Provokimi i së keqes

22 Tetor 2015 - 16:57 - Brikenda Rexhepi      

Pushteti ende nuk po ia del të shohë përtej inatit. Nuk po ia del që t’i trajtojë veprimet e opozitës si një rast për të nxjerrë diçka të mirë për Kosovën. Në vend se t’ia hapë rrugën dhunës, pushteti tani ka rastin që t’ia mbyllë rrugën “Asociacionit”

Janë dy gjëra që sot askush nuk i do: 1. “Asociacioni” dhe 2. Dhuna.

“Asociacioni”, i cili në fillim u tha se do të jetë OJQ, sot krijon një nivel të ri pushteti, që në kombinim me fuqinë e serbëve në Kuvend e bën funksionimin e shtetësisë së Kosovës të varur nga Beogradi, që i kontrollon të dy palët.

Dhuna, nga e cila si popull ende nuk jemi shëruar, sot rikthehet në dimension tjetër: shqiptarët kundër shqiptarëve. Sot sërish shohim të arrestuar të mavijosur nga rrahjet në stacionin e policisë; drejtësi të dyfishtë ku dikush lirohet e dikush mbahet prapa grilave, sepse i takon një mendimi ndryshe; shohim zvarritje e përgjakje protestuesish por edhe policësh...

Se askush nuk e do bllokimin e shtetit dhe askush nuk i do mavijosjet... njerëzit në pushtet e dinë. Meqë ata e kanë në dorë bllokimin e bllokimit dhe ata e kanë në dorë policinë, mbetet ekskluzivitet i tyre se cilës rrugë do t’ia mbajmë.

Sot nuk ka kuptim më të flitet për parti e individë. Kjo i largon njerëzit nga thelbi; nga ajo që është e keqe apo e mirë për ta. I largon njerëzit e thjeshtë, shumë nga të cilët ende me fanatizëm e adhurojnë një parti apo tjetrën, pa e vrarë mendjen se çka i sjell ajo këtij vendi. I largon udhëheqësit që tash më së shumti po e dëshmojnë se në ç’masë drejtohen nga inati e interesat personale. Sot dëmet e inateve janë të pariparueshme, të dhimbshme dhe tragjike për një shtet të ri. Dhe as kjo nuk ka kuptim.

Institucionet ka kohë që janë zhvleftësuar nga partitë e emrat që udhëheqin me to, por tani ka ardhur koha që kjo të shpërfaqet më qartë. Dhe ka një të mirë në të. Një momentum. Një klimaks ku kahu më lehtë mund të ndërrohet.

Por, shenjat e para janë dëshpëruese. Pushteti ende nuk po ia del të shohë përtej inatit. Nuk po ia del që t’i trajtojë veprimet e opozitës si një rast për të nxjerrë diçka të mirë për Kosovën. Nuk po mund t’i ikë inercisë së provokimit të së keqes. Ka pak kohë për të menduar nëse vërtet e dëshiron një “seancë” në pasditen e vonë të së premtes, e cila gjithçka mund të jetë veç jo seancë. Apo, nëse dëshiron që krejt këtë situatë ta kthejë në favor të shtetësisë. Në vend se t’ia hapë rrugën dhunës, pushteti tani ka rastin që t’ia mbyllë rrugën “Asociacionit”; që ta çlirojë pak lakun e “miqve” të tij ndërkombëtarë, që po del se nuk janë duke u mërzitur shumë për rregullimin e shtetit, të cilin e kanë përkrahur që të krijohet.

E këtu ndërkombëtarët nuk janë për t’u fajësuar, ngjashëm siç nuk janë as për t’ua kërkuar shpëtimin. Në kohën e duhur ata Kosovës i dhanë shumë. Ia dhanë mundësinë që ta mbajë veten në një copë. Bosnja sot vuan për këtë mundësi që nuk e pati. Do të vuajë edhe nesër. Kosova është nisur vetë asaj rruge.

Andej është nisur qyshkur filloi të negociojë me Serbinë për rregullimin e vet. Arriti deri në kufij me Kushtetutën sipas Ahtisaarit, që t’i hapë rrugë mbështetjes për ta shpallur Pavarësinë. Por, negociatat vazhduan ashtu si edhe lëshimi pe, duke degraduar Pavarësinë dhe duke hedhur në ujë mundësinë që bashkësia ndërkombëtare Bosnjës nuk ia dha.

Sot kemi përfunduar me marrëveshje që ndërton “Republikën Serbe” në Kosovë; që duke bërë shmangie nga legjislacioni i hap rrugë futjes së “Elektroprivredës” dhe një operatori serb të telefonisë; që “hap” urën mbi Ibër për vetura, të cilat posa arrijnë në skajin verior të urës i pret një rrethrrotullim që i kthen prapa në jug.

Këto marrëveshje ia siguruan Serbisë menjëherë hapjen e kapitullit të parë – të famshmit numër 35, të cilit kosovarët injorantë i gëzohen e serbët e mençur i “hidhërohen”. Kapitullin, të cilin zyrtarët evropianë, pas reagimit në Serbi, e sqaruan si asgjë më pak a më shumë se vulosje të marrëveshjeve të mësipërme.

Kosova nuk fitoi gjë, derisa nuk shpërtheu kriza në Kuvend e zyrtarët e BE-së vendosën t’ia japin negociatores Tahiri një karotë të vogël, që t’i gëzojë kosovarët – myzhdenë për nënshkrimin e MSA-së javën tjetër. Ajo tha që ky hap vjen falë negociatave të Brukselit, pra jo që Kosova e ka merituar një gjë të tillë me të arritura. Se këtu ka probleme konstante me funksionimin e institucioneve, BE-ja e potencon çdo vit në raportet e Progresit, edhe një fakt që ky hap vjen si ndihmesë për pushtetin karshi qytetarëve që kanë nisur të irritohen nga frytet e negociatave. Ky hap, pra, nuk përbën arsye për t’u gëzuar. Është një formalitet që duhet të përcillet me zhvillimin konkret demokratik e ekonomik, të cilin edhe nëse institucionet kosovare ia arrijnë ta realizojnë, çdo herë do ta kenë mbi kokë “Republikën Serbe” të Kosovës (“Asociacionin”) për t’i bllokuar në proces.

Sot kosovarët me të drejtë i gëzohen përkrahjes për anëtarësim në UNESCO. Mbetet të shihet nëse pushteti do t’ua nxjerrë për hundësh këtë gëzim nesër. Pavarësisht se sa drita të gjelbra mund të ndizen nga miq ndërkombëtarë për një skenar të llojit “nata s’ka ispatë”, të premten mbrëma, pushteti duhet ta dëgjojë zërin e qytetarëve, për dy gjërat që askush nuk i do.

[email protected]
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...