Vigani i drejtësisë

25 Mars 2015 - 12:08 - Valbona Mehmeti      

Ishte intelektual i një kalibri të madh që sot i mungon aq shumë Kosovës. Por mbi të gjitha, Bajram Kelmendi ishte një burrë i guximshëm. Ashtu si iu kundërvu Milosheviqit, do t’u kundërvihej sot të padijshmëve që po e vrasin Kosovën e ëndrrave të tij

“Ulu!”, më tha me zë të ashpër, duke bërë me kokë nga karrigia, pa i ngritur sytë nga letra që lexonte. Vëmendja e tij ishte e përqendruar plotësisht tek letra. Prisja që ta kryente leximin dhe t’i tregoja arsyen e shkuarjes në zyrë. Kaluan disa minuta por leximi nuk po mbaronte. Më dukej e pasjellshme ta ndërprisja. Ishte mbrëmje dhe gazeta edhe dy-tri orë do të duhej të përmbyllej. Si gazetare fillestare që isha, ndjenja se do të vonohesha ta kryeja detyrën që më ishte dhënë vetëm ma shtonte sikletin.

Nuk e kisha takuar kurrë më parë. Një deklaratë e tij e xhiruar në një videokasetë nga mesi i ‘90-ve rreth çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi më pati irrituar shumë. “Ku keni pa me fitu një popull lirinë pa gjak, ku?!”, pyeste aty, duke i shtrënguar dhëmbët e zgurdulluar sytë. “Ky njeri po dojka me na fut në luftë”, pata menduar atëherë.

E rikujtoja atë deklaratë gjersa stërvitja durimin në pritje që ai të përfundonte leximin dhe unë të merrja materialin që më duhej dhe të ikja sa më shpejt.

Dikur iu kujtua se isha aty. “Për çka ke ardhë?”, më pyeti, sërish pa i larguar sytë nga letra. Pamja e tij dhe vrazhdësia me të cilën më drejtohej më fuste frikë. Ma humbi fillin e asaj që duhej t’i thosha. “Redaktori më ka dërguar ta marr aktakuzën kundër Adem Jasharit dhe të tjerëve”, i thashë. “Nuk bën” , më tha prerë. Mënyra se si fliste e hidhte poshtë çdo mundësi për ta bindur që të na jepte aktakuzën e ngritur nga pushteti serb kundër kryengritësit shqiptar dhe grupit të tij prej rreth njëzet vetash, shumë prej tyre tani figura të politikës.

Sa mendova se do të kthehesha në redaksi pa gjë, me po të njëjtin ton të ashpër më tha: “T’i jap vetëm ato informacione që bën me dalë në gazetë. Shkruaj!”. Fillova të shkruaja, ndërsa ai diktonte. Gjersa fliste vazhdimisht më udhëzonte ku duhej të vija presjen, pikën, ë-në, kur fillonte kryerreshti... Ky ishte kulmi. Ndihesha e ofenduar. “Sa kohën ma humbi tash edhe drejtshkrim të më mësojë”, mendoja me vete. Kur përfundoi diktimin unë tashmë i kisha të gjitha informatat e sakta që përbënin lajmin, mos të them se e kisha lajmin pothuajse të shkruar. U largova e impresionuar, pa e ditur se atë ditë po fillonte me të një bashkëpunim i ndërsjellë në luftën e përbashkët për të informuar drejt dhe saktë botën për padrejtësitë që po i bëheshin një populli të pambrojtur në një cep të Evropës.

Njeriu i madh

Kështu u njoha me avokatin, intelektualin dhe luftëtarin e madh për të drejtat e shqiptarëve, Bajram Kelmendi. Bashkëpunimi i gazetarëve me të ishte i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Ai ishte kudo ku duhej mbrojtur me fakte e argumente të drejtat e shkelura të shqiptarëve nga regjimi serb: në gjykimet e montuara politike, në konferencat ku trajtohej çështja e shqiptarëve, në të gjitha proceset politike nëpër të cilat kalonte Kosova, në dokumentimin e torturave, keqtrajtimeve, përdhunimeve, vrasjeve masive e spastrimit etnik.

Ai ishte edhe atje ku askush tjetër pos tij nuk mund të ishte. Në krye të detyrës për ta qëlluar në kokë shkaktarin dhe orkestruesin e të gjitha të zezave ndaj shqiptarëve, Slobodan Milosheviq. Ngritjen e kallëzimit penal në Hagë. Kjo detyrë do t’i kushtonte Kelmendit jo vetëm me jetën e tij, por edhe të dy bijve.

Në gjykimet e montuara politike me forcën e argumentit avokati Bajram Kelmendi i zhvishte lakuriq aktakuzat e montuara kundër shqiptarëve të përpiluara sipas nenit famëkeq 136 “bashkimi për veprimtari armiqësore”. Kur fliste në gjykatore nuk ndihej asnjë zë. Me oratorinë dhe teatralitetin e tij, pamjen prej vigani dhe zërin kumbues, i magjepste edhe gjyqtarët e prokurorët serbë. E adhuronin dhe e urrenin për dijen e tij, njëkohësisht. Kam qenë prezente kur në pauzë të njërit nga gjykimet më të rënda, të të ashtuquajturit Grup i Ferizajt, ku gjatë hetimeve nga dhuna shtazarake dy të arrestuar kishin vdekur në duart e policisë, iu afrua gjyqtari serb Dragolub Zdravkoviq, ia dha dorën dhe i tha: “Bajram, ke qenë i shkëlqyeshëm!”.

Raportet nga gjykimet ku Kelmendi ishte mbrojtës nuk ishin thjesht raporte gazetareske. Vlerësimet që u bënte ai gjykimeve ishin mesazhe për politikën ndërkombëtare se duhej të intervenonte që të ndalte represionin politik e fizik kundër shqiptarëve. Tashmë nuk i kisha problem diktimet e tij. E kisha kuptuar se prapa “arrogancës” fshihte fanatizmin për të folur dhe shkruar bukur gjuhën shqipe dhe transmetimin sa më të saktë të fjalëve të tij. Aq të fuqishme ishin vlerësimet e tij sa më vinte gjynah kur duhej t’i shkurtoja shkaku i hapësirës së kufizuar në gazetë.

Bajram Kelmendi nuk ishte vetëm avokat. Ishte një personalitet kompleks. I adhuronte artin dhe poezinë. Disi nuk i shkonin me pamjen këto virtyte… Pata mbetur pa fjalë kur e pata dëgjuar të recitonte “Lahutën e Malcisë” apo vargjet e tij të preferuara të “Rubairave” të Khajamit: Ah, nesër Botën plot shamat’ e lashë/Nga qindra xhevahire njëz’i dhashë/Pa folur kanë mbetur qindra fjalë/Se nuk i merrte vesh kjo Bot’ e trashë/. Duhej ta ndërprisnin kolegët se nuk dinte të ndalej kur recitonte.

Ai ishte intelektual i një kalibri të madh që sot i mungon aq shumë Kosovës. Por mbi të gjitha, Bajram Kelmendi ishte një burrë i guximshëm. Trimërinë e dëshmoi kur midis Beogradit në një konferencë për të drejtat e njeriut, në nëntor 1998, ia numëroi kryetarit të atëhershëm të asaj copë Jugosllavie, Slobodan Milosheviq, krimet që po kryente në Kosovë. Pas kallëzimit penal që kishte dorëzuar në Hagë, ku e akuzonte Milosheviqin për gjenocid ndaj shqiptarëve, ky deklarim do t’ia vuloste Kelmendit ekzekutimin pa gjyq.

Në natën e fillimit të bombardimeve ajrore të NATO-s, Milosheviqi do ta fillonte hakmarrjen. E kishte menduar mirë. Do të vriste dy zogj me një gur. Duke e eliminuar kundërshtarin e tij të përbetuar do të fuste panik ndër shqiptarët: se shfarosja e tyre do të niste nga kokat më intelektuale të kombit.

Më 25 mars 1999, trupi i pajetë i Kelmendit dhe të dy bijve të tij u gjetën në një lëndinë në afërsi të Prishtinës. Krimi kurrë nuk shpëton pa dëshmitarë. Edhe krimi ndaj Kelmendëve ka dëshmitar. Por dëshmia e tij kurrë nuk u bë bazë për nisje hetimesh as nga institucionet vendëse të drejtësisë, as nga misionet ndërkombëtare. Kelmendi me të bijtë nuk u vranë as nga paramilitarë, as nga civilë serbë. Ata u morën në shtëpinë e tyre nga forcat e rregullta të policisë serbe. Me urdhër të Milosheviqit.

Se Milosheviqi ishte në dijeni për organizimin e vrasjes së avokatit Kelmendi e kishte pohuar në Tribunalin e Hagës ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. I pyetur nga prokurori Geoffrey Nice se gjatë takimit të tij në Beograd me Milosheviqin në maj 1999, a kishte mundur të kuptonte nëse Milosheviqi ishte në dijeni se kush e kishte organizuar vrasjen e Kelmendit dhe djemve, Ibrahim Rugova ishte përgjigjur: “Po, ishte në dijeni”.

Vrasja e pazbardhur

Vrasja e Kelmendit dhe e bijve vazhdon të mbetet vrasje politike e pazbardhur e kryer nga forcat serbe gjatë luftës.

Tribunali i Hagës i ka mbledhur provat materiale, i ka marrë deklaratat e familjes Kelmendi dhe të dëshmitarit të vetëm të vrasjes së tyre, por kurrë nuk është ndërmarrë asgjë rreth sjelljes para drejtësisë të ekzekutorëve dhe eprorëve të tyre, sepse urdhërdhënësi tashmë ka vdekur. As Fondi për të Drejtën Humanitare nuk ka arritur të zbulojë ekzekutuesit dhe organizatorët. Kurse për institucionet e drejtësisë kosovare s’ka as çka të flitet.

Më kujtohet në një rast kur, gjersa diskutonte me kolegët e tij nëse është më i drejtë vazhdimi i rrugës paqësore i rezistencës apo i asaj të armatosur që e kishin nisur djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, avokati Kelmendi tha: “Ata djem duhet përkrahur”. Sepse ai e kishte thënë qëmoti “Liria nuk fitohet pa gjak”.

Por ata djemtë për të cilët Bajram Kelmendi kërkonte përkrahje, shumë prej të cilëve i kishte mbrojtur në mungesë para gjyqit serb, pas përfundimit të luftës “nuk patën kohë” të merren me sjelljen para drejtësisë as të vrasësve të Kelmendëve, as të vrasësve të mijëra bashkëkombësve të tjerë të vrarë nga kriminelët serbë. Ata ishin të zënë me përvetësimin e pushtetit dhe pasurimin personal, në mënyrat më të ulëta. Ata i dhanë vetes privilegje e pushtet duke u thirrur në gjakun e mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për liri, sikurse Kelmendët. Në vend se të kërkojnë dhe të punojnë për vendosjen e drejtësisë në vend, ata u bënë krimi vetë.

Për 16 vjet në pushtet, ata nuk treguan interesim për të ndërtuar një shtet me institucione të forta të drejtësisë që do të ndriçonin vrasjet e luftës e besa edhe ato të pasluftës. E sollën Kosovën në situatën që t’i mohojë gjykatat e veta të krijuara me shumë mund dhe të kërkojë drejtësi për veten në një Gjykatë speciale jashtë saj. E sollën në situatë që dikush të guxojë të propozojë që një rrugë në Kosovë të mbajë emrin e kriminelit Milosheviq.

Jam shumë e bindur se po të ishte gjallë Bajram Kelmendi kurrë nuk do të lejonte degradimin kaq të madh jo vetëm të drejtësisë, por edhe të politikës kosovare. Ai kishte pasur guximin, dijen dhe aftësinë për ta ngritur zërin dhe për t’iu kundërvënë me mjete juridike edhe regjimit vrasës të Milosheviqit.

Nuk do të lejonte kurrë që disa njerëz të padijshëm të shkelin pamëshirshëm mbi vlerat dhe lirinë e një populli dhe t’ia vrasin asaj shpresat. Ta vrasin Kosovën e ëndrrave të tij. Do t’i luftonte edhe këta ashtu siç dinte: pa frikë dhe me drejtësi.

© KOHA
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...