Në rrezik edhe shëndetin, edhe xhepin

16 Nëntor 2014 - 08:20 - Valbona Mehmeti      

Kualitetin e ushqimit që e konsumojmë nuk e kontrollon askush. Prandaj na mbetet t’i hapim sytë mirë dhe të analizojmë vetë produktet që blejmë. Dhe të shfrytëzojmë të drejtën për të raportuar çdo parregullsi që e hasim gjatë blerjes së produkteve ushqimore. Kjo, për të mbrojtur edhe shëndetin, edhe xhepin

Mikja ime ka shije të stërholluar për ushqimin. Gjithmonë kujdeset t’i blejë produktet më të reja në treg me shijet më të veçanta. Së fundi përzgjodhi një lloj mjalti të kombinuar me një frutë mali. Me gjithë aftësinë e saj për të dalluar përnjëherë përbërësit e një produkti ushqimor, ajo ende nuk po mund t’i bjerë në fije me cilën frutë mali është kombinuar mjalti që ka zgjedhur ajo.

Tri etiketa me përbërësit mban shishja e mjaltit e blerë në një nga marketet e mëdha të kryeqytetit. Një në kroatisht dhe dy në shqip. Në njërën shkruan se mjalti përmban edhe vishnje, në tjetrën boronicë dhe në të tretën manaferrë.
Ndoshta edhe i ka të tria.

Këtë nuk mund ta dijë konsumuesi i saj. Duket se nuk e di as shitësi i këtij produkti që ia ka ngjitur etiketat një mbi një shishes.
Raste të tilla të produkteve me etiketa të pakuptimta fatkeqësisht hasen shpesh në dyqanet tona. Veç çmimeve të larta që po ia shterojnë çdo ditë xhepin edhe ashtu të ligshtë, konsumatori kosovar është i privuar edhe nga e drejta për të ditur saktë cilësinë e mallit që blen. Kjo, sepse ushqimet kryesisht të importuara nuk i nënshtrohen kontrollit të cilësisë dhe përmbajtjes së saktë që u shkruan në etiketë. Shpesh ndodh që etiketat të mos përkthehen fare në shqip nga gjuha e origjinës prej nga vjen malli, edhe pse ky obligim parashihet me Ligjin mbi ushqimin.

Sipas këtij ligji, në kundërshtim me interesin e konsumatorëve është prodhimi dhe plasimi në treg i ushqimit të pasigurt dhe të papërshtatshëm në pikëpamje shëndetësore; mashtrimi i qëllimshëm në afarizmin me ushqim; falsifikimi i ushqimit me anë të ndërrimit apo mungesa e përbërësve themelorë, të cilët janë të lidhur me një lloj të caktuar apo me një karakteristikë të caktuar të ushqimit; mashtrimi i konsumatorit me anë të shënimeve të pasakta në deklaratë; zbatimi i procedurave të cilat do ta vinin në lajthitje konsumatorin, lajthitje kjo e shkaktuar nga reklamimi i ushqimit.

Ligji mbi mbrojtjen e konsumatorit, pos çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e konsumatorit si pjesëmarrës në procesin e qarkullimit të mallit, ai sanksionon edhe mënyrën për nxjerrjen e artikujve në shitje, si edhe kushtet që duhet të përmbushin. Sipas këtij ligji, konsumatori duhet të jetë plotësisht i informuar për mallrat që ai blen.

Dhjetë parimet kryesore për mbrojtjen e konsumatorit në Bashkimin Evropian janë:

- Bli çfarë dëshiron dhe aty ku ti dëshiron,
- Nëse malli nuk është me funksionin e duhur, ktheje,
- Standarde të larta sigurie për ushqime dhe produkte të tjera,
- Duhet të dish se çfarë je duke ngrënë,
- Kontrata duhet të jetë e drejtë elementare për konsumatorin,
- Ndonjëherë konsumatori mund ta ndryshojë mendjen,
- Krahasimi i çmimeve duhet të jetë i thjeshtë,
- Konsumatorët nuk duhet të çorientohen,
- Duhet të jenë të mbrojtur kur janë në pushime,
- Duhet të ekzistojnë mekanizma efektivë për zgjidhjen e konflikteve lidhur me produktet e blera jashtë vendit.

Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), në mars të vitit 2012 ka zhvilluar një anketë rreth asaj se sa konsumatorët i shfrytëzojnë të drejtat e veta. Anketa ka nxjerrë të dhëna shqetësuese. Është i vogël numri i të anketuarve që fare nuk i besojnë deklaratës mbi cilësinë dhe përbërësit e produkteve që blejnë, 20,2 për qind, ndërkaq 47,5 për qind kanë pak besim në të. Vetëm 9,3 për qind të të anketuarve nuk e kuptojnë deklaratën mbi përbërësit e produktit, pak e kuptojnë, 29,9 për qind, kurse tërësisht 22,7 për qind. Konsumatorët nuk kanë shumë besim në deklaratën mbi afatin e skadimit të produktit. Kështu janë përgjigjur 43 për qind të të anketuarve, ndërsa asaj i besojnë vetëm 15 për qind.

Tregu kosovar përgjithësisht është i varur nga importi. Kjo nënkupton se edhe numri më i madh i produkteve ushqimore vijnë nga tregjet e jashtme. Kështu që edhe problemet, përkatësisht dyshimet për praninë e artikujve që nuk përmbushin standardet, apo të dëmshëm për njeriun dhe shëndetin e tij, kryesisht burojnë nga importi. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti i mallrave të Kosovës për vitin 2013 ka qenë 293. 842 euro, ndërsa importi 2. 449. 064 euro.

Por siguri nuk ka as në prodhimet vendore. Ato ende nuk kanë arritur atë shkallë të cilësisë sa të bëhen brende të kërkuara në treg. Zakonisht kanë probleme me afatin e qëndrueshmërisë dhe nuk janë fort të shijshme. Ndoshta sepse edhe prodhuesit vendorë kanë filluar t’u nënshtrohen “kritereve” të mbijetesës në treg, duke mos ruajtur cilësinë fillestare dhe duke mos përmbushur standardet e nevojshme. Prandaj nuk po arrijnë ta fitojnë besimin e plotë të qytetarëve. Sipas anketës së STRAS-it, se produktet ushqimore me prejardhje nga vendi janë më cilësore se ato të importuara, kanë pohuar 35,4 për qind e të anketuarve.
Për cilësinë e artikujve ushqimorë në treg, si të atyre nga importi, ashtu edhe me burim nga vendi, përgjegjësinë kryesore e ka Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës.

Por kjo agjenci thotë se është përgjegjëse vetëm për të kontrolluar ushqimet nëse janë të sigurta për konsumim, por jo edhe cilësinë e tyre.

Përgjegjësi për kontrollin e cilësisë së produkteve nuk mban as Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë. Kjo do të thotë se kualitetin e ushqimit që e konsumojmë nuk e kontrollon askush. Si rrjedhojë u mbetet konsumatorëve t’i hapin sytë mirë dhe të analizojnë vetë produktet që blejnë.

Zyrtarët nga Zyra për mbrojtjen e konsumatorit thonë se qytetarët e Kosovës shumë pak e shfrytëzojnë të drejtën dhe mundësinë që të raportojnë çdo parregullsi që e hasin gjatë blerjes së produkteve ushqimore, por edhe të atyre joushqimore. Këtë e dëshmon edhe anketa e STRAS-it, sipas së cilës 75,8 për qind e të anketuarve kurrë nuk janë ankuar, ndërsa ndonjëherë 11,1 për qind.

Mbrojtësit e të drejtave të konsumatorit bëjnë thirrje që qytetarët të ankohen tek institucionet përgjegjëse sa herë që hasin në produkte me afat të skaduar apo që nuk i përmbushin kriteret e etiketës.

Por, si duket kosovarët janë mësuar të jetojnë duke iu shkelur të drejtat elementare. Ata nuk ankohen as kur tregu u servon ushqime të pashëndetshme.

Kjo duhet të ndryshojë, sepse ushqimi nuk është luks, por domosdoshmëri. Konsumatori kosovar duhet të bëhet më i zëshëm në mbrojtjen e të drejtave që i takojnë me ligj, sepse veç shpenzimit të parasë, produktet e dyshimta në treg janë kërcënim i vazhdueshëm për shëndetin e tij.

valbona@koha.net

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...