13 Mars 2016 - 08:00 - Valbona Mehmeti
Në shkurt të vitit 1999 së bashku me Albanin, fotoreporterin e gazetës dhe Limanin, shoferin, pasi kaluam disa postblloqe të policisë serbe (edhe atë famëkeqin në Komoran) arritëm në Likoc të Drenicës ku ndodhej Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pak ditë më herët kishte ndodhur shkëmbimi i nëntë ushtarëve të UÇK-së të zënë rob nga policia serbe me tetë ushtarë të Federatës së mbetur jugosllave të zënë rob nga forcat e UÇK-së në Shalë të Bajgorës. Në mesin e nëntë ushtarëve të UÇK-së ishte edhe një vajzë. Dëshiroja të intervistoja vajzën rreth përjetimeve dhe trajtimit si rob lufte nga forcat policore serbe.
U gëzova kur mora vesh se vajza ishte në Likoc dhe me ndihmën e fshatarëve arrita ta takoj. Sapo fillova bisedën me të para shtëpisë ku ndodhej shtabi, arriti një veturë me dy-tre ushtarë me uniforma të zeza me shenjën PU në krah, që tregonte se ishin policia ushtarake e UÇK-së. Njëri prej tyre, për të cilin më vonë mora vesh se ishte komandant, na u afrua dhe na kërkoi lejet e obligueshme për gazetarë për të hyrë në territoret e kontrolluara nga UÇK-ja. Lejet lëshoheshin në Prishtinë nga Zyra e përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçi, ndërsa sekretar ishte Albin Kurti. Unë dhe fotoreporteri ishim të pajisur me leje, por shoferi jo, sepse nuk e dinim se duhej leje edhe për shoferin.
Nuk kishte gjë që e bindte komandantin se shoferi nuk ishte ndonjë spiun dhe se ai mund të rrinte me ushtarët gjersa ta kryeja intervistën. E urdhëroi vajzën që të largohet shpejt nga aty, ndërsa neve na u kërcënua se nëse nuk e lëshojmë territorin e UÇK-së brenda pesë minutash do të na arrestonte. Ne përpiqeshim ta bindnim në qëllimin tonë të mirë për të informuar botën se çfarë po ndodh në Kosovë në atë kohë të tmerrshme të luftës e masakrave, por ai vazhdonte të na kërcënonte me arrogancë. Na detyroi të hipnim në veturë dhe na përcolli me veturën e tij prapa gjersa u larguam përfundimisht nga territori prej disa fshatrash që kontrollohej nga UÇK-ja.
Ky është vetëm njëri nga shumë raste të maltretimit të gazetarëve nga pjesëtarë të UÇK-së. Ka pasur raste kur si “në shaka” na e kanë drejtuar edhe revolen. Ishte e vështirë si gazetar të përjetoje këso trajtimi nga ata që i konsideroje luftëtarë lirie të vendit tënd, pasi i kaloje me njëqind ethe pesë a gjashtë postblloqe të frikshme të policisë serbe, nga të cilat mund të mos dilje gjallë.
Fatkeqësisht, komandantët nuk silleshin kështu vetëm me gazetarë, por edhe me banorët lokalë. Nëpër varrime të viktimave dhe ushtarëve të vrarë ata vinin me xhipa, duke ecur me pompozitet dhe aktronin një lloj pushteti para popullatës. Gazetarët që raportonin nga lufta i vërenin këto, por sjelljet e tyre arrogante atëbotë i arsyetonin me gjendjen e jashtëzakonshme të luftës. Ishin këta djem që ia kishin kthyer pushkën policisë e ushtrisë serbe dhe kishin ngjallur krenari, vetëbesim dhe shpresë te populli se liria nuk ishte larg. Që e kapën pushkën dhe iu kundërvunë një pushtuesi të egër do ta kenë përjetë respektin e qytetarëve. Por jo edhe për ato që i bënë pas luftës.
Kapadaillëkun që e shprehnin në fshatrat që kontrollonin, me të përfunduar lufta e bartën në qytete dhe në kryeqytet. Uria me të cilën iu qasën grabitjes së shtetit, uzurpimit të pronave publike por edhe atyre private, tregon se ideal i tyre nuk ishte ndërtimi i një shteti të zhvilluar, ku sundojnë ligji e barazia për të gjithë, por pasurimi i shpejtë.
Është normale që si ushtar që ke kontribuuar në çlirimin e vendit të presësh ndonjë shpërblim, të gëzosh respekt dhe të kesh një pagë dinjitoze. Por nuk është e drejtë që të plaçkitësh pasurinë e popullit në emër të luftës.
Komandantët u thirrën në vlera të luftës, por në paqe i lanë në baltë ushtarët e vet. Rreth 40 ish-ushtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje pas lufte nga traumat, dëshpërimi apo nga skamja. Mos i ka dëgjuar dikush komandantët t’i përmendin ose të marrin ndonjë iniciativë për të ndihmuar familjet e tyre.
Ishin të zënë duke marrë në shpejtësi tituj akademikë. E manipuluan edhe procesin e verifikimit të veteranëve dhe u deshën të kalojnë 17 vjet për të bërë një ligj që u jep një kompensim solid atyre ushtarëve që e patën sinqerisht edhe luftën, edhe paqen.
Komandantët sot bëjnë jetë komode në shtëpi me pishina, i shkollojnë fëmijët në shkolla private, gratë e tyre vishen me markat më të shtrenjta, bëjnë shoping jashtë vendit dhe voziten me vetura luksoze (disa madje “të grabitura” nga sallonet e shitjes së veturave).
Kulturën e superioritetit në emër të luftës e mbollën edhe në familjet e veta. Bijtë e tyre sillen me armë në brez, ndërsa bashkëshortet sillen nëpër dyqane me arrogancë, shpesh duke marrë mallin pa e paguar fare. Mjafton t’ua përmendin shitësve emrat e burrave të tyre dhe nënkuptohet se nuk duhet të paguajnë.
Para disa vitesh gjersa shikoja një setër për femra në një dyqan, shitësja m’u afrua dhe për të më bindur ta blija më tha: “Edhe gruaja e filan komandantit e ka blerë”. 450 euro i shënonte çmimi në etiketë. “A je e sigurt që e ka paguar?”, e pyeta duke qeshur. Shitësja qeshi. Përgjigjen e mora me mend duke e ditur një rrëfim tjetër për gruan e këtij komandanti, kur ishte larguar pa paguar madje edhe një faturë qesharake shëndetësore.
Në përpjekjet për ta kthyer veten në elitë, komandantët ende po i tradhton uria për pushtet. Po ua zhvesh maskat dhe po dalin ata kapadainjtë që “zbritën nga mali”. Këtë e dëshmuan ditëve të fundit me polemikat për tradhti e pabesi në kohën para dhe gjatë luftës.
Për më shumë se një dekadë qytetarët nuk kanë guxuar të flasin publikisht për bëmat e pasluftës së komandantëve. Duke dëgjuar histori kërcënimesh, haraçi e shantazhi ndaj bizneseve dhe individëve, heshtja ishte mënyra e vetme për të mos i hapur vetes telashe. Ishte koha kur komandantët grumbullonin pasuri. Tash kur pasuria e tyre ka arritur milionat, as komandantëve më nuk u bën përshtypje çka shkruajnë mediat as kush çka flet për ta në rrjete sociale. Sepse kanë arritur fuqinë që e kanë synuar: pasuri dhe pushtet.
Gjatë luftës pothuajse të gjithë komandantët mbanin nofka që ua kishin përshtatur pak a shumë karakterit të tyre dhe rrethanave jetësore. Kryesisht numra dhe emra kafshësh të fuqishme. Disa madje tingëllonin qesharake.
Gjatë gjithë këtyre vjetëve të pas luftës kanë mundur të vazhdojnë ta thërrasin njëri-tjetrin me nofka. Por tash me të tjera. Më së miri do t’u përshtateshin: Komandant Euro, Komandant Dollari, Komandant Frangu…
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...