Më keq se veç të vdesësh

2 Gusht 2015 - 08:07 - Brikenda Rexhepi      

Nëse krimi më i madh është vrasja, atëherë në Kosovë ka diçka edhe më keq. Kriminelë që njerëzve ua bëjnë më të vështirë procesin e vdekjes. Janë struktura brenda sistemit shëndetësor të Kosovës për të cilat tashmë flasin edhe ministrat, edhe drejtorët, edhe policia, edhe mediat..., por që askush ende nuk i ka goditur si duhet. Janë struktura që kanë lulëzuar në Kosovën e re, ku çdo sistem ka nisur nga e para dhe pastaj ka marrë kah të mbrapshtë.

Asnjëri nga ne nuk e di se si e pajton veten njeriu kur vdekjen e sheh duke i ardhur. Se si është beteja, e si momenti kur shpresat humben. Se si është kthesa kur nis të mendosh veç për njerëzit që lë pas... Asnjëri nga ne, po ashtu, këtë nuk do të mbetet pa e marrë vesh. Deri këtu të gjithë jemi të barabartë. Por, veç deri këtu. Për shumë qytetarë kosovarë ka edhe më keq: Të sëmuresh e të mos kesh para. E ka edhe më keq: Të sëmuresh dhe ta humbësh betejën për shkak se dikush i ka vjedhur barnat që të kanë takuar, i ka stërshitur e vetë nuk ke pasur mundësi që t’i blesh.

Kriminelët janë të paskrupullt në tërë botën. Nëse krimi më i madh është vrasja, atëherë në Kosovë ka diçka edhe më keq. Kriminelë që njerëzve ua bëjnë më të vështirë procesin e vdekjes. Janë struktura brenda sistemit shëndetësor të Kosovës për të cilat tashmë flasin edhe ministrat, edhe drejtorët, edhe policia, edhe mediat..., por që askush ende nuk i ka goditur si duhet. Janë struktura që kanë lulëzuar në Kosovën e re, ku çdo sistem ka nisur nga e para dhe pastaj ka marrë kah të mbrapshtë.

Nëse e ke pasur dikë të sëmurë në spital menjëherë pas luftës e është dashur t’i sigurosh albumina, për shembull, është dashur të përpiqesh shumë për t’i porositur jashtë e për t’i sjellë në Kosovë. Asokohe nuk ka qenë ende i rregulluar sistemi i furnizimit të QKUK-së me barna. Sot ky sistem është rregulluar dhe albumina ka në QKUK. Por sot arrestohet kryeinfermierja që në dosjet e pacientëve (të gjallëve dhe të vdekurve) shkruan sasi enorme të këtij produkti dhe i vjedh për t’i stërshitur. Kushedi se sa pacientë që kanë pasur nevojë për albumina kanë mbetur pa to e u është dashur t’i blejnë. Kushedi se sa nga këta pacientë nuk kanë pasur mundësi financiare. Kushedi se sa pacientë kanë vuajtur më shumë. Kushedi se sa më lehtë do ta kishin pasur po të ishin përballur veç me sëmundjen.

Nëse këto vitet e fundit ke pasur të bëhesh operacion prej zorrës qorre dhe ke shkuar në QKUK, ke mundur të përfundosh në një klinikë/sallë të paregjistruar private, të operohesh nga mjekë të QKUK-së, me barna të QKUK-së dhe të paguash për to. Kushedi se sa pacientë janë kushtëzuar me pritje të gjata në QKUK dhe për t’ia shkurtuar vetes vuajtjet opsionin e vetëm e kanë pasur të pranojnë shërbimet kriminalo-kirurgjike të dy mjekëve, të cilët policia i ka zënë në vepër. Para më shumë mund të kenë fituar, por nuk janë bërë pasanikë, kirurgu abdominal dhe gruaja e tij anesteziologe në “bark” për të mos thënë në “kurriz” të pacientëve. Kjo derisa ndonjë qytetari nuk i ka plasur vërtet barku e i ka paraqitur. Kushedi se sa më lehtë do ta kishin pasur edhe këta pacientë po të ishin përballur veç me sëmundjen.

Për dallim nga rasti i parë, në këtë të dytin ka edhe më keq. Mjekët tjerë janë alarmuar dhe pastaj janë solidarizuar - ama jo me pacientët. Është e paqartë se si u ka funksionuar truri i mjekëve kolegë të çiftit të dyshuar kriminalo-mjekësor që kanë dalë të protestojnë në mbrojtje të tyre pas denoncimit, intervenimit policor dhe raportimit. Kjo madje të bën t’i frikësohesh rrezikut të vetindoktrinimit të përgjithshëm mjekësor që përfitimin në bark, në kurriz, në këmbë, në kokë, në zemër... të pacientëve ta shohin si gjë normale. Ngritja e mendësisë së tillë nuk do të kishte ndodhur po qe se Qeveria do të ishte lodhur pak më shumë për Shëndetësinë; po qe se sistemi i drejtësisë do t’i kishte marrë seriozisht denoncimet e shumta të pacientëve; po qe se me QKUK-në nuk do të menaxhonin kushërinjtë e militantët partiakë dhe grupet e interesit.

Nëse kryeinfermierja e rastit të parë i ka fituar disa para, e çifti i rastit të dytë ndonjë më shumë, përfituesit më të mëdhenj janë ata që kanë punë me kancerin. Sa më e rrezikshme sëmundja, aq më shumë vuajnë pacientët. Sa më shumë njerëz që vuajnë, aq më shumë fitojnë kriminelët e sistemit. Edhe këta pacientë më të lehtë do ta kishin pasur betejën po të ishin përballur vetëm me kancerin që e kanë në trup. E ata që e humbin këtë betejë, ikin me më shumë dhimbje kur mendojnë për ata që i kanë lënë pas, në borxhe deri në fyt.

Një hetim policor ka nisur për keqpërdorimet me citostatikë, që janë barna për trajtimin e të sëmurëve me kancer dhe që janë më të shtrenjtat që i porosit QKUK-ja. Por, sistemi kriminal megjithatë është një hap para policisë. Mënyra më e mirë për të kamufluar dallaveret është të krijosh kaos të të dhënave. Kështu edhe është vepruar. Nuk ka regjistra të rregullt, nuk ka histori të hollësishme të pacientëve, nuk ka protokoll shtetëror të barnave, nuk ka baza të të dhënave, nuk ka asgjë... deri në atë masë ka shkuar mungesa e kontrollit, saqë ish-shefja e barnatores qendrore të QKUK-së ia kishte dalë të kontrabandonte në listë të citostatikëve të shtrenjtë barna kundër vjelljes – të shfrytëzonte vjelljen për të vjedhur.

Krahas hetimit policor, ato që tregojnë për parregullsi janë diskrepancat në shifrat zyrtare të citostatikëve të blerë që nga 2011-a, kur është hapur Klinika e Onkologjisë. Më 2012 për 7 lloje të citostatikëve QKUK-ja ka kërkuar mbi 7 milionë euro, ndërsa më 2015 për 56 lloje citostatikësh (përfshirë edhe ato të shtatat) ka kërkuar vetëm 4,7 milionë. Rënia e kërkesave nuk ka të bëjë me rënie të numrit të pacientëve apo me rënie të çmimit të barnave, por me nisjen e hetimit policor për dallavere.

Tani, meqë policia i ka futur hundët në Onkologji, është paksa më sfiduese të nxirret fitimi nga aty. Por, siç kanë thënë hetues të përfshirë në këtë rast, sfidë shumë e madhe mbetet kaosi i të dhënave dhe kamuflimi i gjurmëve. Me të njëjtën sfidë përballen edhe në hetimin tjetër që përfshin gjithë sistemin publik shëndetësor e që pretendon të zbulojë lidhjet e mjekëve me kompanitë farmaceutike.

Hetimi ka të bëjë me dyshime se kompani të caktuara farmaceutike u kanë ofruar përfitime mjekëve në këmbim të përshkrimit të barnave të tyre në recetë. Ky rrjet nuk sjell para si tri rastet e mësipërme, por megjithatë nuk i lë mjekët pa ndonjë udhëtim nëpër botë, ndonjë telefon, televizor, mbase shminka, blloka e lapsa, ndonjë llokum apo çkado tjetër që e kërkon një sy i uritur.

Edhe pacientët e këtyre të fundit më të lehtë do ta kishin pasur shërimin nëse do të përballeshin veç me gripin…

[email protected] 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...