7 Dhjetor 2014 - 08:59 - Brikenda Rexhepi
Raporti autobus - polici nuk është i panjohur për shqiptarët e Kosovës. Pamjet e fundvitit 2014, kur policëve të Kosovës u doli punë me udhëtarët e autobusëve që dilnin nga Kosova, të kujtojnë pamjet e para 15 vjetëve, kur policëve të Serbisë u dilte punë me udhëtarët e autobusëve që po ashtu dilnin nga Kosova. Dallimi dihet – më 2014 qytetarët që duan të ikin ndalen, e 15 vjet më parë qytetarët që s’donin të iknin dëboheshin. E përbashkëta – qytetarët në të dyja rastet detyrohen të bëjnë të kundërtën e asaj që e synojnë. Kanë edhe një të përbashkët – jetën e mjerë, e në të njëjtën kohë edhe një dallim – në fundshekullin e kaluar kanë pasur shpresë, e tani jo.
Thuajse çdokush ka ndonjë raport me autobusin. Unë e kujtoj një moment që më ka krijuar një përshtypje dhe një ndjenjë për shqiptarët e Kosovës. Ishte diku ’97-a apo ’98-a. Bashkë me babin po shkonim me autobus në Pejë. Ishte një nga ata autobusët që ndaleshin në disa vende për të marrë udhëtarë. Autobusi ndalej edhe në postblloqe. Thuajse i përhershëm ishte ai te Dollci i Klinës. Kontrollet policore serbe çdoherë linin ndjenjë të gërditshme në autobus. Nejse, po shkonim në Pejë me babin. E kaluam kryqin e Malishevës dhe autobusi u ndal. Hipi në autobus një burrë në moshë të shtyrë. Mbante plis që nuk ia mbulonte edhe vijat e thella në lëkurën e qafës, të cilave nuk mund t’u thosha rrudha, ngase të tilla s’kisha parë kurrë. Dukej se ishte një prej atyre njerëzve të rrahur nga jeta. Ai vazhdoi të ecte për të gjetur ulëse të lira. Pas tij erdhi një fëmijë, të thuash 10 vjeç. Pas këtij fëmije, një tjetër 9 vjeç. Pas këtij, një 8 vjeç. Pas tij, një 6 vjeç. Pas tij, një 5 vjeç. Pas tij, një 4 vjeç. Gjashtë, që e ndiqnin pas, besoj, gjyshin. Të gjithë flokëbardhë, faqekuq, symëdhenj, e me balluke të prera në vijë lart mbi vetulla. Nuk e harroj as fytyrën e babit tim të buzëqeshur dhe plot simpati. Me siguri të tillë çehren e kam pasur edhe unë. Këta kalamaj të lezetshëm lanë një energji të këndshme. Babi ashtu buzagaz më tha: A e sheh se si kanë mbijetuar shqiptarët? E kuptova që ndjenja që lanë ata ishte më e thellë se vetëm simpati ndaj një grumbulli fëmijësh faqekuq. Mbërritëm dikur edhe te Dollci.
Ishin vitet kur njerëzit tashmë kishin ikur me të madhe nga Kosova – për të punuar jashtë e për t’i mbajtur familjet, pasi shteti i dhunshëm i kishte përzënë shqiptarët nga sistemi; për të ikur nga ushtria serbe, kryesisht djemtë e rinj; për të shpëtuar nga ndjekja policore; për t’u martuar e dikush-dikush edhe për ndonjë qejf. Ishte koha kur veç po hynim në periudhën e masakrave dhe në luftën që la mbi 12 mijë të vrarë e një milion të dëbuar. Po arrinim pikën e vlimit. Shqiptarët po sakrifikonin shumë dhe disi nënkuptohej se fundi ishte shkruar për forcat serbe. Këta i dhanë edhe shqelmat e fundit dhe u larguan nga Kosova.
Postblloku te Dollci u hoq. Sistemi nisi t’i kthehej popullit të Kosovës. Ushtria më nuk ndiqte djemtë e rinj. Policia nisi të bëhej e Kosovës. Njerëzit nisën të ktheheshin. Ishte disi pika zero – e tillë ku niste fillimi – i tillë që ngriti në qiell shpresat – të tilla që nuk u realizuan kurrë. Kosova ia doli t’i thyente edhe rregullat e matematikës. Në të dyja anët e zeros nxori minusin. Dikush e kritikon UNMIK-un, dikush injorancën, dikush grykësinë, lakminë, vandalizmin, shpirtin kriminal të njerëzve që morën punët e shtetit në dorë. Secila nga këto sot i bie një instrumenti në orkestrën që luan marshin e ikjes nga Kosova.
Pesëmbëdhjetë vjet nga pika zero, lajmet kryesore në Kosovë nisin me autobusë që bartin marshuesit, me policë që i nxjerrin jashtë, me vaj të familjarëve, me hipokrizi të “instrumentistëve”.
Në këtë realitet nuk është e tepërt të përmenden shifrat e papunësisë dhe të varfërisë në Kosovë që mbërrijnë në 40 për qind; Nuk është e tepërt të flitet për raportin e kësaj jave të “Transparency International” që e ka nxjerrë Kosovën vendin më të korruptuar në Evropë; Nuk është e tepërt të rikujtohet papërgjegjësia e shërbimeve publike: Shëndetësia e përbiruar nga metastazat e kancerit plaçkitës dhe Universiteti i diplomave false e notave të blera me para; Nuk është e tepërt të përmendet myku që ka kapur lëndët nëpër gjykata dhe ndikimi politik e monetar te hallkat e sundimit të ligjit.
Të përmenden e të flitet për to është pak, madje është edhe më pak se aq.
Para pikës zero shqiptarët u shquan për mobilizim, për shpresë, për dëshirë, për gatishmëri që të luftojnë për të drejtat e veta. Në pikën zero adrenalina ra. U bënë 15 vjet dhe ajo mbetet poshtë. Armiku, që ua cenon të drejtën për jetë të dinjitetshme, tani është brenda. I tillë bëhet më i vështirë për t’u luftuar. E njeh mendësinë. Di se kë dhe si duhet qetësuar. Kjo mbase shpjegon faktin se pse qytetarët e Kosovës po mësohen të kapërdijnë kafshata çdoherë e më të mëdha. E ata që ngopen e zgjedhin marshin e ikjes para shpresës se këtu, në vendin e tyre, mund të bëjnë ndryshimin. Aktivizmi qytetar është në letargji.
Kur kohë pas kohe dalin në pah shifra apo skandale, populli zgjohet. Dhe e ndërron krahun. Kur u nxorën për shembull rezultatet e regjistrimit të popullsisë, sado diskutabile, megjithatë lanë të kuptohet se sa kemi mbetur. Që gjurmët e natalitetit, për çka jemi shquar, kanë nisur të zbehen dhe që njerëzit po ikin. Pamjet e autobusëve javëve të fundit e kanë riaktualizuar këtë. E ekonomistët kanë ndërtuar profilin e kosovarit potencial për të emigruar: “Migruesi potencial është kryesisht një i ri kosovar, i cili është i papunë dhe për më tepër, me nivelin e tij të arsimimit, ka gjasa të vështira të gjejë punë në ambientin e tanishëm ekonomik të vendit për të mbajtur familjen apo për të nxjerrë veten dhe anëtarët e familjes së tij nga niveli i varfërisë në të cilën janë; si rrjedhojë ai zgjedh emigrimin”.
Ky profil përfshin fëmijët që e mbajnë mend luftën, pra ata që e kanë përjetuar edhe shpresën. Prandaj, migruesit e sotshëm janë njerëz të dëshpëruar, të cilëve pritjet nuk u janë përmbushur - që shteti nuk u ka dalë zot. Të tillë mund të jenë edhe kalamajtë faqekuq të autobusit për në Pejë. Nëse kanë qenë më 1997 nga 10 deri në 4 vjeç, tash pas 17 vjetësh janë nga 27 deri në 21 vjeç.
Krahasimi i raporteve autobus – polic nxjerr ekstremin e fillimit të tekstit: dikur të dëbuar me zor, sot të ndalur me zor. Një ekstrem tjetër, po ashtu i dhimbshëm për popullin e Kosovës, del kur krahason simbolikën e kalamajve faqekuq, symëdhenj e flokëbardhë. Më 1997 ata ishin shpresa për mbijetesë, sot më 2014 pasqyrojnë dëshpërimin me Kosovën.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...