Pensionistët e shkelur

7 Qershor 2015 - 08:10 - Brikenda Rexhepi      

Kosova që nga paslufta është bombarduar nga kërkesat e donacionet kundër diskriminimit të pakicave, grave, romëve, komunitetit LGBT..., por kurrë nuk ka pasur as edhe një fushatë kundër diskriminimit të pensionistëve. Nëse atyre nuk u mundësohet të bëjnë jetë të dinjitetshme, nuk mund të thuhet se ka barazi qytetare në një shtet

Nuk e di ide e kujt ka qenë ajo e vitit 2002 kur qe vendosur që pensionistëve t’u jepen aq para sa do t’u dilnin të blinin kalori aq sa për të mbijetuar. Numri i kalorive të mjaftueshme për ta mbajtur shpirtin ishte matur të jetë 2100 në ditë, e 28 euro ishin vlerësuar të mjaftueshme për ushqimin që i përmbante ato.

Sikur shumë vendime që u patën marrë në kohën e UNMIK-ut e që ishin nënçmuese për kosovarët e mbijetuar të luftës, edhe ky jo veç që nuk zgjidhte kurrfarë problemi por ia jepte edhe të mbrapshtën krejt qasjes, në këtë rast, ndaj çështjes së pensioneve. Kosovarët, natyrisht sikur edhe karshi të mbrapshtave të tjera, e patën përqafuar atë.

Edhe sot pas 13 vjetësh, vazhdon nënvlerësimi i kategorisë që i dha Kosovës kontributin më të madh dhe që në të njëjtën kohë sakrifikoi më së shumti nga jeta e vet. Janë gjenerata që po injorohen ashtu siç po injorohet historia e fundit e Kosovës, nga politikanë në pushtet që shikimin nga e ardhmja ia kanë adaptuar interesave të veta, përfshirë edhe rehatinë pas pensionimit të vet. Edhe këtë vit nuk ka buxhet për zbatimin e Ligjit për pensionistët që, mes tjerash, parasheh edhe kategorizimin e kontributpaguesve. E Qeveria që e ka obligim zbatimin udhëhiqet nga një kryeministër që gjatë fushatës ka premtuar se pensionet do t’i bëjë 183 euro, pra t’i rrisë për 64 për qind. Kjo e pavërtetë më pak i ka hije një njeriu që vitin e ardhshëm vetë do t’i mbushë 65 vjet. E krejt qasja ndaj kësaj kategorie është më e dhimbshme kur dihet që vetëm rreth 6 për qind e popullatës janë mbi këtë moshë.

Pensionistët sot i marrin nga 75 euro, kurse kontributpaguesit plus 65 euro. Kjo e arritur, krahasuar me vitin 2002, u ka mundësuar atyre të marrin ndonjë kalori më shumë, por jo edhe të blejnë ilaçe, të paguajnë ndonjë mjekim, të blejnë veshmbathje, t’i befasojnë të afërmit me ndonjë dhuratë, të shëtisin..., të bëjnë jetë të dinjitetshme e t’u gëzohen si duan vetë ditëve që i jetojnë.

Sociologët shpjegojnë se ndikimi i këtij trajtimi shkon përtej mirëqenies materiale. Pasigurinë dhe goditjen e vetëbesimit i përmendin si pasoja kur kombinohen mungesa e pavarësisë financiare dhe transformimet e shpejta strukturore që ka pësuar familja si institucion që nga paslufta. Këtu në kombinim hyn edhe mungesa e hapësirave dhe e aktiviteteve të organizuara e të mbështetura nga dora e shtetit ku ata mund të shoqërohen e të argëtohen. Për të mos folur fare për mungesën e shtëpive të dinjitetshme të pleqve dhe madje edhe të infrastrukturës ligjore për hapjen e shtëpive të tilla nga të interesuarit që kësaj pune duan t’i hyjnë si biznes.

Kosova që nga paslufta është bombarduar nga kërkesat e donacionet kundër diskriminimit të pakicave, grave, romëve, komunitetit LGBT..., por kurrë nuk ka pasur as edhe një fushatë kundër diskriminimit të pensionistëve. Nëse atyre nuk u mundësohet të bëjnë jetë të dinjitetshme, nuk mund të thuhet se ka barazi qytetare në një shtet. Për më shumë, në Kosovë janë rreth 40 mijë pensionistë që kanë paguar kontribute me dekada deri në vitet nëntëdhjetë e që me të drejtat e tyre për kompensim nuk është marrë askush – as institucionet kosovare, as bashkësia ndërkombëtare. Në asnjërin raund të bisedimeve me Serbinë, çështja e Fondit Pensional nuk është parë e rëndësishme për t’u hapur. Kjo pavarësisht faktit që Fondi llogaritet të kapë vlerën prej 1 miliard eurosh. Në një deklaratë të mëhershme kur qenë pyetur zyrtarët në Beograd për këtë, patën thënë që shpenzimet e policisë dhe të ushtrisë gjatë viteve nëntëdhjetë kanë qenë të mëdha.

Tani Kosova thuajse është pajtuar me faktin që Serbia, jo veç që nuk do t’i kthejë paratë që kanë qenë kontribut i banorëve të saj, por edhe me arsyetimin që ato para kanë shkuar në makinerinë shkatërruese serbe të viteve nëntëdhjetë. “Shikimi kah e ardhmja” i udhëheqësve politikë kosovarë e ka sjellë shtetin në pozitë në të cilën më parë sakrifikon qytetarët e saj se që tenton të ballafaqohet me Serbinë. Ky shikim e ka sjellë shtetin në pozitë që të mos sakrifikojë veç pensionistët, por edhe ata që humbën shumë më shumë se kontributet. 12 mijë të vdekur, 20 mijë gra e vajza të dhunuara e 1 milion të dëbuar, po zhduken si kontekst i Kosovës. Ajo nuk po ia del t’i dalë zot asnjë lloj viktime duke i humbur të gjitha letrat sa të dhimbshme aq edhe të favorshme për ta ngritur pozicionin karshi shtetit që i ka bërë ato krime e që sot akoma është armiku kryesor i shtetësisë së Kosovës.

[email protected] 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...