ngjason shumë mallit kinez.
I mbushur me figura të shpenzuara politike, me ish-ministra që nuk janë shquar për ndonjë rezultat në dikasteret që kanë udhëhequr në qeveritë e mëparshme dhe me fytyra anonime për veprimtarinë e të cilëve dihet pak, ky kabinet nuk është kurrfarë garancie për qytetarin se do t’i sjellë ndonjë ndryshim në kualitetin e jetës.
Pas rreth gjashtë muaj ngërçi politik, kjo Qeveri jo natyrshëm iu imponua qytetarit për të përmbushur ambiciet politike të udhëheqësve të dy partive politike të koalicionit, PDK-së e LDK-së. Partiakë të të dy taborëve politikë e shanë dhe fyen njëri tjetrin për aq kohë sa zgjati ngërçi, për t’u bërë bashkë në një koalicion që nuk njeh as moral, as parime kur vjen puna te mbrojtja e interesave personale. Dhe si të pritet pastaj nga këta “kameleonë” të mbrojnë interesat e qytetarit dhe të kenë ndonjë vizion të qartë se kah duan ta çojnë këtë vend të zhytur në mjerim social dhe ekonomik.
Ky kabinet nuk e ka nisur mbarë. Në vend se të kujdeset që të ulë luksin dhe shpenzimet shumë të mëdha që i kanë bërë të gjitha qeveritë e deritashme, Qeveria planifikon ta shtojë numrin e anëtarëve të kabinetit për t’i rehatuar me paga militantët partiakë, miqtë dhe partnerët e interesit.
Me 23 anëtarë, me 60 zëvendësministra e kushedi sa këshilltarë që pritet të emërohen, ky kabinet qeveritar nuk ka si të shihet ndryshe nga taksapaguesi kosovar përveçse si shpenzim kot i parave të tyre. Njëjtë sikur për mallin kinez.
Me këtë përbërje vështirë të besohet se kjo Qeveri do t’u dalë zot sfidave që e presin. Qeveria ende nuk ka prezantuar programin qeverisës as plan të punës e as agjendën legjislative për vitin 2015. Sfida më e rëndë konsiderohet themelimi i Gjykatës Speciale, ligji për të cilën nuk ka shkuar ende as në Qeveri, sepse qeveritarët presin që autorësinë për të ta marrë Brukseli.
Këtë koalicion e bën të brishtë edhe presioni i vazhdueshëm i momentit të zgjedhjes së kryetarit të PDK-së në postin e presidentit. Këtu pritet të testohet qëndrueshmëria e koalicionit, për shkak se PDK-ja kërcënon se nëse nuk votohet Thaçi nga deputetët rebeluar të LDK-së, do të shkohet në zgjedhje.
Përplasjet e para mes koalicionit u vërejtën në seancën për buxhetin, kur deputetë të dy partive nuk pajtoheshin me buxhetet e ndara për projektet e rajoneve prej nga vijnë.
Përveç problemeve mes partive kryesore të koalicionit, kjo Qeveri që në fillim të punës po sfidohet nga subjekti i minoritetit serb, Lista Serbe. Me braktisjen e seancës për buxhetin Lista dëshmoi se Qeveria nuk mund të llogarisë në votat e saj, kur i duhen dy të tretat e votave për ndryshime kushtetuese.
Vendimi i kryeministrit të Serbisë për t’ua vazhduar jetën strukturave paralele në Shtërpcë dëshmoi se sa e pafuqishme është kjo Qeveri të përballet me obstruksionet dhe ndërhyrjet e Serbisë, pa kërkuar ndihmë nga Brukseli.
Burime të gazetës madje kanë treguar se anëtarët serbë të kabinetit qeveritar nuk posedojnë as dokumente personale të Republikës së Kosovës, e njëri nga ta nuk ka as shtetësi kosovare.
Ministri serb për Kthim dhe Komunitete i fyeu rëndë duke i quajtur egërsira protestuesit në Gjakovë dhe kryeministri Mustafa nuk ndërmori asnjë masë ndaj tij. “Nuk është mirë që ai i ka quajtur ashtu”, kaq tha. Kjo lë të nënkuptohet se edhe kjo Qeveri do të vazhdojë të përulet ndaj veprimeve dhe kërkesave të paarsyeshme të minoritetit serb.
Dhe më e rënda, kjo Qeveri nuk po merret aspak me trajtimin e problemit më të madh aktual, largimin masiv ilegal të kosovarëve, që këto ditë mori edhe viktimën e parë. Kryeministri mjaftohet me deklarata patetike në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje të rinjve që të mos largohen nga Kosova se “nuk e kanë askund më mirë se në shtëpi!” Si duket Mustafa ende nuk po mund të këndellet nga kënaqësia e të realizuarit të ëndrrës për t’u bërë kryeministër.
Por ai duhet të kthjellet sa më shpejt, sepse grevat e trazirat sociale duket se do të jenë të pashmangshme në këtë pranverë. Paralajmërimi për greva javën e ardhshme nga zyrtarë të SBASHK-ut, për shkak të mospërmbushjes së pikave të Kontratës kolektive, duket se do të jetë vetëm fillimi.
Qytetarëve u ka ardhur në fyt “malli kinez”. Ata duan kualitet në jetën e tyre, duan shërbime të mira, vende pune dhe më së shumti e duan ndaljen e hajnive dhe keqpërdorimit të parave të tyre.
Nëse kjo Qeveri nuk bën përpjekje të jashtëzakonshme që t’u bëjë çare këtyre problemeve, do të jetë jetëshkurtër. Sikurse malli kinez.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...