M’ani ujin

5 Korrik 2015 - 08:10 - Brikenda Rexhepi      

Sot derisa Ujmani lundron nëpër tavolinën e negociatave të Brukselit, thirrja për palën kosovare është “m’ani ujin”. Qysh do që të interpretohet: si një thirrje e ngjashme me emrin e që kërkon mbajtjen e ujit të Ujmanit në Kosovë, apo si një thirrje e stilit të ambasadores amerikane për të mos e fëlliqur punën, me rëndësi është që porosia të shkojë në vend

“M’ani ujin” është një thirrje që mund të interpretohet ndryshe-ndryshe, por ka veç një porosi. Është një thirrje për Ujmanin, liqenin në veri të Kosovës - edhe ky i rrezikuar në negociatat e Brukselit.

Janë katër tema që tani po i flet kryeministri Mustafa me kryeministrin serb Vuçiq. Dy nga to e prekin liqenin. Edhe për të, sikur për shumë çështje të tjera deri tash, pala kosovare ka thënë se nuk do ta diskutojë me Serbinë. Edhe pala serbe është pozicionuar. Për së gjalli, thotë se nuk do të nënshkruajnë asnjë dokument që kontrollin mbi liqenin ia lë Prishtinës.

Në lojën e shahut, një pozicion i figurave ku mbreti sulmohet nga dy figura të ndryshme njëkohësisht quhet shah-mat. Një të tillë e synon Beogradi për Gazivodën, të cilës pas luftës Kosova ia ka lënë emrin Ujman. A do t’ia dalë ta mbajë vërtet ujin, mbetet të shihet. Në negociatat që po i bën me Serbinë, ai po sulmohet nga energjetika dhe Asociacioni i Komunave Serbe. Për këto dy tema nuk është raportuar zyrtarisht për ndonjë marrëveshje në raundin e bisedimeve të javës së kaluar.

Në temën e energjetikës Serbia insiston që veriu i Kosovës të ketë rrjet të vetin të furnizimit dhe distribuimit të rrymës. Në pako të kushteve, kryeministri serb e ka futur edhe Ujmanin. “Duan me nënshkrimin tonë të na e marrin Gazivodën dhe tërë rrjetin e largpërçuesve... nuk ekziston ajo gjë në rruzullin tokësor që mund të më detyrojë në këtë”, ka thënë Vuçiqi të nesërmen e bisedimeve në Bruksel. E ministrja kosovare për bisedime, Edita Tahiri ka thënë se Ujmani nuk është folur fare në bisedime. Por, shefi i saj, kryeministri Mustafa, ka lënë të nënkuptohet tjetër gjë. “Qëndrimet janë shumë larg në lidhje me marrëveshjen për energjinë, sepse delegacioni serb ka hapur shumë probleme të pronës, të cilat për ne janë të padiskutueshme…”, ka thënë ai.

Beogradi thotë se ka investuar në ngritjen e liqenit e Prishtina argumenton të kundërtën. Beogradi thotë se serbët e fshatrave ku është ngritur liqeni nuk janë kompensuar si duhet e Prishtina sërish argumenton të kundërtën… Andaj nuk është se nuk bëhen muhabete për një liqen që është brenda territorit të Kosovës, por në të cilin autoritetet kosovare nuk kanë dorë.

Si do që të zhvillohen diskutimet në energjetikë, është edhe tema tjetër që, veç tjerash, ia ka vënë syrin edhe Ujmanit. Asociacioni i Komunave Serbe ka qasje më të gjerë në synimin e shtrirjes së ndikimit të Serbisë nëpër Kosovë. Zyrtarisht ende nuk është raportuar për marrëveshje, por një draft i propozuar nga Brukseli dhe, sipas burimeve, i pranuar nga palët ka rrjedhur në media. Prishtina ka insistuar sërish se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por ky mekanizëm ombrellë do të ketë forume përgjegjëse për vendimmarrje në një spektër të gjerë çështjesh. Do të krijojë e menaxhojë fonde, do të mund të hapë zyra përfaqësimi e edhe të formojë institucione publike. Në strukturë do ta ketë Këshillin Ekzekutiv, Kuvendin, Bordin e administratën po ashtu. Në këtë temë, pala serbe nuk ka pasur nevojë të flasë specifikisht për Ujmanin. Mjafton që ai është në Komunën e Zubin- Potokut, e ajo është në Asociacion.

Duke qenë një aset strategjik, rëndësia e Ujmanit shkon përtej një territori në veriun e neglizhuar deri më tash. Ai është jetik për funksionimin e komplekseve elektroenergjetike në Obiliq. “Nuk mund të paramendohet që një termocentral të operojë pa ujë, njëjtë sikur nuk mund të operojë pa linjit”, ka saktësuar drejtori i KEK-ut. Ujmani furnizon me ujë edhe Ferronikelin, ujësjellësit dhe fermerët për ujitje. Rreziku është akut nga mospasja e një kontrolli stabil e të plotë institucional, me gjithë faktin që ndërmarrja Ibër-Lepenci menaxhon me ekipin serb në hidrocentralin e Ujmanit. Frika ka ekzistuar se do të sabotohet puna, kur Kosova e pati shpallur pavarësinë, dhe frika ekziston për çfarëdo situate tjetër në të ardhmen. Po ashtu tendenca ka pasur që në krye të Hidrocentralit të Ujmanit të vendoset menaxhment paralel dhe për të marrë kontrollin ka pasur edhe ndërprerje disaditëshe të punës.

Është edhe një fakt tjetër i dhimbshëm për Ujmanin. Sado që shqiptarët mund t’i jenë gëzuar emrit shqip të liqenit, ata janë të privuar nga kënaqësitë që ua ka dhënë “Gazivoda”. Flasin për kohën kur kanë mundur të shijojnë bukuritë natyrore të asaj pjese të Kosovës – një atraksion që shtrihet nëpër male e lugina të gjelbëruara në një sipërfaqe prej 9,2 kilometrash katrorë brenda Kosovës, e 2,7 kilometrash në Serbi. Një liqen që i janë dashur nëntë vjet për t’u mbushur pas ngritjes së pendës më 1979, e që ka kushtuar 90 milionë dollarë. Ekspertët e përfshirë në këtë projekt tregojnë se Kosova ka siguruar gjysmën e kësaj shume nga fondi federativ i ish-Jugosllavisë e gjysmën tjetër nga Banka Botërore. Krejt çka ka mbetur sot shqiptare në këtë atraksion është pezhorativi “Šiptarska Plaža” që ironikisht tregon për vendin ku dikur kanë bërë qejf shqiptarët e sot është e ndaluar për ta.

Sot derisa Ujmani lundron nëpër tavolinën e negociatave të Brukselit, thirrja për palën kosovare është “m’ani ujin”. Qysh do që të interpretohet: si një thirrje e ngjashme me emrin e që kërkon mbajtjen e ujit të Ujmanit në Kosovë, apo si një thirrje e stilit të ambasadores amerikane për të mos e fëlliqur punën, me rëndësi është që porosia të shkojë në vend.

[email protected] 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...