Kanceri i politikave shëndetësore

5 Tetor 2014 - 09:28 - Brikenda Rexhepi      

Se një gjë që bëhet qëllim dhe dëshirohet aq fort mund të arrihet, ka dëshmuar vjet drejtori i QKUK-së. Me gjithë sfidat e shumta të kësaj qendre mjekësore, ai i ndau 70 mijë euro për veturën më të mirë prej krejt drejtorëve të rajonit, e besa edhe të Evropës. Por, politikat menaxhuese të drejtorit të kaluar e as të këtij sot nuk po shkojnë në favor të pacientëve, e meqë është tetori tash, të pacienteve me kancer në gji.

Nuk është tetori muaji i vetëdijesimit për kancerin e gjirit sa mund të jetë i vetëdijesimit për kancerin e institucioneve e politikave shëndetësore. Kuvendi, konkretisht gratë deputete, për dy vjet nuk janë ndalur së lavdëruari vetveten për sigurimin e një mamografi mobil, i cili ende nuk ka shërbyer për asnjë kontroll; Qeveria, konkretisht Ministria e Shëndetësisë, nuk lodhet fare për nevojat e pacienteve dhe madje as për përcjelljen e trendëve të sëmundjes; e QKUK-ja po bëhen tre vjet qëkur nuk po mundet të gjejë një servisues të përgjegjshëm për pajisjet e prishura e që grave (që nuk kanë pare) u kushton me jetë.

Në anën tjetër, çdo vit sjell së paku nga 250 raste të reja të kancerit të gjirit. Ekspertët thonë se trendi i zbulimit të kancerit të gjirit në stadet e hershme është rritur, por këtij vetëdijesimi të grave nuk po i përgjigjen me të njëjtin seriozitet politikat shëndetësore të shtetit. Dhe kjo e bën të kotë edhe zbulimin e hershëm, sepse derisa të jenë kryer analizat e nevojshme para intervenimit, kanceri veç mund të ketë kryer punë. Edhe trajtimi pas intervenimit mbetet sfidë në vete.

Qasja ndaj kancerit të gjirit nis mbrapsht prej së larti:
Mamografi mobil historik i deputeteve është një shembull shumëdimensional. Tregon hipokrizinë – shumë fjalë e pak punë. Apo paaftësinë - dy vjet për një mamograf gjithë ato deputete e gjithë ato muhabete. Injorancën – nuk është makina zgjidhja e problemit, posaçërisht jo nga një nivel aq i lartë. Puna e deputeteve, nëse e kanë pasur seriozisht, është dashur të përqendrohej në bërjen e politikave dhe kërkimin e llogarive nga Ekzekutivi për dështimin në trajtimin e problemit deri në fund dhe si duhet. Ashtu që këto makina jo veç të blihen nga Qeveria, por edhe të servisohen e të jenë funksionale.

Zonjat deputete e ish-deputete, nëse ju do ta organizoni një ngjarje ta zëmë këtë tetor për ta reklamuar mamografin dhe nëse ai mamograf deri në fund të vitit do t’i zbulojë le të themi edhe dhjetë raste të reja të kancerit në fazën e hershme, çfarë do të bëni që këto gra ta marrin trajtimin e duhur dhe me kohë? Ngase kjo e dyta është më shumë përgjegjësi juaja. Kujtohuni - jeni deputete, e jo një grup humanitar dhe kujtohuni – nuk është mëshira ajo që presin nga ju pacientet (votueset) kur dalin në zgjedhje. Votuesit duan që shteti t’u dalë zot. Kjo nuk vlen veç për gratë deputete, por edhe për burrat deputetë, të cilët padrejtësisht janë përjashtuar apo nuk kanë dashur vetë të bëhen pjesë e muhabeteve për kancerin e gjirit.
Për të zbritur më poshtë, te Qeveria, e cila e ka lënë Ministrinë e Shëndetësisë në mesin e dikastereve me buxhetin më të vogël. E edhe më poshtë te vetë Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk mërzitet që lë QKUK-në pa materialin e nevojshëm për Klinikën e Onkologjisë. E edhe më poshtë te QKUK-ja, e cila nuk shpenzon në servisimin e aparaturave të Radiologjisë, por i jep 70 mijë euro për veturën e drejtorit, cili nga viti i kaluar mund të endet nga klinika në klinikë me një “Volkswagen Touareg”.

Për të shkuar me rend.
Qasja ndaj Ministrisë së Shëndetësisë përbën ilustrimin më të mirë të mendësisë së qeverisjes në Kosovë. Me një përjashtim të vogël në fillim, qeveritë çdoherë e kanë vlerësuar këtë ministri si dikaster për “t’i hequr qafe” pakicat apo partitë e vogla në koalicion. Kjo ngase aty, jo që fare nuk mund të manipulohet me pare, por qarkullimi është më i vogël. Dhe qarkullimi është më i vogël, ngase shëndeti i qytetarëve nuk është përparësi. A vdiq dikush e si vdiq në QKUK apo në ndonjë spital tjetër publik nuk është se analizohet fort a regjistrohet diku. Përveç, natyrisht, si dhembje nëpër familje, të cilat megjithatë kur çdo gjë të ketë marrë fund preferojnë të orientohen kah sqarimet që i “ka shkruar Zoti”.

Kështu, duke mos qenë në vëmendje të politikave prioritare qeveritare dhe duke mos qenë as në vëmendje të ligjvënësve “humanitarë” të Kuvendit, Ministria e Shëndetësisë i merr frerët në dorë dhe në atë buxhet sado të vogël që e ka nuk e ka prioritet trajtimin e pacienteve me kancer në gji. Buxheti që kjo Ministri e ka ndarë për citostatikë e mbulon gjysmën e kërkesave dhe mënyra se si shprehen zyrtarët e saj rreth këtij problemi, tregon se nuk parashohin ndryshime dhe mjaftohen me arsyetimin se ka mungesë buxheti.

“Nëse nevojat e prezantuara për citostatikë nga Instituti Onkologjik janë mbi 9 milionë euro, e MSH-ja ka në dispozicion për këtë kategori të barnave 4-4.5 milionë euro, a duhet të jesh këtu shumë i zgjuar për ta kuptuar këtë matematikë të mungesës në buxhet dhe mundësive për të mbuluar të gjitha nevojat”, i ka thënë ditë më parë gazetës drejtori i Departamentit për marrëdhënie me publikun në MSH.

E nga ana tjetër gra të mbijetuara të kësaj sëmundjeje e që kanë mbetur aktive si qytetare në luftën kundër kancerit të gjirit tregojnë se si Ministria e Shëndetësisë nuk mund të nxirret vetëm me “mungesë buxheti”, ngase ekzistojnë shumë alternativa për t’i mbuluar mungesat po të kishte vërtet interesim për ta bërë këtë.
Se trajtimi i kësaj sëmundjeje nuk tërheq vëmendjen e politikëbërësve tregon edhe fakti që Kosova asnjëherë nuk ka pasur një regjistër të plotë të trendëve dhe statistikave, gjë të cilën Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka kërkuar me vite, në mënyrë që të veprohet bazuar në to. Kjo do të nënkuptonte edhe koordinim dhe identifikim të përkrahjes aq shumë të nevojshme nga jashtë. Ministria e Shëndetësisë këtu nuk mund të thotë se ka dështuar për shkak të mungesës së buxhetit, ngase nuk bëhet fjalë fare për citostatikë e medikamente të shtrenjta, por qëllim e organizim.

Se një gjë që bëhet qëllim dhe dëshirohet aq fort mund të arrihet, ka dëshmuar vjet drejtori i QKUK-së. Me gjithë sfidat e shumta të kësaj qendre mjekësore, ai i ndau 70 mijë euro për veturën më të mirë prej krejt drejtorëve të rajonit, e besa edhe të Evropës. Por, politikat menaxhuese të drejtorit të kaluar e as të këtij sot nuk po shkojnë në favor të pacientëve, e meqë është tetori tash, të pacienteve me kancer në gji. Pa dyshim tema për të cilën është raportuar më së shumti në media, duke mos lënë anash edhe shumë çështje të tjera, janë prishjet e paqëllimta dhe të qëllimta të aparaturave ose mosfunksionalizimi i tyre për arsye të ndryshme objektive e subjektive.

Një hulumtim në arkivat e viteve të fundit të gazetës nxjerr shumë raste të pacientëve që kanë pritur me muaj të tërë për t’iu nënshtruar radioterapive dhe ndërprerjes së tyre për shkak të prishjeve. Derisa shumë nga ta sot mund edhe të mos jenë gjallë, stoikisht qëndron arsyetimi i zyrtarëve menaxhues të QKUK-së për mungesë të servisimit. Janë deklaratat thuajse të njëjta në të gjitha tekstet që kanë trajtuar këtë problematikë, duke e bërë tenderin për servisimin e aparaturave në QKUK një problem të pazgjidhshëm, diçka sikur një kancer malinj te një pacient që nuk gjen trajtim.
Edhe ky problem ngjashëm sikur kanceri do “terapi” që do të shkatërronte krijuesit e tij – qelizat menaxheriale të QKUK-së, e besa edhe të MSH-së.

Derisa këto “qeliza menaxheriale” tash në muajin tetor i bashkohen, e disa edhe i prijnë, marshit vjetor në fushatën formale kundër kancerit të gjirit, sheshi në qendër të Prishtinës shndërrohet në një mjedis hipokrizie, ku viktimat dhe “kanceri” ecin tok për dy qëllime të ndryshme – të parat mbijetesën, e të dytët pushtetin.

[email protected]

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...