Për Nënën Fatë e Babaplakun

4 Janar 2015 - 12:07 - Brikenda Rexhepi      

Babadimri është personazhi i Vitit të Ri, të cilin njerëzit janë mësuar ta duan për interes. Pavarësisht sa i butë e i buzëqeshur paraqitet, kush nuk mërzitet më për të pasi ta ketë marrë dhuratën. Për t’iu përshtatur edhe më shumë këtij realiteti, ai vjen si një plak që rrezaton dashuri dhe largohet i pahidhëruar pasi të ketë dhënë krejt çka ka pasur në thesin e tij.

Një thes të tillë e ka secili prej nesh. Me kohë e mbush dhe e zbraz, derisa ecën kah mosha e Babadimrit. Se si vërtet ndihet një bashkëmoshatar i tij, njeriu e kupton kur të ketë arritur aty. Se si rrezaton është gjë që mund të ndihet, e se si jeton të shihet.

Gjyshi e gjyshja dhe të gjithë bashkëmoshatarët e tyre dhe të Babadimrit më së paku që meritojnë këtë fundvit është një kolumne. Për ta nuk është folur shumë vitin që lamë pas. E tani, në këtë ditë me borë, në ngrohtësinë e shtëpisë sime, teksa po shkruaj për ta, ndihem edhe më rehat kur rikthej Babaplakun me “fëllëza e babës fëllëzë” dhe fuqinë e dashurisë që përçonte Nëna Fatë, që janë gjyshi nga baba, dhe gjyshja nga nëna. Të dy ka shumë moti që kanë ndërruar jetë, por gjurmët e tyre me kohë po marrin kuptim e peshë më shumë.

Shikimi i sinqertë e adhurues, ledhatimi i butë, uratat e zemrës, dashuria e pakusht, brengosja e përkrahja e pakufi, durimi e moshidhërimi për asgjë... nuk vijnë të paketuara kund më mirë se te një gjyshe a një gjysh – te një bashkëmoshatar i Babadimrit. Në këto kohë të ashpra, të mbushura me mashtrime e interes, me hipokrizi e çkamos tjetër, në një vend të varfër e të korruptuar, një pako e tillë s’ka si të jetë ndryshe veçse një ilaç për ta rritur zemrën, derisa njeriu pushon e feston, apo jo, për Vitin e Ri.

Por, pasi t’i kemi marrë të gjitha dhuratat, të kemi pushuar e festuar, si t’ia bëjmë që të mos e harrojmë Babadimrin: Të mendojmë se edhe vetë do të arrijmë aty? Apo, të mos bëhemi vetjakë e të mos nisemi nga frika, por nga dëshira që gjyshërit që janë gjallë tani, të bëjnë një jetë më të dinjitetshme.

Sado që në Kosovë tradicionalisht anëtarët e familjes janë kujdesur për njëri-tjetrin, qoftë për shkak të ndonjë sëmundjeje apo të moshës së shtyrë, shteti këtyre kategorive u ka hyrë në hak. Ndërkohë shoqëria kosovare ka nisur të transformohet gradualisht nga tradicionalja në diçka që ka formë perëndimore.

Marsin e kaluar shkova për vizitë në Norvegji te Mimoza, vajza e dajës. Ajo jetonte në një lagje të Oslos, ku sa kishte çerdhe aq kishte edhe shtëpi të pleqve. Mimoza më tregonte se këto shtëpi kishin frizere e grimere, sesi për çdo ditë organizoheshin shëtitje e ekskursione, sesi banorët bënin ndeja e sesi dukeshin plot jetë kur dilnin nëpër qytet. Bisedonim se si po ngrihej një lloj mendësie për ta çmuar pleqërinë si qershia mbi tortë -- si moshën kur njerëzit do t’u përkushtoheshin veç qejfeve të veta, madje edhe atyre më “fëmijërore”, si diçka e merituar që s’do diskutim.

Jo veç kjo vizitë dhe veç dashuria e gjyshërve të mi më motivuan të mendoj këtë fundvit për moshatarët e Babadimrit. Energjia që transmetoi tek unë një i tillë teksa fliste në ceremoninë e sivjetme të çmimeve “Rexhai Surroi” më bëri t’i çmoj ata edhe më shumë. Derisa 85-vjeçi e zgjaste fjalimin, rrezatonte mosdorëzim, sinqeritet dhe shpërfillje të të gjitha paragjykimeve e gjykimeve në sallë ndaj një njeriu, të cilit tanimë as syzet nuk i kryejnë punë për ta lexuar një copë teksti; ndaj vështirësive që pati për t’i thënë ato që donte t’i thoshte; ndaj ecjes së ngadaltë në binë; ndaj vajit të gëzimit që kontributi i tij jetësor po vlerësohej...

Vlerësimi i të moshuarve, jo veç i atyre që patën rastin të arrinin edhe në karrierë, është qasje që i mungon shoqërisë kosovare. Ata më shumë shihen si nevojtarë, se si personalitete që kanë ecur shtigje më të gjata e kanë parë e dëgjuar më shumë. Kurse shteti jo veç që nuk u ofron mundësi për t’i bërë qejfet, por ua kufizon muajin me 60 ose 140 euro – shumë kjo që reflekton se sa vlerësohen brezat paraardhës këtu.

Babadimri është shumë i vjetër për t’i dhënë sajës kah Subotica, e edhe moshatarët e tij në Kosovë atë nuk e kanë opsion. Zgjidhja për ta vonon më shumë, andaj duhet të ngutemi!

Një rrëfim e pata dëgjuar moti për bisedën mes një djali të ri dhe një burri plak:

Thotë djali: “Nganjëherë më bie luga prej dorës”
Thotë plaku: “Edhe mua më ndodh”
Djaloshi i pëshpërit: “Ndonjëherë i lag pantallonat”
“Më ndodh edhe mua”, ia kthen plaku buzagaz
Thotë djaloshi: “Shpesh më vjen të qaj”
Plaku ia pohon me kokë: “Edhe mua”
“Por, më e keqja”, thotë djaloshi, “të rriturit s’ma varin fare”
Thotë plaku: “E di për çka e ke fjalën”.

[email protected] 

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...