23 Mars 2014 - 07:35 - Brikenda Rexhepi
Është një shkurtesë që Qeverinë e bën të lumtur, opozitën të pakënaqur, e popullin e lë disi mes emocioneve e dyshimit.
Është shkurtesa me të cilën muajin e kaluar kryeministri e nisi zgjidhjen e të gjitha problemeve të Kosovës. Vendimi për FAK-un ua hapi rrugën rritjes së rrogave, gjetjes së çaresë për fëmijët me leukemi, zgjidhjes së problemit të ujit dhe ngrohjes, kontratës që të gjithë punëtorëve ua garanton të drejtat, shpërndarjes së milionëve inekzistentë punëtorëve të Fabrikës së tubave... stadiumit të standardeve botërore në Prishtinë.
Kjo e ka lënë opozitën me gishta në gojë. Ata nuk mund t’ia bëjnë popullit atë që po ua bën kryeministri. E derisa atij po i pëlqen të marrë poza nëpër tenda, fabrika e spitale, duke ngërthyer në kënaqësinë e vet edhe njerëzit në nevojë, të tjerët e shikojnë dhe mbase dikush edhe e kupton që edhe FAK-u është vetëm një shkurtesë e momentit që prek emocionet e popullit.
Secili shqiptar që nga fundi i të nëntëdhjetave kishte parë një ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dëshiruar që kur ky vend të bëhej i pavarur ta kishte ushtrinë e vet, të cilën do ta adhuronte njëjtë. Një forcë që të mbrojë ty dhe shtetin.
Forcat e Armatosura të Kosovës shfaqen si një vendim politik i Qeverisë në prag të zgjedhjeve nacionale, duke ngjallur emocionet e popullit për një ushtri, e cila, megjithatë, nuk e ka as në horizont mundësinë e kryerjes së funksionit primar të saj – mbrojtjes së kufijve të shtetit. Udhëheqësit politikë nuk ia kanë dalë që ta krijojnë kontekstin e përshtatshëm në terren, që vendimet e tilla të gjejnë zbatim. Derisa KFOR-i është në Kosovë, loja me krijimin e ushtrive mund edhe të mos e rrezikojë sigurinë e vendit. Por e keqja shkon përtej, duke e instaluar mendësinë e mosmarrjes seriozisht të çështjeve jetike të një shteti.
Sot realiteti është i tillë, që në terren ka shumë veteranë të UÇK-së që jetojnë jetë të mjerueshme, vetë lufta e UÇK-së po rrezikohet nga akuzat për shitje organesh, dhe nga Tribunali që do të themelohet për t’i hetuar individët e përfshirë në raportin e Martyt, veriu i Kosovës mbetet jashtë kontrollit të Prishtinës, ndërkohë që pas zgjedhjeve pritet vazhdimi i dialogut me Serbinë, të cilën tani e përfaqëson ultranacionalisti i gatuar në Partinë Radikale Serbe.
Pjesë e vendimeve të kryeministrit pas FAK-ut ka qenë edhe Ligji për veteranët, që do t’i hapë rrugë përmirësimit të statusit të tyre, e që është zvarritur aq gjatë sa të përfundohet para zgjedhjeve. Dhe po ashtu aq gjatë sa faqet e gazetave të raportojnë për shtimin e numrit të veteranëve që bëjnë vetëvrasje nga skamja dhe pamundësia për t’iu dalë zotë familjeve të veta. Se si do të procedohet me ligjin pritet të shihet. Ngjashëm pritet të shihet se si do të shkojë edhe puna e Tribunalit, i cili nuk ka qenë vendim i kryeministrit, por i Task Forcës që po heton përfshirjen e tij në aferën e raportuar nga Dick Marty. Këto akuza janë më të rënda kur kihet parasysh që në to preket lufta e të gjithë ushtarëve të Kosovës që kanë dhënë jetën për ta çliruar atë, dhe jo vetëm e disa individëve, të cilët mund të kenë apo të mos kenë qenë të përfshirë në çfarëdo devijimi nga thelbi i qëllimit të UÇK-së. Sot, në këto rrethana, kur kujton ushtarët e vërtetë të saj, që kanë mbijetuar apo janë vrarë, të vjen keq dyfish.
Edhe FAK-u do të varet nga ajo se sa do të jetë shteti në gjendje të japë për të. Kalimi i fazave për zhvillimin e kësaj force për të cilat flet ministri i FSK-së kërkon mjete financiare, e zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk është premtues. Ndonëse parashihet 2019-a si viti përmbyllës i zhvillimit dhe operacionalizimit të FAK-ut, kjo nuk do të mund të ndodhë nëse qeveritë e ardhshme nuk e ndërrojnë qasjen si në kontekstin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Shtrirja e pushtetit në veri dhe zhvillimi ekonomik mbesin dy parakushtet për një Forcë të Armatosur funksionale.
Por para 2019-s janë fazat e para, e njëra nga to ka të bëjë me krijimin e bazës ligjore, e cila nënkupton ndryshimin e Kushtetutës. Nuk është bërë e qartë se si do të ndodhë kjo, duke pasur parasysh kushtëzimin e pakicave për vazhdimin e vendeve të rezervuara dhe dy të tretat e votave të tyre për t’u bërë ndryshimet kushtetuese. Nëse ndryshimet për FAK-un dhe ato për vendet e rezervuara hyjnë në pako, atëherë deputetët do të vihen para një sfide, së cilës i patën ikur gjatë reformës zgjedhore. Kërkesa e atëhershme e kryeministrit që pakicave t’u vazhdoheshin vendet e rezervuara mund të realizohet tani, kur deputetët mund të vihen në situatë që duke e refuzuar këtë, e refuzojnë edhe FAK-un.
E paqartë mbetet edhe përfshirja e FAK-ut në bisedime. Ndonëse opozita e ka kundërshtuar këtë dhe njëjtë ka bërë edhe ish-kryenegociatorja Tahiri, e ngjashme ka qenë situata edhe kur është folur për policinë, megjithatë ajo është bërë temë diskutimi. Nëse pjesëtarët e MUP-it në veri me negociata janë sistemuar në Policinë e Kosovës si kusht për t’u shtrirë në atë pjesë, nuk është larg mendsh që të shqyrtohet edhe kërkesa e serbëve që pjesëtarët e mbrojtjes civile të përfshihen në çfarëdo force të Kosovës me të njëjtin qëllim. Serbia tashmë ka deponuar ankesë në OKB dhe ka thënë se kjo çështje do të hapet në Bruksel. Derisa OKB-ja ka rikujtuar 1244-shin që e parasheh KFOR-in si forcën e vetme ushtarake në Kosovë, NATO-ja është rezervuar të flasë, kurse SHBA-ja e ka përshëndetur krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës.
E dëshira e kosovarëve nuk është vetëm që ta kenë një Forcë të re të Armatosur që do t’i mbrojë ata dhe tërë territorin e shtetit, por edhe ta ruajë e ta mbrojë imazhin dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç e kanë bërë ushtarët përnjëmend.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...