Të pafuqishëm përballë ekstremizmit fetar

28 Qershor 2015 - 08:07 - Valbona Mehmeti      

Ekstremizmi fetar në rritje, i identifikuar së fundi edhe nga Departamenti amerikan i shtetit, sigurisht se nuk është forca dominuese në shoqërinë kosovare. Por, nëse shteti dhe shoqëria vazhdojnë të mos e pranojnë problemin të tillë siç është – shumë serioz – kërcënimi do të rritet, dhe dikur mund të jetë vonë

“Me uniformën e infermieres dhe me shaminë e bardhë të mbështjellë me kujdes në kokë, duke mos lënë jashtë saj asnjë fije floku, ajo ngjitet shkallëve të Klinikës së Gjinekologjisë pa i përfillur shikimet kureshtare të kalimtarëve. Pasi u ofron përkujdesje pacienteve të shtrira në këtë klinikë, diku nga mesdita, ajo futet në ndonjë nga dhomat e lira të klinikës dhe fillon ritualin islam të namazit. Çdo të premte dhe të marte ajo shkon në lokalet e shoqatës ‘Dituria’, ku së bashku me shumë vajza të reja prishtinase dëgjon ‘dersin’ (ligjëratën) e një predikueseje të ardhur nga Shqipëria…”.

Ky ishte fillimi i një artikulli të shkruar gjashtë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, të botuar në “Koha Ditore”, më 4 janar të vitit 2000. Titullohej “Kthimi i çuditshëm nga Zoti”.

Infermierja e re ishte e vetmja punëtore e mbuluar me shami që punonte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që atëkohë rimëkëmbej kryesisht nga ndihmat që ia sillnin organizatat humanitare ndërkombëtare, ndër to edhe aso nga Lindja e Largët. Sot me siguri ka shumë si ajo.

Megjithëse nga perspektiva e tashme, duke praktikuar fenë në institucione publike infermierja ushtronte një të drejtë universale, në kaosin e atëhershëm, kur Kosova nuk kishte ligje, kjo ishte diçka e pazakonshme.
As menaxhmenti i klinikës nuk e kishte të qartë nëse lejohej shamia në institucion shëndetësor ose jo. Por, shamia e infermieres bënte punë për të përfituar ndihma.

"Le të shihet këndej pari me shami sa për ta parë këta të organizatave humanitare (arabe v.j.) që po na sjellin ndihma”, më pati thënë një mjek i klinikës.

Kosova e pasluftës u bë terreni më i përshtatshëm i depërtimit të kulturave e traditave të llojllojshme si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja. Kufijtë e vendit nën protektorat ndërkombëtar ishin në “promajë”. Mund të hynte e të dilte kush të donte, të bënte çfarë të donte. Konsiderohej se rreth 70 mijë të huaj ndodheshin në Kosovë atëkohë. Sociologu Anton Berishaj vlerësonte në artikull se sasia e madhe e kulturës që tentonte të futej në Kosovë ishte “shumë më e madhe sesa mund ta gëlltiste dhe ta pranonte populli i Kosovës”.

Kosova nuk ishte shtet. Qeverisej nga ndërkombëtarët, nuk kishte institucione të konsoliduara as të pushtetit e as të sigurisë.

Të gjendur në një situatë të re, pa kërcënimin e zhdukjes fizike si komb, por me trauma të rënda të luftës, humbjeve materiale dhe shpirtërore, shqiptarët filluan t’i ktheheshin praktikimit të feve. Dikush nga hatri e dikush nga zori.

Sikurse infermierja, rrugëve të qyteteve të Kosovës filluan të shiheshin shumë vajza e gra me shami dhe mantele deri në fund të këmbëve.

Organizata humanitare ndërkombëtare me mision të fshehur për përhapjen e fesë si islame ashtu edhe katolike apo protestante, përdorën metodat e vjetra mijëravjeçare të përvetësimit të besimtarëve, duke u ofruar të mira materiale, para e ushqime familjeve të mbetura pa shtëpi e katandi nga shkatërrimet e luftës.

Në këmbim, atyre u kërkohej të mbulonin vajzat e gratë apo të frekuentonin tempujt fetarë ku mbanin ligjërata predikues të dyshimtë. Si komunitet shumicë, ai islam iu nënshtrua më shumë rrymave ekstreme fetare.

Këto organizata shtrinin ndikimin edhe në shkollat fillore, duke u bashkëngjitur lodrave apo veshmbathjeve për vogëlushët edhe ca broshura indoktrinuese fetare. Personeli arsimor i shkollave as që i kontrollonte ato.

Për mjekun e klinikës, personelin arsimor, sikurse edhe për familjet skamnore, më e rëndësishme atëbotë ishte të merrnin ndonjë donacion që do t’u zgjidhte problemin e mungesave të shumta. Askush nuk shikonte më larg. Askush nuk brengosej se si po lëshonte rrënjë “një trup i huaj” brenda kulturës dhe traditës fetare me pasoja të rënda për vendin.

Në grackën e organizatave humanitare nga bota arabe ra edhe Bashkësia Islame e Kosovës. Ajo dështoi ta mbikëqyrë dhe ta mbajë jashtë ndikimeve ekstreme fenë islame në Kosovë. Përfaqësuesi i BIK-ut, Resul Rexhepi, në artikullin e vitit 2000 i kishte deklaruar gazetës se “janë vetëm thashetheme pohimet për kushtëzim ndihmash dhe ndikim të organizatave të huaja tek komuniteti islam”. (Javën e fundit pesë organizata joqeveritare janë bastisur nga Policia nën dyshimin se nëpërmjet tyre është financuar terrorizmi dhe janë shpëlarë para në Kosovë).

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, situata e përshkruar në artikullin e lartpërmendur jo që nuk është përmirësuar, por ka degraduar edhe më shumë.

Kosova tash është shtet, ka institucione politike dhe të sigurisë, por ende nuk po arrin t’i ofrojë qytetarit të vet arsimim të mirëfilltë, shërbime të mira shëndetësore, vend pune të sigurt, mirëqenie të plotë. Dhe kur shteti nuk arrin t’i ofrojë standard të mirë jetese, qytetari humb besimin në shtet dhe kërkon të gjejë prehje e mbështetje në fe e në zot.

Nga një anketë e organizatës “Gallup International” rreth religjiozitetit të qytetarëve në shtete të ndryshme të botës, përqindja më e lartë e qytetarëve që nuk i japin rëndësi fesë del në shtetet me ekonomi të zhvilluar. Në Suedi 83 për qind e qytetarëve nuk i kushtojnë rëndësi fesë, në Danimarkë, 80.5, në Norvegji e Estoni 78 për qind, në Holandë e Hong-Kong 75.5, në Japoni 75, në Çeki 74.5 dhe në Britani të Madhe 73 për qind.

Në shtetet e rajonit, ish-republika jugosllave, përqindja e qytetarëve që nuk u bën fort për fenë del të jetë e vogël. Për fenë nuk brengosen shumë vetëm sllovenët; 52.5 për qind e tyre nuk i kushtojnë rëndësi fesë, në Malin e Zi 48 për qind, në Serbi 46.5, ndërsa qytetarët e Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës janë përafërsisht njësoj joreligjiozë, rreth 30.5 deri 31.5 për qind. Më religjiozët dalin të jenë shtetasit e Maqedonisë fqinje (duke përfshirë këtu edhe shqiptarët). Vetëm çdo i pesti banor i këtij shteti nuk mban shpresa te zoti.

Mjerimi ekonomik, politik dhe social ku e kanë futur shtetin politikanët e korruptuar të pasluftës, ka bërë që qytetari kosovar të rrëshqasë edhe në kriza identiteti të përkatësisë, kriza këto që e “hedhin” me lehtësi në krahët e rrymave ekstreme të fesë.

Për pasojë sot kemi një ndarje të çuditshme mes besimtarëve shqiptarë të fesë islame. Atyre që përpiqen të ruajnë myslimanizmin “e lehtë” tradicional kosovar që vazhdojnë të bëjnë jetë “evropiane”, por që agjërojnë dhe mbajnë festat fetare, dhe atyre që propagandojnë islamin radikal, duke ndryshuar veshje, mënyrë jetese e madje edhe duke vrarë e prerë në emër të fesë, në lufta të huaja.

Ekstremizmi fetar në rritje, i identifikuar së fundi edhe nga Departamenti amerikan i shtetit, sigurisht se nuk është forca dominuese në shoqërinë kosovare. Edhe më tej shqiptarët shquhen për tolerancën fetare dhe synimin për t’iu bashkuar Perëndimit.

Por, mbyllja e syve përpara realitetit të shtimit të islamit ekstrem ndër shqiptarë në Kosovë, ashtu siç kemi bërë që nga fundi i luftës e deri tani, vetëm sa do ta shtojë kërcënimin, i cili sot është shumëfish më i madh dhe më i rëndë sesa në vitin 2000.

Me gjithë problemet e tjera që ka, Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të mos shqetësohet për këtë problem të madh, sepse një ditë mund të bëhet vonë.

valbona@koha.net 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...