13 Shtator 2015 - 09:31 - Valbona Mehmeti
Ishte kthim impresionues. Bota çuditej. Njerëz që lufta ua kishte marrë familjarët, që i kishte lënë pa shtëpi e pasuri, pa më të voglën mëdyshje i linin të mirat dhe rehatinë që ua ofronin shtetet strehuese të Bashkimi Evropian e më gjerë dhe me vrull ktheheshin të rinisnin jetën në tokën e djegur. Ishin dëbuar me dhunë, ktheheshin me vullnet e shpresë për të sendërtuar ëndrrat në atdheun e lirë.
Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë një pjesë e kosovarëve sërish po kalojnë të njëjtën rrugë të kthimit. Por tani me një ndryshim. Po kthehen me zor dhe pa asnjë shpresë.
Mijëra shqiptarë nga Kosova fundvitin e kaluar dhe fillimin e këtij viti lëshuan vendin dhe nëpërmjet rrugëve të rrezikshme ilegale u futën në shtetet e Bashkimit Evropian. Jo për të shpëtuar kokën nga plumbat e luftës, por për të ikur nga liria. Nga liria e shumëpritur që u solli ngufatje, varfëri e dëshpërim.
Ikjen masive dhe euforike të qytetarëve të vet, pushtetarët e shikonin me mospërfillje, e madje edhe talleshin me ta. Kryeministri, Isa Mustafa, nuk e shihte të udhës as të dilte e të bisedonte dhe të kuptonte hallin e ikjes së tyre. “Nuk e shoh të arsyeshme të shkoj në stacion të autobusëve. Njerëzit që po ikin kanë Iphone, kanë para dhe kanë pasur rroga të mira”, konstatonte ai nga kolltuku i zyrës, me cinizmin e tij të dëshmuar.
Edhe nëse i paskan pasur gjithë këto të mira, siç thoshte kryeministri, atëherë patjetër se duhet të ketë një problem që po i nxit kosovarët ende të rrezikojnë jetën dhe të paguajnë shumë para për të kaluar ilegalisht në vendet perëndimore. Ikjet më të mëdha ndodhën pikërisht në kohën kur Mustafa e mori pushtetin. Lojërave të ndyta të politikanëve për pushtet, që e lanë vendin gjashtë muaj pa qeveri, qytetarët iu përgjigjën me ikje. Të pafuqishëm për të bërë ndryshime politike dhe ekonomike, ata zgjodhën këtë formë proteste ndaj gjithë padrejtësive, krimeve e hajnive të pasluftës që i bënë në kurriz të tyre politikanë e përfitues lufte.
Dhe këta “protestues” tani do të kthehen dhunshëm nga autoritetet e shteteve që i strehuan përkohësisht, për t’ua lëshuar vendin refugjatëve nga Siria, Iraku e Eritreja, si vatra me konflikte lufte. Për Bashkimin Evropian tani Kosova është vend i sigurt, me gjithë shkallën e ulët të zhvillimit, papunësisë, krimin e korrupsionin e lartë.
Por çfarë i pret të riatdhesuarit në Kosovën e sigurt? Situatë edhe më e degraduar politike, ekonomike e sociale. I pret fjalori prej rrugaçësh i politikanëve, tatime edhe më të larta në artikujt e domosdoshëm për jetesë, asnjë vend i ri pune, asnjë investim domethënës që do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik. Të kthyerit ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës nuk do të kenë sigurim shëndetësor, mund t’u rrezikohet jeta për mungesë ilaçesh, sepse institucionet e shëndetësisë kosovare prioritet i kanë hajnitë me barna e jo shëndetin e qytetarit. Ata do të kthehen në atdheun e rrudhur për 8 mijë hektarë tokë dhe me një Asociacion të komunave serbe që e forcon edhe më shumë pushtetin e Serbisë në Kosovë, të dyja këto pasojë e kompromiseve të negociatorëve “profesionistë” kosovarë me shtetet fqinje. Shkurt, i pret përbuzja nga shteti dhe pasiguria për mbijetesë.
Shumë nga të kthyerit nuk do të kenë as kulm mbi kokë, sepse kanë shitur krejt atë që kanë pasur për të paguar trafikantët që t’i transportojnë ilegalisht për në BE. Frustrimi dhe zhgënjimi që i kishin para ikjes do të bëhen edhe më të mëdha.
Duke i ditur mirë të gjitha këto, azilkërkuesit kosovarë përpiqen që me çdo kusht të gjejnë zgjidhje për të mbetur në shtetet ku janë strehuar. Qoftë edhe duke falsifikuar dokumente dhe duke u paraqitur si sirianë.
Pas vendimit të Gjermanisë për kthimin me procedura të përshpejtuara të azilkërkuesve nga Ballkani, jeta e tyre është kthyer në ankth në pritje të dëbimit. Ata thjesht nuk duan të kthehen. “Çka të bëj atje? Ku të gjej punë?”, janë pyetjet që shtrojnë të rinjtë e ikur.
Pyetjeve të tyre duhet t’u japin përgjigje Isa Mustafa dhe partnerët e tij të koalicionit, që e kanë sjellë rininë kosovare në situatë refuzimi të atdheut. Dashuria ndaj atdheut-shtetit merr kuptim vetëm kur shteti të ofron mirëqenie sociale e ekonomike, të ofron arsimim adekuat e siguri shëndetësore. Por në Kosovë përfituesit më të mëdhenj të shtetit vazhdojnë të mbesin politikanët dhe familjet e tyre.
Dhe ashtu siç i përcollën me indiferencë ikjet e tyre, institucionet shtetërore po tregohen shpërfillëse edhe ndaj kthimit të qytetarëve të vet. Lehtësirat që ofron shteti për të riatdhesuarit janë simbolike. Regjistrimi i personave të riatdhesuar në shkolla, ofrimi i kurseve të gjuhës për personat e riatdhesuar, pajisja me dokumente personale, aftësimi profesional për tregun e punës, praktika në punë. Por këto benefcione mbesin vetëm në letër. Disa qytetarë të riatdhesuar i kanë treguar gazetës se megjithëse i kanë kërkuar, nuk i kanë përfituar këto ndihma nga institucionet.
Mirë që Bashkimi Evropian po ua hap dyert e shpëtimit refugjatëve sirianë, por para se t’ua mbyllë dyert azilkërkuesve kosovarë, BE-ja duhet t’ua shtrëngojë penjtë qeveritarëve të Kosovës. T’ua thotë qartë se nuk do ta kenë përkrahjen e tyre nëse nuk angazhohen seriozisht për ta nxjerrë Kosovën nga mjerimi ku e kanë katandisur. Kështu do t’i mbyllej rruga edhe emigrimit ilegal që shpeshherë është kthyer në tragjedi për kosovarët. Por që shpresa njëmend të rikthehet në këtë vend, duhet të ikë kjo kastë politike. Meqë shumica prej tyre kanë qenë dikur azilantë, BE-ja do të na ndihmonte shumë nëse sërish do t’u jepte azil.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...