20 Mars 2016 - 08:00 - Brikenda Rexhepi
Në rreth 450 mijë ka arritur numri i lëndëve të pazgjidhura në gjykata. Mbi dy mijë lëndë janë parashkruar vetëm më 2015 në gjykata - 1.805 në mënyrë absolute e 240 pjesërisht. Në prokurori më 2014 janë parashkruar 175 lëndë. Një vit pas, më 2015, janë parashkruar vetëm 8 lëndë - njëra nga to dallaveret në tenderin 4-milionësh të KEK-ut, ku në mesin e 7 të dyshuarve është njëri nga zyrtarët më me ndikim të PDK-së. Sasia e lëndëve për të cilat nuk është ndarë drejtësi që nga paslufta e deri më 2008, nuk matet me numra, po me paketa të mbushura me dosje të mbyllura apo të hedhura poshtë nga UNMIK-u, të cilat i kanë arritur tavanet e zyrave të prokurorisë të Kosovës së paspavarësisë. Që nga viti 2003 në rreth 1.300 ka arritur numri i kërkesave në Këshillin Gjyqësor për kompensim nga të burgosurit e pafajshëm.
Ndërkohë Kosova vazhdon të mbetet vendi më i korruptuar në Evropë. Sistemi i saj i drejtësisë që nga paslufta kritikohet sistematikisht për politizim, korrupsion, neglizhencë... nga miqtë amerikanë e evropianë dhe nga vetë ne. E fundit kritikë duke ardhur para tri ditësh në formë proteste nga ana e EULEX-it, i cili ka anuluar mbledhjen e Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit, për të shprehur brengosje për ndërhyrje të ministrit të Drejtësisë në rastin e një bashkëpartiaku të dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Të bashkëpartiakut, i cili rastis të jetë i dyshuari i rastit të mësipërm të parashkruar, për shkak se prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë brenda afatit ligjor dyvjeçar. Sjelljen e ministrit, EULEX-i e ka kualifikuar frikësim e ndërhyrje politike. Ka kërkuar nga autoritetet kosovare të sigurojnë që “gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”.
“Ata (elita politike v.j.) janë të mençur kur vjen puna te sundimi i brishtë i ligjit dhe sistemi joefikas i drejtësisë, sepse një sistem i fortë i drejtësisë do të ishte kërcënim për ta”, ka thënë Andrea Capussela, njohës i çështjeve ligjore, në një interviste për “Kohën Ditore”. Kjo sqaron pse kritikat ndaj sistemit të drejtësisë mbesin të njëjta ka 16 vjet dhe pse të tilla do të mbesin derisa nuk ndryshon elita politike e pushtetit të pasluftës. Kontrolli i drejtësisë i jep asaj fuqi politike dhe financiare, e përfitime njerëzve brenda sistemit të drejtësisë, që kësaj elite ia kanë shitur shpirtin. Një pakt që do të funksionojë derisa qytetarët ta lejojnë.
Nëse mblidhet numri i lëndëve të pazgjidhura nëpër gjykata; numri i lëndëve të mbyllura padrejtësisht nga UNMIK-u; numri i lëndëve të parashkruara ndër vite në gjykata e prokurori... shuma do të dalë mbi gjysmë milioni. Kjo shifër e rasteve të mohimit të drejtësisë në 1.8 milionë banorë tregon më shumë se vetëm për një sistem jofunksional të drejtësisë. Tregon për strukje të qytetarëve ndër vite. Për dorëzim para padrejtësisë. Për diçka që është edhe më e keqe se vetë pakti i politikës me gjyqësorin.
Hiq politizimin e drejtësisë, hiq nivelin e ulët të dënimit të rasteve të korrupsionit, hiq aministimin që u bëhet fëmijëve të politikanëve për delikuenca - pra edhe po të mos ekzistonin këto dukuri, mjafton veç neglizhenca e sistemit për të ndarë drejtësi që qytetarët të çohen në këmbë. Zërat e viktimave që dëgjohen për çdo ditë, kryesisht nëpër media, të ndarë tingëllojnë më pak. Tingëllojnë edhe më pak kur nuk u bashkohet edhe zëri i shoqërisë.
Nëse shoqëria nuk është në gjendje të bëhet bashkë për kërkuar drejtësinë bazike, ajo nuk do të zgjohet as për më shumë vende pune, as për dinjitet në shëndetësi, për cilësi në arsim... as kundër ndikimit politik në gjyqësor. Kjo e bën edhe atë bashkëpjesëmarrëse në paktin kundër drejtësisë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...