Frontet e trashëgimisë

20 Prill 2014 - 17:28 - Brikenda Rexhepi      

Shikimi nga e ardhmja dhe Bashkimi Evropian, me çka mburren udhëheqësit institucionalë të Kosovës, nuk është shpëtimi i kosovarëve. Në Evropë secili ka një traditë që e do më shumë, e promovon dhe e bën të mburret. Më këtë qasje të Kosovës ndaj trashëgimisë së vet s’do të mbetet gjë deri në kohën kur ajo të ketë hyrë në BE

Janë tri qytete jo larg njëra – tjetrës, që kur kapërcen nëpër to dhe i krahason kupton se sa e çmon Kosova vetveten.

Prej SELANIKUT, ku sheshet moderne dhe gërmadhat e konservuara romake bashkëjetojnë e ku rruga e rrahur nga ushtarët romakë dhe tregtarët e Bizantit ruhen si atraksioni i metros 3.5 miliardësh në ndërtim, kapërcehet nëpër SHKUPIN e shëmtuar me kopjet e ndërtesave antike e statujave të këtij shekulli si një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar identitetin që nuk ekziston, dhe mbërrin në PRISHTINËN që nuk i ngjan të parit, as të dytit. Është kryeqyteti i vendit që as nuk i ruan monumentet e shekujve të shkuar si Selaniku dhe as nuk ka nevojë t’i shpikë ato si Shkupi. Këtu në shumë raste monumentet më me qejf mënjanohen. Kryesisht për të lëshuar vend, jo se ua ka inat ndokush.

Shteti i Kosovës, siç tregohet në praktikë, nuk e ka të rëndësishme trashëgiminë kulturore dhe as ruajtjen e identitetit të vet. Kritikave të shumta për këtë nga brenda dhe jashtë, institucionet kosovare u përgjigjen me arsyetime që nisin nga korniza ligjore, kapacitetet, e deri te shpërfillja nga UNESCO-ja.

Qe 15 vjet Kosova ka ngritur formalisht trupa qendrorë, lokalë, specialë... që do t’ia ruanin trashëgiminë - ministri, institute, këshilla, borde, departamente, task forca, e të tjerë. Kjo ushtri institucionale ende nuk ka bërë as inventarizim të trashëgimisë kulturore - një listë të përhershme që është e obligueshme edhe me ligj. Në mos për asgjë, së paku për brezat e ardhshëm që ta dinë se diku dikur ka ekzistuar diçka e vjetër dhe e bukur ashtu siç ka qenë.

Trashëgimia kulturore e Kosovës sot i ka të hapura disa fronte dhe shtetin nuk e ka aleat, përkundrazi.

Qytetarët e Prishtinës kanë qenë dëshmitarë të sulmeve brutale ndaj objektit njëshekullor në krye të korzos, “Unionit”, nga vetë Komuna e Prishtinës dhe para syve të Qeverisë e Kuvendit. Këmbëngulja e qytetarëve për ta ruajtur e restauruar dhe ajo e pushtetit për ta rrënuar u përmbyllën me djegien e tij dhe ngritjen e një objekti të ngjashëm, por që zjarri ia kishte marrë vlerat e trashëgimisë. Kushdo që ia ka vënë zjarrin këtij objekti ka kryer vepër penale, por i dënuar nuk është askush, sepse nuk ka të dyshuar dhe ‘nuk dihet motivi’.

Këtë javë “E diela me ‘Kohën Ditore’” ka rikthyer këtë dhe shumë raste të tjera në mbarë Kosovën kur trashëgimia kulturore është shkatërruar, dëmtuar apo po rrezikohet. Dhe këtu nuk hyn vetëm trashëgimia materiale, por edhe ajo jomateriale apo shpirtërore, të cilën koha po e tret pa lënë gjurmë se ka ekzistuar në këtë mes.

Kur nuk ka vullnet institucional për t’i ruajtur këto vlera nga vetvetja, sa mund të ketë përkushtim për t’i ruajtur ato nga dikush tjetër?

Kosova ia ka hapur dyert pa kurrfarë ngurrimi devijimit që ndërkombëtarët dhe Serbia ia kanë bërë trashëgimisë ortodokse. Në Kosovë feja ka etni, ndërsa disa monumente të kultit “ortodoks serb” janë regjistruar si të rrezikuara në UNESCO nga Serbia. Institucionet e Kosovës, por as vetë UNESCO-ja, nuk kujdesen më për to. Skuqja e Patrikanës së Pejës është vetëm një dëshmi se shpërfytyrimi i monumenteve bëhet nga të gjitha anët.

Por politizimi i trashëgimisë nuk është bërë vetëm në këtë rrafsh. Ky sektor, bashkë me të zhdukurit, u kanë shërbyer qeverive disa herë si arsyetime për të nisur bisedime me Serbinë. Natyrisht asnjëra çështje nuk është marrë seriozisht. Te trashëgimia kulturore, për shembull, zyrtarët e institucioneve të përfshirë nuk kanë pasur ide as të përafërt për dëmin që Serbia ia ka shkaktuar asaj gjatë luftës në Kosovë. Kjo megjithatë nuk është aq dëshpëruese kur bëhet fjalë për një shtet që 15 vjet pas luftës ende nuk i ka llogaritur dëmet në përgjithësi.

Se trashëgimia nuk ka zënë vendin e merituar në bisedimet me Serbinë tregon edhe fakti që 1244 artefakte, të vjedhura në fund të nëntëdhjetave nga Muzeu i Kosovës në Prishtinë, ende gjenden në Beograd. Ekspozita me to janë bërë edhe në veri të Kosovës, për t’u kthyer sërish në “Muzeun e Prishtinës” në Beograd. Nuk janë përmendur dhe as nuk ka shenja se do të merret kush me to në një të ardhme të afërt në çfarëdo procesi negociator.

Shikimi nga e ardhmja dhe Bashkimi Evropian, me çka mburren udhëheqësit institucionalë të Kosovës, nuk është shpëtimi i kosovarëve. Në Evropë secili ka një traditë që e do më shumë, e promovon dhe e bën të mburret. Më këtë qasje të Kosovës ndaj trashëgimisë së vet, s’do të mbetet gjë deri në kohën kur ajo të ketë hyrë në BE.

Derisa Selaniku ka bërë çmos që të pengojë projektin e metros, edhe pse është bashkëfinancuar nga BE-ja, nëse ai nuk do t’i ruante të gjitha vlerat e qytetërimit romak, autostrada “Ibrahim Rugova” e ka varrosur nën asfalt në Polsisht të Prizrenit monumentin që në kohën e perandorisë romake ka qenë stacion rrugor.

Kjo autostradë nuk çon për në BE.

[email protected]
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...