21 Shtator 2014 - 08:09 - Valbona Mehmeti
“Kuku, kësti i kartelës....”. Ky kishte qenë reagimi i parë i tri kolegeve pas marrjes së njoftimit se kishin mbetur pa punë për shkak se organizata ku punonin do të mbyllej.
Shumica e qytetarëve të Kosovës kanë qenë ose janë të zhytur në kredi, qoftë afatgjata, qoftë afatshkurtra. Prandaj edhe bisedat dhe funksionimi i përditshmërisë së tyre është i lidhur domosdo me pagesën e këstit të kredisë. Vetëm të menduarit se mund ta humbasin vendin e punës dhe nuk do të mund të paguajnë borxhin ndaj bankës u shkakton panik e frikë.
Jeta e një borxhliu banke merr rrjedhë vetëm pas pagesës së këstit. Atëherë fillon planifikimi i shpenzimit të pjesës tjetër të rrogës dhe kur muaji lidhet me tjetrin pa bërë “fizkulturë” me kredit-kartelat e tjera apo pa marrë borxh tek ndonjë i afërm, menaxhimi i pagës konsiderohet “i suksesshëm”.
Kështu funksionon së paku shtresa e mesme e shoqërisë kosovare që jeton nga një pagë mbi mesataren, gjysma e secilës u përfundon në kredi.
Në pamundësi për të kursyer shuma të mëdha parash me të cilat do të mund të realizonin planet për renovim shtëpie, blerje të pajisjeve të amvisërisë, veture apo nisjes së ndonjë biznesi të vogël, shumica e qytetarëve rrezikojnë duke hyrë në kredi me kamata të larta apo bëjnë blerje me këste, mospagesa me kohë e të cilave po ashtu ndëshkohet me kamatë. Plani realizohet, por barra e kamatës së lartë reflektohet në cilësinë e jetës që bën më pastaj.
Që nga fillimi i punës, pas lufte, bankat e Kosovës kanë mbajtur dhe vazhdojnë t’i mbajnë kamatat më të larta në rajon. Normat e larta të interesit bankat i arsyetojnë me pasigurinë ekonomike, me ekzistimin e rrezikut për moskthim të kredisë, moszgjidhjen e kontesteve pronësore nga gjykatat, me mungesën e ofertës për blerjen e objekteve të hipotekuara etj .
Arsyetimi i bankave rreth rrezikut të moskthimit të kredisë nga huamarrësi deri diku është i arsyeshëm. Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet e lartë ashtu si edhe rreziku i humbjes së vendit të punës si pasojë e krizave financiare të kompanive. Krejt kjo e ndërlidhur me situatën e rënduar ekonomike, politike e sociale të shtetit të ri që kurrsesi nuk po mund të ngrihet në këmbët e veta, sepse është kapluar nga krimi e korrupsioni. Lëndët e kontesteve pronësore nëpër gjykata zvarriten me vite, sepse, siç u vërtetua së fundmi, ato janë udhëhequr nga gjykatës të cilët e kanë pasur më të rëndësishme të nxjerrin fitime të majme për veten duke bërë shpronësime të paligjshme, sesa të sundojë ligji i së drejtës në këtë shtet.
Sa i përket mungesës së ofertave për blerje të hipotekave, te kosovarët ekziston njëfarë solidariteti me të dështuarin e kredisë sipas logjikës “banka nuk fiket e unë nuk dua që ta lërë një familje pa kulm mbi kokë”. Ka raste kur nuk e blejnë edhe nga frika e kërcënimit të mundshëm nga ish-pronari.
Kosovarët si duket nuk duan të kenë borxhe. Ekspertët e kredive pohojnë se sektori i ekonomive familjare tregon më shumë korrektësi në raport me bankat sesa me sektorët e tjerë.
Sipas punëtorëve të bankave, më të përgjegjshmet në kthimin e kredive janë gratë në biznes, të cilat e paguajnë çdo detyrim financiar me kohë.
Por e keqja që nuk po mund t’u shmangen kosovarët janë kreditë konsumuese. Ka qytetarë që marrin kredi për pushime në bregdet, për dasma, ushqim, naftë e benzinë. Krejt kjo si pasojë e mungesës së kulturës dhe njohurive financiare. Disa as që e kuptojnë funksionimin e jetës në kredi.
Por këtu faj kanë edhe bankat të cilat janë të prira që klientit t’ua shpjegojnë vetëm anën profitabile të kredisë, por jo edhe pasojat e saj, duke i kamufluar taksat e tjera përcjellëse të kredisë të cilat e rrisin vlerën e kamatës.
Me ligjin e ri që pritet të hyjë në fuqi, bankat do të jenë të obliguara të shpalosin saktë normat efektive të interesit.
Kamatat e larta të kredive po u bëjnë dëm edhe bizneseve. Mungesa e likuiditetit, që është pasojë e mungesës kronike të parasë në qarkullim në Kosovë, detyron bizneset të marrin kredi, qoftë konsumuese, qoftë investuese me kamata jashtëzakonisht të larta. Kjo për ta ruajtur stabilitetin e firmës dhe vendet e punës.
Bizneset që punojnë ndershëm, paguajnë me kohë tatimet dhe kujdesen për pagesën me kohë të punëtorëve e kanë shumë të vështirë të mbijetojnë. Prandaj, pos kredive, i qasen edhe një produkti tjetër gllabërues me kamata, që është mbitërheqja. Dhe kjo përherë e mban biznesin në borxh te banka.
Përderisa ka konkurrencë të fortë mes tyre dhe luftojnë për secilin klient, bankat do të duhej të shfrytëzonin mundësitë për uljen e kamatave, sepse besoj që boll kanë mbledhur para, sidomos ato që funksionojnë që nga paslufta në Kosovë. Duhet të kenë pak më shumë konsideratë për qytetarin e lodhur dhe të pashpresë nga gjendja e kaosit dhe e paperspektivës, në të cilën e kanë futur qeverisjet e papërgjegjshme.
Por puna më e madhe për përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike të qytetarit kosovar u mbetet institucioneve (nëse ia arrijnë të formohen) dhe udhëheqësve të ardhshëm të shtetit, cilëtdo qofshin ata, sepse si ia kanë nisur, do të na zërë dimri duke shikuar lojën e tyre të fajësimit të tjetrit për bllokadë institucionale.
Udhëheqësit e ardhshëm do të duhej të mos talleshin më me popullin, por të merren seriozisht me politikat ekonomike që do të shtonin vendet e punës dhe me krijimin e kushteve të mira për investuesit e huaj që të ringjallin sadopak ekonominë e pazhvilluar.
E qytetarët e Kosovës duhet të mbledhin mend dhe të analizojnë mirë situatën financiare në të cilën po e fusin veten. Të marrin kredi që ua zgjidhin problemet jetësore apo që u gjenerojnë të ardhura. E jo kredi për ahengje synetie.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...