Derrkuci dhe politika maqedonase

13 Korrik 2014 - 08:05 - Brikenda Rexhepi      

Diku në vitet pesëdhjetë, një çunak, atëherë 5-6 vjeçar, e kishte goditur me një guralec një derr të vogël të komshinjve. Derri kishte ngordhur. Nuk e di nëse e kishte goditur në ndonjë vend të keq, apo është e vërtetë bindja e banorëve të asaj ane se derrat janë shumë të ndjeshëm. Se pse u është futur kjo ide në kokë, shpjegim mbase mund të japin pasojat që i kishin vuajtur pas ngjarjes.

Një konflikt kishte shpërthyer dhe një operacion policor ishte zhvilluar në atë vend. Shumë burra ishin burgosur e shumë shtëpi ishin bastisur. Sulmi i çunit ndaj derrkucit ishte trajtuar si sulm i shqiptarëve ndaj maqedonasve. Pas shumë dekadash banorët shqiptarë ende e kujtojnë valën e dhunës buzë liqenit të Ohrit, në fshatin Kalishtë.

Djaloshi sherrxhi tash mund të jetë në të shtatëdhjetat e tij. Nuk di gjë për fatin e tij, por ajo që dihet është se në Maqedoni rrethanat nuk kanë ndryshuar. “Monstra” është rasti më i fundit, në vargun e shumë të tjerëve, që dëshmon se ndaj shqiptarëve nuk janë ndalur proceset e montuara politikisht.

E vërteta më e dhimbshme njerëzore e këtij rasti është se pesë maqedonas janë vrarë, e dy vjet pas, gjashtë shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm, si rezultat i një procesi që nuk ka pasur për qëllim gjetjen e vrasësve. Me këtë gjyqësia e policia maqedonase nuk kanë shkelur vetëm të drejtat e shqiptarëve, por edhe të familjeve të maqedonasve të vrarë, të cilat pak rehati mund të gjejnë vetëm nëse ndëshkimin e marrin ata që vërtet i kanë tërhequr këmbëzat. “Monstra” nuk u ka siguruar atyre dhe as vetes dëshmitë as motivin se të dënuarit me burg të përjetshëm i kanë kryer vrasjet.

E vërteta tjetër e dhimbshme është se as në vitet pesëdhjetë e as tani, interesave të shqiptarëve nuk po u del kush zot, kurse kërkesat e tyre, sado bazike, mbesin në ajër të paartikuluara e të paprocesuara si duhet. Në anën tjetër, ish-Republika e Maqedonisë pas ndarjes nga Jugosllavia i ka intensifikuar edhe më shumë përpjekjet për ta krijuar identitetin e munguar – qoftë duke përvetësuar histori që i konvenojnë, apo duke i asgjësuar ato që ia prishin iluzionin. Kjo e dyta lidhet kryesisht me traditën e pronën shqiptare dhe është vazhdimësi e politikave të njohura që nga shekulli i kaluar.

Banorët më në moshë të Kalishtës, fshatit turistik ku kishte ndodhur rasti me djaloshin e derrin, kanë shumë rrëfime për ato vende. Tregojnë se si shumë prona shqiptare buzë liqenit janë marrë nga shteti pa kurrfarë kompensimi dhe se si ndër vite janë ngritur kisha të vogla me disa varre përreth për të “dëshmuar” traditën ortodokse. Dallime të dukshme ka qoftë edhe brenda një distance më të vogël kohore – të themi nëse i krahason vitet tetëdhjetë me tash. Më të frikshmet janë shtëpitë e zbrazëta dhe ikja masive në kurbet si pasojë e mungesës së perspektivës. E diskriminimi shkon deri në atë masë sa tash për ta është më e kufizuar edhe qasja në liqen, ndonëse dikush e ka edhe 10 metra larg derës së shtëpisë. Kjo me arsyetimin qoftë për mbrojtje të mjedisit, komercializim apo ndonjë shpikje tjetër.

Kështu, shqiptarët e Maqedonisë i kanë humbur të gjitha betejat deri më tash. E kanë humbur madje edhe atë që patën menduar se e kishin fituar në gusht të vitit 2001, pasi që patën marrë armët në dorë. Marrëveshja e Ohrit pas trembëdhjetë vjetësh nuk u ka siguruar një jetë më të mirë. Përkundrazi, hendeku mes maqedonasve e shqiptarëve është thelluar edhe më shumë. Ana e shqiptarëve në Shkup ka pasur më shumë gjallëri në vitin 2000 se që ka tani. Gjendja e rëndë ekonomike dhe mungesa e perspektivës gradualisht ka shtyrë shumë, jo veç shkupjanë, po edhe shqiptarë në trevat e tjera të Maqedonisë që të kthehen kah e mbinatyrshmja, duke u bërë kështu më të cenueshëm ndaj manipulimeve e keqpërdorimeve të ndryshme fetare e politike.

Pushtetit maqedonas i konvenon të paraqitet si një gardian i Ballkanit nga rrymat terroriste të Irakut e Sirisë. Nga ky pozicion, në pamjet nga protestat ku shqiptarët në të vërtetë kërkojnë respektim të të drejtave të njeriut, Shkupit zyrtar i duhet ta ketë edhe ndonjë apo më shumë flamuj islamikë, qoftë të xhihadit apo edhe atë të Arabisë. I duhet të ketë pamje të protestuesve që në fanella e kanë të shkruar “Muslim”, ndonëse ata luftojnë për të drejta kombëtare dhe po ashtu i duhet të ketë protestues që e kanë njërin gisht të ngritur lart, me porosinë që Zoti është ai që do t’i ndëshkojë.

E nuk janë veç pamjet ato që i konvenojnë këtij mekanizmi të pushtetit. I konvenon edhe mendësia e tillë – që shqiptarët të presin nga Zoti t’i ndëshkojë të padrejtët e keqbërësit. Dhe ujin në këtë mulli e çojnë vetë udhëheqësit politikë të shqiptarëve. BDI-ja e Ahmetit dhe PDSH-ja e Thaçit po ua mbysin shpresat shqiptarëve se faktori njeri mund t’u hapë rrugë. E para, si pjesë e Qeverisë, nuk është e gatshme as të argumentojë deklaratat e veta se si po respektohet Marrëveshja e Ohrit; e lideri i së dytës, dy ditë pas protestës së dhunshme në Shkup, u thotë shqiptarëve se po t’ia kishin dhënë votën, do të kishte bërë diçka për ta.

Shumë shqiptarë të Maqedonisë i kanë përshkruar zgjedhjet e parakohshme të pranverës si të dhimbshme. Mungesa e alternativave të reja që nuk janë arrogante dhe as manipuluese, e që janë intelektuale dhe të qytetëruara, është evidente edhe në Kosovë e Shqipëri. Por kjo më së shumti u kushton shqiptarëve të Maqedonisë. Ata janë viktimë e dyfishtë dhe për këtë xixa të vetëdijesimit shihen vetëm nëpër protesta me flamuj të shqiptarëve dhe me kërkesa të qarta. Sa më shumë raste “Monstra” që do të lejohen të kalojnë pa e bërë ndryshimin, aq më larg tij do të jenë shqiptarët e Maqedonisë.

[email protected]

© KOHA.net 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...