Për mjekët që bashkëndiejnë me pacientin

18 Maj 2014 - 08:08 - Brikenda Rexhepi      

“Zoti të ka ndihmuar”, i kishte thënë Salës një mjeke, pas tmerrit nëpër të cilin kishte kaluar për shkak të neglizhencës së mjekëve, gjatë lindjes së saj të tretë. Pacientët që Zoti nuk u ka ndihmuar, sot nuk mund të flasin. Por Sala, po. Andaj zëri i saj duhet të jetë një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë pacientët, për të mirën e shëndetësisë kosovare dhe të mjekëve që bashkëndiejnë me pacientin, e që në Kosovë kanëmbetur në hijen e së keqes

Kur një gazetare që është elokuente në të shkruar e në të folur; që ka hapësirë në gazetë, televizion e portale; që ka kurajë dhe që nuk i vjen “marre” të flasë publikisht për atë që i ka ndodhur asaj a fëmijës së vet, nuk ia del ta ngrejë zërin aq sa për të bërë një ndryshim, jeta e shoqërisë që i takon është në rrezik.

Para dhjetë vjetësh një kolege dhe mike imja pati shkruar një shkrim në gazetë, të nesërmen e një përvoje trishtuese që e kishte pasur. Kah mesnata e kishte çuar djalin në QKU, pasi e kishte endur nëpër ambulanca, e temperatura i kishte hipur në mbi 40 gradë. Pati shkruar se si e kishin “shqelmuar” nga një klinikë në tjetrën; e kishin lënë t’i priste mjekët derisa djali po i digjej; e kishin trajtuar, pati thënë ajo, “çnjerëzisht”.

Ajo, pak javë më parë, e kishte postuar në “facebook” një fotografi të djalit tash të rritur, që aksidentalisht ishte lënduar, dhe ashtu rreth mesnatës e kishte çuar në QKU. Kishte shkruar në postim për trajtimin e papërgjegjshëm dhe mungesën e vullnetit për t’i dalë në ndihmë një djaloshi që i duheshin dy-tre penj. Pas shëtitjeve nëpër QKU kishte shkuar në privat.

Rrëfime nga më të ndryshmet kanë vazhduar nëpër vite. Dikush ka shkruar për to e dikush jo. Me ato përvoja që kam dëgjuar nga dora e parë, e që më sillen nëpër mend, tash kur po e trajtojmë shëndetësinë, mund të mbushen të gjitha faqet e kësaj gazete. Në to ka edhe dështime të privatëve. Po ashtu, ndonëse krejt të pakta, ka edhe përvoja shumë të mira madje në dy sektorët. Dhe ato kanë të bëjnë kryesisht me mjekët, e jo kushtet. Në intervistën e këtij numri të gazetës, mjeku me nam botëror, Mentor Petrela, flet për dy pika kyç të kulturës dhe përgjegjësisë njerëzore të mjekëve, të cilat mund t’i gjejmë me pakicë në këtë vend. Petrela thotë që një mjek i denjë bashkëndihet me pacientin e familjarin e tij dhe mjekësinë e studion përjetësisht. Thotë po ashtu që duhet një ligj për ta rregulluar raportin publik – privat, në mënyrë që pasojat e konfliktit të interesit të mos bien mbi kurrizin e pacientëve.

Në Kosovë dy mendësi janë instaluar mbrapsht: E pushtetit karshi sistemit shëndetësor dhe e shumicës së mjekëve karshi pacientëve. Të dyja këto duhet të prishen dhe ngrihen përsëri.

Me një përjashtim të vogël në fillim, qeveritë çdoherë e kanë vlerësuar Ministrinë e Shëndetësisë si dikaster për “t’i hequr qafe” pakicat apo partitë e vogla në koalicion. Larg prioriteteve shëndetësia është lënë edhe kur bëhet fjalë për buxhetin, duke mbetur një nga ministritë me më së paku para.

Gjykata Kushtetuese nga ana tjetër është dëshmuar frikacake karshi ndryshimeve nga të cilat do të përfitonin qytetarët, duke u dalë krah mjekëve përfitues që ishin ankuar kundër dispozitave të Ligjit mbi shëndetësinë që i obligonin ata të përcaktohen për publik ose privat.

Pozicion të ngjashëm kanë zënë edhe drejtësia e trupat “etiko-profesionale” të themeluara për trajtim të kontesteve pacient – mjek. Mjeku për ta është një i pafajshëm universal.

Derisa institucionet nuk kanë guxim e vullnet të dalin në anën e pacientit të rëndomtë, ai do të mbetet përherë i shpërfillur e i poshtëruar. Në reportazhin e sotëm “Qendra klinike e zorit”, fjalët e familjarëve të pacientëve ilustrojnë më së miri pozitën e tyre dhe raportin me mjekët për të cilët janë “në zor”.
“Për me kry punë, duhet me tregu mirësjellje edhe kur mjekët vonohen”; “Duhet të vij këtu prap, mund të më thonë diçka”;…

Me një pozicionim të këtillë të institucioneve vendimmarrëse; dhe kur relacioni mjek – pacient mbi bazën e frikës dhe mëshirës është bërë epidemi, mbetet në dorën e qytetarëve dhe të medieve të punojnë në kthimin e dinjitetit.

Në fillim të këtij teksti e përmenda se si një zë i guximshëm, sado i fuqishëm që është, i një qytetari të rëndomtë, nuk kryen punë. Por nëse ky zë bëhet shembull për çdo pacient, ndryshimi është i mundshëm.

Sala është kolegia dhe mikja ime, e cila ua tregoi të gjithëve në hollësi luftën e vet me papërgjegjësinë e mjekëve dhe vdekjen që në Gjinekologji shpesh janë aleate. Është klinika që thyen rekord evropian për vdekje të foshnjave dhe sjell rastet më ekstreme të skandaleve për të cilat raportojnë mediet. Në anën e tyre është Komiteti “etiko-profesional” i QKU-së, i përbërë nga vetë mjekët e QKU-së. Edhe pse do të duhej të kishte një mision tjetër, ai shërben si një trup për eliminimin e ankesave të pacientëve, duke nxjerrë vendime “profesionale” që shërbejnë si bazë e mëtutjeshme nëse hetimin e vazhdojnë njerëzit që “nuk marrin vesh nga mjekësia”. Deri më tani të gjitha ankesat e pacientëve janë mbyllur brenda qarkut të QKU-së.

Një gjë të tillë, Komiteti “etiko-profesional” pretendon se e ka bërë edhe me rastin e Salës. Rasti i saj i shpjeguar e i dëshmuar në hollësi në publik dhe tek organet e drejtësisë, është hedhur poshtë nga ky komitet. Ky komitet nuk e konsideron gabim profesional faktin që “mjekët” e Gjinekologjisë e kanë lënë atë me orë të tëra në sallë, për ta lindur fëmijën e saj të tretë me lindje normale, ndonëse në dy të parët i ishte nënshtruar lindjes cezariane. Ky komitet nuk e konsideron gabim profesional, etik e njerëzor faktin që mjekët e motrat nuk u janë përgjigjur thirrjeve e lutjeve të saj për ndihmë, derisa zëri i ishte ndalur...

“Zoti të ka ndihmuar”, i kishte thënë asaj një mjeke. Pacientët që Zoti nuk i ka ndihmuar, sot nuk mund të flasin. Por Sala po.

Andaj zëri i saj duhet të jetë shembull për të gjithë pacientët për ta çarë qarkun e komiteteve, të frikës së institucioneve dhe të neglizhencës së mjekëve – për të mirën e shëndetësisë kosovare dhe të mjekëve për të cilët flet Mentor Petrela, e që në Kosovë kanë mbetur në hijen e së keqes.

“Koha” është e hapur dhe në pritje të zërit tuaj!

[email protected]

 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...