Optimistët me buzëqeshje të ngrira

8 Janar 2015 - 21:55 - Valbona Mehmeti      

Optimizmi joracional po zbehet dhe zemërimi po shtohet. Kërkohen vetëm politikanë të sinqertë që t’u prijnë ndryshimeve. Qoftë viti 2015 vit i zemërimit kundër së keqes dhe i angazhimit për të mirën e përgjithshme

Vëllai im ishte rreth të njëzetave kur vendosi të ndiqte ëndrrën e vet. Mërgoi në Londër. Atje e shihte të ardhmen, sepse në vendlindjen e tij atëbotë e ardhmja kufizohej në ditë mbijetese mes kërbaçit të policit dhe racizmit shtetëror. Kosova ishte e okupuar nga një regjim i etur për gjak të të pafajshmëve, të cilët ishin të përjashtuar nga jeta publike, s’kishin asnjë mundësi punësimi, vijonin studimet nëpër shtëpitë-shkolla dhe përndiqeshin nga policia serbe për t’i dërguar në luftërat e ushtrisë jugosllave.

Gjenerata e vëllait tim shihej si mish për top në konfliktet që as nuk ishin tonat, as nuk i kishim shkaktuar ne. Në verën e vitit 1995, pas mijëra vështirësive, ai ia doli të mbërrinte në ishullin e premtuar.

Rreth njëzet vjet pas Gjermania, Britania e Madhe, Amerika, Kanadaja, Franca vazhdojnë të jenë vendet ku duan të jetojnë shumica e të rinjve kosovarë. Këta të rinj nuk përndiqen më nga policia e huaj, janë të lirë të shkollohen në objektet adekuate, jetojnë në Kosovën shtet të pavarur. Megjithatë, ata duan të largohen sa më parë, sepse shteti i tyre nuk po ua hap rrugët e perspektivës. Po ua hap rrugët e dëshpërimit.

Rezultatet e anketave ndërkombëtare ka vite që i radhisin kosovarët në krye të listës së qytetarëve më optimistë në botë. Gjithnjë i kam marrë me dyshim rezultatet e tyre. Jo se kam dyshuar në saktësinë e anketave, por në përgjigjet e të anketuarve. I kam parë ato më shumë si një shenjë dalldie qytetare në kohë të ndryshme të anketimit.

Në sondazhet e viteve të para të pasluftës entuziazmi i pafrenueshëm lidhej me ardhjen e lirisë së shumëpritur dhe shpresën se liria vetvetiu do t’i zgjidhë të gjitha problemet. Një lloj ilaçi për të gjitha lëngatat. Pas shpalljes së pavarësisë optimizmi erdhi me dallgë të reja. Notuam si shoqëri mbi këto dallgë me shpresën se shteti i ri do të sillte mirëqenie, siguri politike dhe mundësi më të mëdha ekonomike. Ky kalërim mbi valë gati kaloi në delir.

Si qytetare dhe gazetare që e jeton të njëjtin realitet me të anketuarit, dy shpjegime më vinin në mendje lidhur me këtë optimizëm dhe lumturi të pakuptueshme të kosovarëve. Ose optimizmi i tyre ishte ikje e pavetëdijshme nga realiteti, ose të anketuarit i takonin grupit të njerëzve që Lincolni i përshkruante si “të lumtur, se ashtu e kanë bindur veten të jenë!” Por me gjasë shpjegimi më real është ai që një qytetar i thjeshtë e jep në një emision në radio: “Jemi optimistë, se nuk kemi kah me ja mbajtë!”

Kosova vazhdon të rangohet ndër dhjetë vendet më optimiste të botës. Por, kundër këtij optimizmi flasin shifrat. Derisa në vitin 2008 nga Kosova u larguan për të kërkuar azil në Evropën Perëndimore 6.600 persona, në vitin 2013 ky numër kaloi 20 mijë, ndërsa vlerësohet se më 2014 numri i të mërguarve do të jetë mbi 23 mijë. Për 7 vjet Kosovën e pavarur e kanë braktisur rreth 100 mijë njerëz – pa llogaritur këtu mërgimet legale, sidomos përmes martesave mes të rinjve e të rejave të Kosovës me bashkëkombës e bashkëkombëse në diasporë. Kjo situatë do të duhej ta alarmonte çdo qeveri. Sepse sa real ishte optimizmi kosovar po tregojnë kolonat e autobusëve të mbushur plot me të rinj që në këtë vit të mbrapshtë po ua kthejnë shpinën familjeve të veta dhe vendit.

Vrapi pas lumturisë, qoftë shpirtërore, qoftë materiale është e drejtë e pamohueshme e secilit qytetar të botës. Pse u dashka t’i mohohet qytetarit të Kosovës përpjekja për një jetë më të dinjitetshme që nuk ia ofron shteti i tij? Nuk janë fajtorë qytetarët që po ikin. Ata po i ndjek fryma e ligë e kohës që buron nga keqqeverisja e vazhdueshme. Çfarë duhet të bëjë një qytetar i cili nuk mund të sigurojë në shtetin e tij një vend pune për të mbajtur familjen? Të rrijë e të bëjë sehir derisa drejtuesit e shtetit të ngopen nga hajnitë dhe t’ua hedhin nga një kockë tjetër mashtrimi në këmbim të votës?

Të shesësh pronat dhe gjithë çfarë ke në kërkim të një jete më të mirë duhet të kesh një hall të madh. Një rini plot energji kërkon të shpërthejë e t’ia gjejë çarenë vetes. Ky shtet nuk ka të drejtë as morale, as ligjore të ndalojë të rinjtë që largohen qoftë duke rrezikuar edhe jetën në kërkim të lumturisë. Le të tingëllojë madje edhe jopatriotike, por unë e arsyetoj veprimin guximtar të të rinjve kosovarë. Ashtu si e kam arsyetuar 20 vjet më parë largimin me plot rreziqe të vëllait tim. Sepse guximi është kusht i përparimit të njeriut dhe i ndryshimit të rrethanave shoqërore.

Ky guxim sot manifestohet te një pjesë e të rinjve përmes largimit, por nesër mund të shndërrohet në fuqi për ndryshim, siç e kemi parë në zgjedhjet e fundit presidenciale në Rumani, ku mobilizimi masiv i diasporës ndikoi që më në fund të zgjidhej një president me duar të pastra. Kjo ditë duket e largët për Kosovën, por vetëm në shikim të parë, sepse ata që e mbijetojnë natën e Vitit të Ri në kampe refugjatësh gjithandej Evropës, në stacione trenash e autobusësh apo në motele të pista të Vojvodinës, nuk e kanë marrë me vete gjithë zemërimin. E kanë lënë do edhe këtu. Optimizmi joracional po zbehet dhe zemërimi po shtohet. Kërkohen vetëm politikanë të sinqertë që t’u prijnë ndryshimeve.

Qoftë viti 2015 vit i zemërimit kundër së keqes dhe i angazhimit për të mirën e përgjithshme.

[email protected]

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...