29 Qershor 2014 - 09:00 - Valbona Mehmeti
Urat historikisht bëhen për të lidhur brigje, për të afruar njerëz, për të mbajtur lidhjet mes qyteteve, shteteve e popujve. Në Kosovë ka pesëmbëdhjetë vjet që një urë është bërë simbol i ndarjes, jo vetëm të një qyteti.
Ura mbi Ibër që ndan Mitrovicën është rast unik në Evropë. Është sui generis sikur edhe shteti i Kosovës, meqë është bërë edhe vijë ndarëse e dy mentaliteteve: atij shqiptar, që assesi nuk pajtohet se pjesa veriore e qytetit mund t’i bashkohet shtetit të Serbisë dhe mentalitetit serb, që nuk po mund të pranojë integrimin në institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës në jug të qytetit.
Në vend se Kosova e Serbia të angazhohen që vijat ndarëse mes dy etnive të zvogëlohen, politikat e tyre shtetërore po i kontribuojnë edhe më shumë ndarjes. Beogradi zyrtar shfrytëzon të gjitha mjetet për të mbajtur kontrollin në veri, me synimin e fundit për ta shkëputur këtë territor të pasur me pasuri nëntokësore. Prishtina zyrtare, me politikën e vet amatore, vazhdon t’i bëjë Serbisë koncesion mbas koncesioni, për të krijuar imazhin e rrejshëm se ka filluar të shtrijë pushtetin në një territor që për pesëmbëdhjetë vjet nuk ka arritur ta kontrollojë.
Politikat e tilla me të drejtë nxisin dyshimin në mos ka ndonjë marrëveshje të heshtur me bashkësinë ndërkombëtare për ndarjen e veriut si zgjidhje përfundimtare.
Dhe gjersa Qeveria e Kosovës i proklamon si sukses marrëveshjet që ka arritur me Serbinë, ribarrikadimi i fundit i urës në Ibër, dëshmoi se sa i vështirë është realizimi dhe zbatimi i këtyre marrëveshjeve në praktikë.
Ndryshimi i formës së barrikadës nga ajo me gurë në atë me pisha, duke e emërtuar edhe si “park të paqes” ishte tallja e fundit që serbët e veriut dhe udhëheqësit e tyre nga Beogradi u bënë institucioneve të Kosovës.
Barrikada është barrikadë, është pengesë që njerëzit e mallrat të lëvizin lirshëm. Qoftë ajo edhe nga lulet e gjelbërimi.
Kosova ka gjashtë vjet që është shpallur e pavarur, kurse qeveritarët e Kosovës vazhdojnë refrenin: barrikada do të hiqet shumë shpejt, veriu do të integrohet, strukturat paralele të Serbisë do të shuhen.
Që nga vendosja e barrikadës zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri, çdo ditë përsërit në media se ajo është në komunikim të drejtpërdrejtë me Brukselin dhe se barrikada do të hiqet së shpejti. Me këto deklarata kryenegociatorja e palës kosovare në dialogun me Serbinë, që së fundmi na bëri të ditur se paska doktoruar në temën e dështimit të politikës ndërkombëtare në veri të Kosovës, po përpiqet të fitojë kohë deri në formimin e Qeverisë së re dhe të fshehë dështimet e veta në procesin e bisedimeve që udhëhoqi e që si rezultat na solli “flluska dëbore” dhe “barrikada të lulëzuara”. Ekspertizave të saj të doktoratës nuk ua pamë shumë hairin.
Realiteti në terren nuk po ndryshon. Veriu nuk po integrohet, barrikadat vetëm po ndryshojnë formë, Serbia po vazhdon të ushtrojë pushtet në këtë pjesë të Kosovës së pavarur, ndarja po shkon duke u thelluar.
Ndarja e nisur me të përfunduar lufta, kur serbët u “strehuan” në veri për shkaqe sigurie, tash është kthyer në një interes të mafisë shqiptare dhe asaj serbe. Në veri ka lulëzuar kontrabanda, dhe Qeveria nuk ka shprehur asnjëherë vendosmëri ta ndalë, ta vërë nën kontroll atë pjesë të territorit dhe ta shtrijë sundimin e ligjit atje.
Kryeministri dhe vartësit e tij ishin më shumë të interesuar për të shtrirë kontrollin mbi çdo ndërmarrje publike, për të kontrolluar dhe manipuluar tenderë të institucioneve publike, për t’i kthyer ato në burime financimi për veten, për partinë dhe klanet e veta.
Që nga 1999-a shqiptarët e kthyer me shumë sakrifica në shtëpitë e veta në veri, prej nga u dëbuan me dhunë, jetojnë me ndjenjën e të qenit ende në luftë me Serbinë.
Një banore shqiptare e veriut më tregonte se si djemtë e saj janë detyruar pas luftës të blejnë armë për t’u mbrojtur nga sulmet e bandave serbe. “Ata shtinin me armë natën që të na frikësonin dhe ne ta lëshonim shtëpinë. Djemtë u detyruan që të blejnë armë për t’u vetëmbrojtur. Tash kur ata shtinë me armë, edhe ne shtimë në ajër për t’u treguar atyre se jemi të armatosur që të mos na afrohen”, më tregonte gruaja rreth të 60-tave. Kur viziton të afërmit e saj në Prishtinë, ajo çuditet me “vullnetin për t’u argëtuar”, që kanë banorët e kryeqytetit. “Si more ban kështu, ju këtu po kënaqeni e ne atje ende jetojmë në luftë?!”
Sado që rrallëherë e pranojnë publikisht me siguri që as serbët e veriut nuk e kanë jetën të lehtë atje. Por në një farë mënyre edhe vetë mbajnë një pjesë të fajit që kanë lejuar të bëhen peng të politikës ditore të Beogradit dhe të grupeve mafioze që i shfrytëzojnë dhe i manipulojnë për përfitimet e veta të paligjshme. Atyre sikur u ka konvenuar status quoja. Të mbetur ndërmjet dy shteteve serbët e veriut kanë shfrytëzuar burimet financiare edhe të Beogradit, edhe të Prishtinës. Të dy qeveritë janë përpjekur të “fitojnë” poenë politikë nëpërmjet investimeve të vogla dhe financimit material në këtë pjesë. Por as Beogradi, as Prishtina asnjëherë nuk kanë treguar gatishmëri serioze për të gjetur zgjidhjen përfundimtare të problemit në veri.
Madje deri vonë Qeveria në detyrë nuk e ka pranuar se ekziston çështja e pazgjidhur e veriut, ka injoruar edhe raportet e medieve edhe interesimet e gazetarëve për zgjidhjen e mundshme të një çështjeje të brendshme të vendit.
Kur filloi bisedimet për normalizimin e raporteve me Serbinë, Qeveria madje nuk pranonte se do të hapej edhe çështja e veriut. Dhe kur e injoron problemin një kohë të gjatë, zgjidhja e tij vetëm shkon duke u komplikuar.
Angazhimi i kryeministrit në dialogun e Brukselit më shumë ka qenë për të përmbushur detyrat e dhëna nga bashkësia ndërkombëtare, që, natyrisht, shkuan në dobi të Serbisë, sesa angazhim i një kryeministri që dëshiron të vendosë rregull e rend në shtëpinë e vet.
Kryeministri në detyrë asnjëherë nuk ka bërë përpjekje që të vendosë një komunikim të drejtpërdrejtë me serbët e veriut dhe të trajtojë mirëfilli problemet e qytetarëve atje që të dëshmojë kështu se është me të vërtetë kryeministër i të gjithë kosovarëve dhe zot shtëpie i territorit prej 10 mijë kilometrash katrorë të Kosovës.
Nuk zgjidhen problemet me serbët duke u falur ndonjë traktor apo duke çuar ndonjë gotë raki për festa në shtëpitë e tyre. As duke zhvilluar bisedime sipas agjendave të diktuara nga Beogradi apo duke pritur vazhdimisht instruksione nga Brukseli dhe Ambasada amerikane.
Sikur Kosova të kishte një udhëheqje që do ta merrte vetë në duar rregullimin e çështjeve të brendshme, nuk do të kishte nevojë për bisedime me Serbinë për punët e saj të brendshme.
Një ndër arsyet e shumta pse Thaçi nuk duhet të jetë sërish kryeministër është edhe dështimi i tij për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për veriun, që përfundimisht do të ofronte dy pjesët e vendit të ndara nga një urë.
Përderisa institucionet kosovare nuk bëhen të zonja të vendosin vetë kornizat e dialogut me Serbinë dhe nuk marrin në duart e veta rregullimin e çështjeve të brendshme të Kosovës, siç është veriu, ura në Mitrovicë do të vazhdojë të mbetet një histori e pashpresë barrikadash...
©KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...