22 Maj 2016 - 08:00 - Brikenda Rexhepi
Për ta parë Fadil Vokrrin nga sa më afër që ishte e mundur duhej qëndruar në majë të gishtave dhe kacavjerrë në murin që e çonte rreth një metër lart fushën e gjelbër të stadiumit të Prishtinës. Dy herë nga 45 minuta në pritje që topi të kalojë andejpari e pas tij të vrapojë numri 9. Në anën tjetër të murit pastaj ngriheshin nivelet e betonit ku uleshin ata që vinin për ta parë tërë ndeshjen. Për mua pak kishte rëndësi çka ndodhte në fushë. Isha diku rreth 4-5 vjeçe dhe ishte fillimi i viteve tetëdhjetë, pasi Vokrri i ishte bashkuar skuadrës së Prishtinës, për të cilën i ka shënuar gati gjysmën e golave të karrierës së tij.
Kush e kishte menduar që fiksimi im dhe i shumë të tjerëve asokohe sot do të bëhej njeriu që ia kthen besimin Kosovës. Nuk ka të bëjë kjo me anëtarësimin në UEFA e FIFA, por me porosinë që e përçon ky anëtarësim. Me porosinë që suksesi është i mundshëm. Që dera e botës mund të hapet. Që për dështimet nuk kemi faj qytetarët; nuk ka faj Kosova, por njerëzit që udhëheqin atë.
As futbolli kosovar nuk ka qenë në gjendje më të mirë se secila fushë tjetër në këtë vend. Stadiumet e përlloçura mund të krahasohen me kushtet e jetesës që krijon niveli i lartë i papunësisë e i varfërisë; rrahja e referëve me “rrahjen” e gjykatësve e prokurorëve; mungesa apo moszbatimi i infrastrukturës ligjore në sport me ato të ligjeve në përgjithësi; problemet me financimin e sporteve e sportistëve mund të krahasohen me pamjaftueshmërinë e fondeve për p.sh. spitale (hiq aty dallaveret), me telashet financiare që i kanë bizneset për të mbijetuar; mosfunksionimi i sportit shkollor me katandisjen e sistemit të arsimit...
Ndryshimin e bën qasja ndaj qëllimit – shpirti luftarak i sportistit që karrierën e ka ngritur mbi standarde më të ashpra; me lojë më fer; me motiv më të fuqishëm se të të gjithë rivalëve bërë bashkë. Forcat shtytëse dhe sfidat e sportistëve shqiptarë të ish-Jugosllavisë, por edhe të sportistëve të mirëfilltë të pasluftës, i kanë shndërruar ata në njerëz të një dimensioni tjetër. Vokrri është veç njëri prej tyre. Për ta goli nuk bën të mos shënohet; rregullat nuk bën të thyhen; sakrificat nuk bën të kursehen; loja nuk bën të shitet; modestia nuk bën të tejkalohet; motivi nuk bën të shkelet. Një dimension larg të cilit janë njerëzit që sot në dorë e kanë marrë Kosovën.
Si problemet me përmbushjen e standardeve ndërkombëtare, ashtu edhe politikat dhe interesat gjeostrategjike të anëtareve nuk është se nuk e kanë dobësuar përkrahjen edhe për t’u bërë pjesë e UEFA-s e FIFA-s. Me gjithë anëtarësimin, mbështetja e vetëm 28 prej 54 anëtareve të shtëpisë evropiane të futbollit është edhe një alarm, në vargun e shumë të tjerëve, që diplomacisë kosovare i duhet kthesa. Shefat e shumtë të politikës së jashtme që ka pasur dhe ka Kosova për tetë vjet nuk janë kapur për fijet e mundësive për t’u bërë pjesë e botës. Por këtë e kanë bërë sportistët. Se Kosova është në pozitë të pafavorshme, si për shkak të rrethanave të jashtme ashtu edhe të brendshme, është rrethanë që kërkon luftë të pakompromis – ashtu siç kanë bërë sportistët shqiptarë të shekullit të kaluar që pavarësisht diskriminimit i kanë arritur majat; ashtu siç ka bërë Majlinda që ka ecur nëpër teh për ta ngritur flamurin e Kosovës në Rusi. Këtë sukses diplomatët e politikës edhe ëndërr kanë frikë ta shohin, e të mos flasim që ta mendojnë si mundësi për ta kapur. Kjo ngase dështimeve u paraprijnë duke e mbajtur pozitën e pafavorshme të Kosovës si kartë për t’u arsyetuar. Ngase nuk janë në dimensionin e sportistëve që golin nuk bën të mos e shënojnë...
“Ne kemi pasur një strategji, e cila mendoj se është realizuar dhe koha e mundi janë shpaguar. Kjo është e mira. Ne e kemi ditur se do të jetë shumë vështirë”. As Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka konsideruar që është lehtë ta hapësh derën e botës. Në intervistë për “Kohën Ditore të së Dielës”, Fadil Vokrri ka treguar për angazhimin dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese, por vetëm si një e kaluar. Sportistët kanë qasje tjetër ndaj suksesit. E shohin si sfidë. “Është mundësi e stabilizimit të mëtejmë të shtetit, sepse është imazhi i Kosovës në lojë dhe mendoj se duhet të kemi secili përgjegjësi të shtuara. Bëhet fjalë për shtetin, të cilin e përfaqësojmë dhe duhet të kemi kujdes në të gjitha veprimet tona”.
Nuk janë endur nëpër shkolla e akademi politike e diplomatike, por kanë garuar. Nuk janë ulur nëpër kolltukë, por kanë vrapuar. Nuk janë arsyetuar, por janë ngjitur. Këta janë njerëzit që Kosovës ia kanë sjellë sukseset para dhe pas luftës; që kanë ndezur shpirtin dhe shpresën; që i duhen familjes, shoqërisë, shtetit dhe kombit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...