Nxitja e krimit

12 Prill 2015 - 08:05 - Brikenda Rexhepi      

Kosova brenda 15 vjetësh, nga një platformë e re shtetndërtuese është shndërruar në një mjedis ku krimi nxitet; ku lëndët nëpër gjykata më parë parashkruhen se që u vjen rendi të trajtohen; ku institucionet përgjegjëse nuk bëjnë strategji e nuk ia përshtatin ligjet realitetit në terren; ku hajnia e pandëshkuar e pushtetit përbën shembull për rrugën trup drejt pasurisë; ku gjenerata të reja kriminelësh prodhohen

Dy vrasjet e fundit janë më shumë se dy krime që kanë ndodhur në Prishtinë në javën e fundit të marsit. Polici Shemsi Gashi dhe roja Nazmi Ramadani kanë qenë dy burra që s’i kanë pasur faj a borxh kujt. Janë vrarë në dy raste të ndara, njëri rrugës duke shkuar në punë, e tjetri në vendin e tij të punës. Njëri në të gjashtëdhjetat e tjetri në të dyzetat. Të dy janë qëlluar me plumba. Të dy kanë lënë pas njerëz, të cilëve dhimbja ngufatëse e humbjes së të dashurit do t’u bëhet pjesë e pandashme e jetës. Por, krejt nuk përfundon këtu…

Kur Gashi ka qenë në të dyzetat e Ramadani në të njëzetat, pra diku kah mesi i viteve ’90, në Kosovë kishin ardhur në jetë disa djem. Këta fëmijë, supozoj, kanë nisur të dinë për veten tek pas luftës. Gjenerata në të cilat, ne të traumatizuarit e luftës, i mbanim shpresat. Djelmosha të Kosovës së lirë, të tillë siç e dëshironim ndër vite e dekada. Shkollat i kishim ne në dorë tani, njashtu si edhe çerdhet; teatrot; kinematë; Universitetin, natyrisht; pastaj dyqanet, qendrat tregtare dhe mbi të gjitha institucionet. Familjet tani nuk jetonin më me rrezikun se forcat serbe do t’ua bastisnin shtëpitë, t’i rrihnin, t’i arrestonin apo vrisnin. Kosova më 1999 u bë një platformë ku jetën e re do ta nisnim prej fillimit.

Por diçka shkoi keq!

Shkollat sot po i shohim si mjedise ku qërohen hesapet me thika, e besa edhe me revole. Qendrat tregtare ku haraçi legalizohet. Institucionet ku hajnia bëhet e pashmangshme. E shoqërinë të tillë ku hendeku mes të pasurve e të varfërve bëhet çdoherë më i thellë; ku shumica e të pasurve kanë para të fëlliqura, mbase edhe të përgjakura; ku për dikë vlen ligji e për dikë jo; ku vlerat janë çoroditur.

Gashi e Ramadani, në marsin e 2015-s, u vranë nga foshnjat e mesit të nëntëdhjetave. Nga djelmosha që tani sapo e kanë kaluar 18-shin. Që si fëmijë e të mitur kanë vjedhur e kanë rrahur. Që deri në moshën 14-vjeçare nuk i ka kapur ligji, e që pas asaj moshe nuk janë trajtuar si duhet nga institucionet përgjegjëse. Që familjet nuk kanë ditur apo nuk kanë dashur të merreshin me ta. Të tillë që policia i njeh mirë, por nuk ka çka t’u bëjë. Recidivistë që shteti i ka lejuar ta zhvillojnë karrierën kriminale dhe dikur ta përmbyllin me vrasje – së paku për aq vjet sa do të qëndrojnë në burg.

Këta djelmosha, dhe shumë të tjerë pas tyre, sot janë viktima të sistemit të ngritur mbi atë platformën e 1999-s. Janë viktima edhe ata, ndonëse më ndryshe se njerëzit jetët e të cilëve ua marrin. Në një shtet të ngritur ndryshe do të shpëtonin edhe ata, edhe të tjerët. Pra, janë viktima aq sa mund të jetë secili pjesëtar i shoqërisë që jetën dëshiron ta jetojë drejt e që rrugën ia presin këta dhe të tjerë “monstrumë” të sistemit.

Javën kur u vranë Gashi e Ramadani, më të tmerrshme e bëri edhe një ngjarje tjetër. E tillë çfarë mediat raportojnë thuajse çdo ditë. Në një shkollë fillore në Prizren, një djalosh, siç i quajnë të tillët “problematikë”, e bëri për spital një moshatar të tijin. E kishte prerë me thikë nëpër fytyrë e nëpër duar. Raportimet për posedim të armëve të ftohta por edhe të revoleve nga nxënësit janë jo të rralla. Në fund të javës së kaluar u publikua edhe një video tronditëse. Në një shkollë në Rahovec disa vajza u rrahën brutalisht mes vete. Ndërkohë nga Peja grupi i filloristëve, të cilët ligji nuk lejon të quhen kriminelë, por si të tillë ka vite që veprojnë, e vazhdon avazin. “Se kush jemi ne, pyeti nxënësit”, i tha njëri nga ta një gazetari të martën. Të njohur si “Kikirikat”, ata detyrojnë moshatarët të bëhen pjesë e tyre dhe të vjedhin nga shtëpitë e veta gjëra të vlefshme e t’ua sjellin. Një sistem të njëjtë e ka pasur edhe një grup nxënësish të një shkolle në Podujevë, për të cilët pak vjet më parë patën raportuar mediat. Raportime për kriminalitet të këtyre grupmoshave vijnë nga të gjitha anët dhe problemet me të cilat ballafaqohen autoritetet janë të njëjta. Krejt çka mund t’u bëjnë është t’ua ndërrojnë shkollën. Trajtimet e sociologëve e psikologëve nuk kryejnë punë, kurse prindërit nuk duan ose nuk munden t’i përthekojnë. Mosha kur ndaj tyre mund të merren masa për vepër penale është 14 vjeç. Kjo është e përcaktuar në Kodin Penal të Kosovës dhe në Kodin e Drejtësisë për të Mitur. Shoqëria civile nga Peja e terrorizuar nga “Kikirikët” kërkon që kjo moshë të ulet në 12. Për amendamentimin e Kodit Penal Ministria e Drejtësisë para pak kohe ndërmori një iniciativë. Por qeveritarët qenë të interesuar që prej Kodit t’i heqin vetëm nenet që kriminalizojnë mosdeklarimin e pasurisë nga zyrtarët shtetërorë... Pra nenet, që atyre ua vështirësojnë fshehjen e pasurisë.

Paratë që i kanë bërë ata deri më tash dhe mënyra se si i kanë bërë është shembulli që po përpiqen t’i ndjekin edhe soji i “Kikirikëve”. Edhe këta fëmijë e nisin me pak e pastaj shkojnë duke e studiuar terrenin, duke shtrirë ndikimin me presione e shantazhe dhe kështu duke e avancuar sistemin e vet.

Sociologët thonë se arsyet përse dikush bën krime nuk kanë të bëjnë me prirjet e individit për sjellje kriminale, por me strukturën dhe organizimin e shoqërisë. Në këtë shoqëri ku vjedhja për dikë është e toleruar e për dikë jo; ku ngjashëm ndodh edhe me dhunën; ku më lehtë depërton nëse mashtron e bën dredhi… rreziku i ngritjes së kriminelëve është i pashmangshëm. Ngjashëm siç është i pashmangshëm edhe rreziku që fëmijët dhe qytetarët në përgjithësi të bëhen viktima të tyre, qofshin të mitur apo të rritur.

Vrasësit e policit Gashi ishin paguar 5000 euro për ta ekzekutuar atë, kurse ata të rojës Ramadani kishin shtënë në të për t’i hapur vetes rrugë që t’i vidhnin rreth 1000 euro. Lehtësia e marrjes së jetëve nga ta tregon se sa pa brengë kalohet nga një krim i vogël në një krim më të madh, nga një vjedhje në një vrasje. Tregon po ashtu për potencialin që kanë “nxënësit problematikë”, të cilët nuk po merren seriozisht. Tregon se Kosova brenda 15 vjetësh, nga një platformë e re shtetndërtuese është shndërruar në një mjedis ku krimi nxitet; ku lëndët nëpër gjykata më parë parashkruhen se që u vjen rendi të trajtohen; ku institucionet përgjegjëse nuk bëjnë strategji e nuk ia përshtatin ligjet realitetit në terren; ku hajnia e pandëshkuar e pushtetit përbën shembull për rrugën trup drejt pasurisë; ku gjenerata të reja kriminelësh prodhohen.

[email protected] 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...