Votoni gratë që e meritojnë

1 Qershor 2014 - 15:08 - Valbona Mehmeti      

Para fillimit të garës për zgjedhjet nacionale, një mikeshë imja më takoi për të më njoftuar se kishte vendosur të angazhohej në politikë. Vendimi i saj nuk më befasoi duke e njohur përgatitjen e saj të lartë profesionale dhe aftësitë e saj diplomatike të komunikimit.

Më befasoi emri i partisë së cilës i ishte bashkuar. Natyra e saj prej një zonje të rafinuar në mendjen time nuk përputhej me imazhin e partisë që kishte zgjedhur. Kur ia shpreha mospajtimin tim, ajo më dha një shpjegim që shpërfaq më së miri mungesën e një partie model në Kosovë. “Kontaktova me përfaqësues të disa partive, nuk po mund të merreshe as vesh me ta. Vetëm me përfaqësuesit e kësaj partie arrita të vendosja një komunikim normal. Nuk është se është zgjedhja më e mirë, por partia që unë do të dëshiroja tash për tash nuk ekziston në Kosovë”, më tha.

Nga biseda me të kuptova se sa e vështirë është për gratë dhe burrat e ndershëm të këtij vendi, që kanë potencial intelektual dhe e kanë pasion politikën, të marrin vendim për t’u angazhuar nëpër subjektet e tanishme politike. Duhet të përpiqen të zgjedhin të keqen më të vogël dhe të futen në to me shpresën se prania e tyre në atë parti do të sjellë ndonjë ndryshim.

Por, a ia vlen të zgjedhësh mes dy të këqijave më të voglën, posaçërisht nëse gjasat për të realizuar një synim për ndryshime pozitive janë tejet të vogla?

Deri më tani nuk është dëshmuar se të aderuarit kanë arritur të bëjnë ndonjë ndryshim të theksuar në partitë e etabluara, ku vendimmarrja është plotësisht në duart e liderit apo të klanit të burrave që e rrethojnë. Nëse është e vështirë për burrat, atëherë mund të paramendohet se sa e vështirë është për gratë të gjejnë hapësirë të mjaftueshme veprimi nëpër këto parti, e lëre më të sjellin ndonjë ndryshim në politikat dhe qasjen e tyre.

Me burra dhe gra të zhytur në krim e korrupsion, me imazh gjithnjë në rënie, partitë, sidomos këto që e provuan pushtetin qendror, duket se kanë filluar të shohin një “shpëtim” duke importuar personalitete ende të padiskredituara politikisht nga radhët e shoqërisë civile, ekspertë të fushave, fytyra më urbane, në mesin e tyre edhe shumë gra.

Janë për t’u admiruar gratë kosovare që sot marrin guximin të përfshihen në politikë në një ambient të dominuar tradicionalisht nga burrat. Por, ajo që këto gra duhet të kenë parim para se t’u futen plotësisht ujërave të politikës është zgjedhja e rrugës së ndershme dhe demokratike për të arritur majat e pushtetit, ku mungesa e grave është shumë e theksuar.

Kryetarja e Kosovës nuk është modeli shembullor i marrjes së postit vendimmarrës. Mënyra se si ajo erdhi në pushtet nuk i jep asaj kredibilitetin e mjaftueshëm për të qenë frymëzim për gratë që synojnë karrierë politike. Posti - qoftë i kryetares së shtetit, qoftë i ministres në qeveri, apo i nënkryetares në parti - nuk duhet të shihet si dhuratë zarfi apo ditëlindjeje, por si rezultat angazhimi dhe dëshmimi të mirëfilltë në profesion apo brenda partisë. Rruga e tillë natyrisht se është shumë e vështirë, kërkon shumë përkushtim e sakrifica, por është rruga e vetme që garanton sukses dhe i hap rrugën përmirësimit të imazhit të grave në politikë.

Nëse duan që zëri i tyre të dëgjohet aty ku merren vendime, gratë politikane së pari duhet të jenë më këmbëngulëse në mbrojtjen e parimeve, në ngritjen e kauzave të drejta dhe imponimin e ideve të tyre në partitë ku veprojnë.

Këtë me siguri nuk mund ta bëjnë në forumet demode dhe të panevojshme të grave, siç funksionojnë në shumicën e partive. Në këto forume ato mund të bëjnë vetëm thashetheme e muhabete të kota për modele të reja frizurash e fustanesh. Funksionimi i këtyre forumeve nuk u ka sjellë grave kurrfarë rezultati në avancimin e të drejtave të tyre. Luftën e tyre gratë politikane duhet ta përqendrojnë nëpër kryesi të partive, aty ku merren vendimet, aty ku burrat çështjet gjinore i diskutojnë vetëm kur duhet respektuar kuotat që ua imponon ligji. Aty gratë duhet të insistojnë në mbrojtjen e parimeve, të respektimit të ligjit dhe të parandalimit të krimit e korrupsionit. Ato nuk duhet t’i verbojë pushteti, por duhet të bëhen pararojë dhe të parandalojnë “verbërimin” e burrave të partisë nga pushteti dhe paraja.

Le ta bëjnë këtë në rend të parë për veten dhe për mijëra gra që me vetëdije apo pa të u bëhen model në zhvillimin e tyre profesional, le ta bëjnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Tekefundit, e gjithë lufta e grave sillet rreth mbrojtjes së familjes dhe mirëqenies së saj. Nëse e gjithë jeta e tyre është sakrificë, le të jetë edhe angazhimi i tyre në politikë sakrificë për një qëllim më të lartë: thyerjen e tabusë se gruas nuk mund t’i besohet udhëheqja.

Me gjithë vetëdijesimin, pozita aktuale e gruas kosovare vazhdon të mbetet e rëndë. Sidomos në zonat rurale. Ato kanë nevojë që dikush të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të tyre në institucionet vendimmarrëse. Këtë me siguri se nuk e presin ta bëjnë burrat, marrë parasysh mentalitetin ende patriarkal të shumicës së politikanëve tanë. Nuk është fjala këtu për një komunitet sa grushti. Është fjala për gjysmën e popullatës (sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2011, Kosova ka 875.900 meshkuj dhe 863.925 femra).

Prandaj, gratë që i rreken politikës duhet të kapërcejnë frikën dhe hezitimet, të lënë anash xhelozitë femërore dhe të bashkohen rreth një qëllimi më të lartë: shkuljes së rrënjëve patriarkale në politikën kosovare.

Megjithëse në listat e partive kësaj radhe ka edhe emra të respektuar grash, për të përmbushur kuotën e përcaktuar gjinore prej 30 për qind, disa parti kanë futur në lista edhe shumë gra që nuk kanë dëshmuar ndonjë arritje profesionale. Partitë e mëdha i kanë sërish në lista edhe emrat e disa grave që ndonëse kanë qenë deputete të disa legjislaturave gjatë mandatit të tyre, nuk mbahen mend për ndonjë iniciativë apo të kenë ngritur zërin për ndonjë çështje. Disa prej tyre madje mbahen mend për skandale, papërgjegjësi dhe mosngritje zëri në çështje të rëndësishme.

Shtetit të brishtë të Kosovës nuk i duhen deputete që gjuajnë burrat me këpucë në parlament, që marrin mëditje pa qenë në seancë, që grushtojnë kolegët nëpër ambasada, që më shumë kujdesen për pamjen e veshjen e tyre firmato në parlament dhe që heshtin kur preken interesat më sublime të shtetit. Kuvendit të Kosovës nuk i duhen gra me standarde të dyfishta, që bëjnë zhurmë, e kur vjen puna e mbrojtjes së parimeve tërhiqen se duhet mbrojtur interesat e shefit të partisë dhe bashkëpartiakëve.

Në këto zgjedhje nuk duhet votuar edhe një herë ato deputete nga legjislatura e kaluar (kryesisht të partive në pushtet) që abstenuan apo votuan kundër futjes së grave të përdhunuara gjatë luftës në Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre. Me votën kundër këto deputete shkelën pamëshirshëm mbi plagën e hapur të rreth 20 mijë grave të dhunuara shqiptare, treguan mosrespektim dhe nëpërkëmbën tragjedinë e tyre.

Dita e zgjedhjeve po afrohet. Dëgjoni me vëmendje kandidatet gra në fushatë. Vlerësoni dhe gjykoni vetë ofertat e tyre politike. Votoni gratë që konsideroni se e meritojnë. Votoni, dhe kur ta marrin pushtetin kërkoni llogari prej tyre, për çdo premtim që kanë dhënë e nuk e kanë mbajtur. Vetëm kështu do të vetëdijesohen politikisht dhe do të instalohet llogaridhënia dhe përgjegjësia për votën e marrë. Por më shumë kërkoni llogari nga shefat e tyre partiakë, sepse janë ata që i mbajnë në duar dizgjinët e qeverisjes. 

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...