18 Janar 2015 - 08:02 - Brikenda Rexhepi
Nuk është as Kosova e shpresave të të mbijetuarve, të cilat, pas luftës, ua kanë dhënë vullnetin për t’i mposhtur humbjet, dhimbjet, vragat... Kush e kishte menduar se sot zëri i viktimave do të kthehej sërish; se rrethanat do të përdredhoheshin kaq keq; se porosia e fotografisë së kafkës me gojë të hapur do të vinte në një kontekst kaq dëshpërues.
“KOHA” e së dielës e 18 janarit 2015 sjell thirrjen “Mos harroni”, të kafkës, të cilën “TIME” e 28 qershorit 1999 e kishte sjellë në foto si dëshmi të krimeve të Serbisë mbi popullatën civile shqiptare. Përshkrimi i fotografisë në këtë revistë prestigjioze amerikane tregonte se bëhej fjalë për njërën nga 22 viktimat e njërës nga dhjetëra masakrat që ishin kryer në Kosovë. Shkruhej së këto viktima kishin qenë gra ose djem të rinj të vrarë në Carrallukë të Malishevës, e që mbetjet mortore u ishin gjetur në një shtëpi të djegur. Vetë kafka, në shikim të parë mund të ndjellë frikë. Por nëse e shikon më mirë fillon ta njohësh; të ndiesh për të, mbase vetëm dhimbje e keqardhje; dhe nëse e vë në një kontekst edhe t’ia lexosh porositë.
Kjo e fotografisë mund të kuptohet menjëherë se i ka takuar një djali apo një vajze të re, diku 12-13 vjeç, pra le të themi në klasën e shtatë a të tetë. Vërehet lehtë prej dhëmballëve - shtatëshet veç sa kishin filluar t’i dilnin. Duke u bazuar në përshkrimin e fotografisë që e kishte bërë revista, i thashë dje një kolegut tim që duhet të ketë qenë djalë. Ai insistoi që ishte vajzë ngase fijet ngjyrëkafe përreth kafkës dukeshin si flokë të gjatë.
E mendova sërish. Nëse mbetjet mortore të këtyre 22 të vrarëve janë gjetur në një shtëpi të djegur, flokët nuk do t’iu kishin shpëtuar aq lehtë flakëve. Pastaj i kontrollova edhe disa lista të viktimave të luftës që i kanë përpiluar organizatat e ndryshme (natyrisht jo institucionet e Kosovës) dhe pashë vetëm emra djemsh të asaj moshe nga Carralluka. Prandaj, më se e sigurt që kafka i ka takuar një djaloshi. Në dekadën e parë të jetës me siguri edhe ai ka qenë ndonjë lozonjar e i buzëqeshur siç janë zakonisht djemtë e asaj moshe. Por momentet e fundit shihet se i ka kaluar në një tmerr të llahtarshëm, të tillë siç ne nuk mund as ta paramendojmë, e aq më pak ta përshkruajmë. Megjithatë, mbetjet e tij e ilustrojnë...
Sado e rëndë që mund t’i duket dikujt kjo fotografi që gazeta e sjell edhe në ballinë, ajo megjithatë kapërdihet më lehtë se përdhosja e personazhit të saj, apo se lejimi që sot nëna e këtij djaloshi të fyhet e të poshtërohet. Është më e lehtë të kapërdihet edhe se keqpërdorimi e manipulimi ndër vite i familjarëve të të zhdukurve për t’i arsyetuar nisjet e negociatave e të dialogëve me Serbinë, e jo për të adresuar vërtet kërkesat e tyre. Duke mos qenë madje kjo e keqja e vetme.
Proceset e bisedimeve çdoherë janë iniciuar me çështjen e të zhdukurve dhe çdoherë kanë përfunduar me koncesione politike ndaj Serbisë. Pak nga pak kështu, duke e krijuar sot një Kosovë me oaza territoriale serbe; me forca politike të Serbisë që kanë fuqi bllokuese në Kuvend; me ministra që e thonë hapur se janë në Qeveri për të çuar përpara interesat e Serbisë; dhe që është më e keqja, me një kryeministër që ua jep këtyre ministrave resorët ku mund të bëjnë më së shumti dëm.
Për të shtuar këtu, sot kemi një Kosovë, në të cilën ministri i Qeverisë së saj i quan familjarët e viktimave të luftës “egërsira”; që thotë se nuk ka dëgjuar për masakrat – pra nuk e di për djaloshin lozonjar dhe për tmerrin e tij të vdekjes; që thotë haptas se do t’iu ndihmojë shqiptarëve që t’i shesin pronat në veri e të vendosen në Mitrovicë të jugut apo në Vushtrri; dhe sërish që është më e keqja, kemi një kryeministër të zënë peng nga lakmia e pushtetit dhe e pafuqisë politike e njerëzore, aq sa nuk pranon as të flasë për këtë gjë. Me dëshirë nuk do ta lejonte asnjërin të thotë gjë, ashtu siç ia mbylli mikrofonin e pastaj edhe gojën njërit prej ministrave të vet ditë më parë.
Për të shtuar akoma, sot kemi një Kosovë ku një ditë para përvjetorit të masakrës së Reçakut, këtu vjen ish-ministri për informim i kriminelit Milosheviq, tani si kryeministër i Serbisë dhe risjell shprehjen identifikuese të mendësisë së shefit të tij: “Kosova është djep i Serbisë”. Ndërkohë, Serbia asnjëherë, në asnjërën strukturë qeverisëse pas Milosheviqit, nuk i ka pranuar krimet, e lëre më të kërkojë falje për to. Ky shtet çdoherë ka folur për vrasjen e “terroristëve shqiptarë” dhe tani edhe rikthehet me propagandën e njohur tashmë për ata që mbajnë mend fillimvitet nëntëdhjetë – atë të lindjes së sa më shumë bebeve për ta mposhtur “rrezikun” që u kanoset serbëve në Kosovë.
Paaftësia e kosovarëve dhe shkathtësia e serbëve e kanë përdredhur situatën aq shumë, saqë pozicionet e Kosovës dhe të Serbisë sot e reflektojnë të kundërtën e realitetit. Para dy – tre vjetësh pati ardhur në Kosovë Alastair Campbell, që ka qenë drejtor për Komunikim e Strategji i ish-kryeministrit britanik, Tony Blair në vitet 1997 – 2003. Ai është një prej emrave më me nam në botë për zanatin e tij. Problemi kryesor që pati identifikuar ai: Kosova e ka humbur kontekstin.
Vetëm pak vjet pas luftës që la 12 mijë të vdekur, 20 mijë gra e vajza të dhunuara e 1 milion të dëbuar, Kosova e ka humbur këtë letër sa të dhimbshme aq edhe të favorshme për të ngritur një pozicion të fortë e të padiskutueshëm karshi shtetit që i ka bërë ato krime e që sot akoma është armiku kryesor i shtetësisë së Kosovës. Një pozicion të fortë e të padiskutueshëm edhe para bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht BE-së, që po ua pret teshat të dyja vendeve. Por jo, udhëheqësit e Kosovës i kanë harruar ato krime. I kanë harruar edhe si dhimbje, edhe si atu. I kanë harruar madje edhe si respekt, duke u shfaqur rregullisht si karikatura hipokrite nëpër akademi përkujtimore e homazhe.
Sot në gazetë kemi rrëfimin e një djali nga Reçaku, të cilit i ishin vrarë babai dhe kushërinj të tjerë. Para përvjetorit ai kishte dalë te varrezat që t’ua hiqte borën. Thotë se po ua bën gati politikanëve që të shkojnë e t’i mbajnë fjalimet.
Thirrja e kafkës sot u drejtohet pikërisht atyre. Nuk u kërkon deklarata boshe, por respekt. U kërkon që ta shfrytëzojnë, jo ta injorojnë realitetin e hidhur të luftës. Zëri i viktimave po kthehet, e të gjallët po ikin. Nuk e ka dëshiruar kush një Kosovë të tillë. “Ma mirë t’isha vra”, i tha “Kohës Ditore” një i mbijetuar i Reçakut, në 16-vjetorin e masakrës.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...