15 Shkurt 2015 - 08:00 - Brikenda Rexhepi
Për të qenë vërtet në anën e kundërt të krimit, duhet të jesh vërtet kundër tij. Për të qenë në anën e kundërt të krimit, policët duhet t’i mbrojnë viktimat e t’i kapin kriminelët; prokurorët s’duhet të ndalen së ndjekuri ata; gjykatësit duhet të japin dënime të merituara e të pandikuara; autoritetet e burgut t’i mbajnë prapa grilave të ndëshkuarit pa dallim. Në të kundërtën, ata do të përbënin një sistem krimi e jo të drejtësisë, dëmet e të cilit do të ishin shumëfish më të mëdha se të kriminelëve jashtë atij sistemi. Të dy palët do të ngrinin një shtet kriminal, po ashtu, ku njerëzit e ndershëm do ta kishin të vështirë ta gjenin veten, e ata krejt të pashpresët do të rrezikonin jetët e veta e të fëmijëve të vet për të ikur nga ai vend.
Për të arritur deri te kjo pikë, me Kosovën është punuar shumë. Sepse nuk është edhe aq e lehtë megjithatë që të ngrihet një rrjet aq i sofistikuar e stabil, i cili neutralizon çdo përpjekje nga brenda e nga jashtë për ta nxjerrë sistemin përnjëmend në anën e kundërt të krimit. Dhe sa do e rëndë që mund të tingëllojë e thënë troç, është një realitet, i cili nuk mund të ndryshojë pa e pranuar se është i tillë.
Hapat e parë drejt këtij realiteti, Kosovës ia ka mësuar UNMIK-u. Është quajtur “Shtylla e parë” e këtij misioni të Kombeve të Bashkuara, ajo që ia ka dhënë formën asaj që e ka quajtur “Sundim i Ligjit”, përkthyer nga “Rule of Law”. Një grumbull policësh, prokurorësh e gjykatësish nga të gjitha kontinentet e botës e të gjitha moshave. Pensionistët kanë qenë posaçërisht të interesuar të vinin t’i ndiqnin kriminelët në Kosovë e t’i mësonin “lokalët” se si duhet ta bëjnë atë. “Lokalët” në mendjet e tyre kanë qenë njerëz kryesisht të padijshëm, ose së paku kanë pasur ndonjë nevojë t’i trajtojnë ashtu. Pasojat kanë dalë të jenë edhe më të thella seç është menduar asokohe. Një pjesë e konsiderueshme e “lokalëve” (jo të administratës) nuk kanë qëlluar aty rastësisht. Njerëz të grupeve të interesave politike e kriminale kanë ditur se si të depërtojnë e të pozicionohen në atë që sot përbën bazën e strukturave jo vetëm të drejtësisë, por edhe të sistemeve të tjera të shtetit. Prej 1999-s e deri më 2007, UNMIK-u bashkë me “lokalët” u kanë grahur hetimeve e proceseve gjyqësore ashtu siç u ka konvenuar. Kanë fshehur çka nuk bënte të dilte në publik, e kanë shtrembëruar çka nuk ka bënte të ishte e drejtë. Grumbujt e pakove të dosjeve kriminale që UNMIK-u kishte vendosur t’i mbyllte apo t’i hidhte poshtë kanë arritur deri në tavanet e zyrave të Prokurorisë së Kosovës. Ndërsa trashëgimia jofizike tashmë ishte rehatuar në poret e “drejtësisë” kosovare.
Në një bisedë joformale me një përfaqësuese të OKB-së në qendrën e kësaj organizate, një grup kosovarësh patëm diskutuar disa vite më parë për gjendjen në Kosovë dhe për atë se si e kishim parë ne UNMIK-un. Kritikave në shumë aspekte që ia patëm bërë këtij misioni ajo iu pat përgjigjur me pyetjen: “Pasi UNMIK-u paska qenë aq i keq, pse po keni aq shumë dëshirë tash që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së?”
Nejse, kur ranë të katër shtyllat e UNMIK-u, pra edhe ajo e para e “Sundimit të Ligjit”, mjaftonte vetëm një sy i hapur deri në gjysmë për t’i parë vrimat, fijet e interesit e çka mos tjetër në sistemin vendor të “drejtësisë”. Prandaj, për të mos na lënë krejt në “lloç”, ndërkombëtarët menduan sërish për ne. Bashkimi Evropian u bë zemërgjerë dhe krijoi misionin më të shtrenjtë në historinë e vet për (sërish) “Sundimin e Ligjit” – EULEX. Ai nuk përbëhej më nga njerëz të të gjitha kontinenteve. Tani në bord ishin vetëm Evropa e SHBA-ja. Në Kosovë pati ca kundërshtime të stilit “tani jemi shtet, një mision i huaj cenon sovranitetin”... por “lokalët” (jo personeli vendor i administratës) ia gjetën fijen edhe këtij misioni. Pati edhe shpresa që krimet e bllokuara në kohën e UNMIK-ut do të zgjidheshin. Shumë shpejt u bë e qartë që EULEX-i nuk do të merrej fare me to. Tha se kishte ardhur që të ndiqte “peshqit e mëdhenj” të Kosovës. Por edhe EULEX-i, sikurse UNMIK-u, kishte gabuar në vlerësim. Realiteti doli që “peshqit e mëdhenj” e kapën EULEX-in dhe bashkë me “peshqit e mëdhenj” të EULEX-it planifikuan të jetonin të lumtur deri në amshim.
Se kur dikush denoncon të plotfuqishmit mund të shkundë kullat e krimit u dëshmua me skandalin e EULEX-it që e publikoi “Koha Ditore”. Por, misioni evropian megjithatë nuk po dorëzohet. E mbron veten me gjithë dëshmitë që e zhveshën atë plotësisht. Nuk besoj që as BE-ja, ashtu si OKB-ja, lodhet shumë për trashëgiminë që po lë në Kosovë, sa për përgjegjësinë para taksapaguesve evropianë dhe për idealizmin e drejtësisë evropiane.
Nuk ka nevojë as tash të hapësh më shumë se gjysmën e njërit sy për t’i parë vrimat, fijet e interesit e çka mos tjetër në sistemin e kombinuar EULEX-Kosovë të “drejtësisë”. Prandaj edhe u vendos të na jepet edhe një e shtyrë nga jashtë. Gjykata Speciale e iniciuar nga raporti i Këshillit të Evropës, i cili përmban pretendimet e Dick Martyt për krime të kryera nga disa njerëz që kishin qenë edhe pjesë e UÇK-së, është përpjekja e radhës që, siç e ka paralajmëruar kryeprokurori i parë i saj, Clint Williamson, do të shkojë përtej dyshimeve të Martyt. Kjo Gjykatë megjithatë dallon nga EULEX-i, që është mision brenda sistemit të Kosovës. Gjykata Speciale është qartazi dorëzim i një pjese të sovranitetit jashtë Kosovës. Vendimi është marrë rishtas dhe po jetësohet ndërkohë nga grupet punuese për përgatitjet e legjislacionit të nevojshëm. Por, për të arritur deri në këtë pikë jemi nisur qysh moti – prej kohës kur “lokalët” ia kanë ngulur kthetrat sistemit, për të vazhduar me konsolidimin e tij sipas interesave të veta.
Sot kemi arritur në pikën kur po heqim dorë nga një pjesë e shtetit te i cili qytetarët e rëndomtë patën aq shumë shpresa. Shtetit që në të vërtetë u gatua për të favorizuar një kastë njerëzish që depërtuan nëpër të sikur krimba dhe po e hanë dalëngadalë të tërin. Po heqim dorë, sepse ndër vite sistemi i krimit ka mbrojtur kriminelët, siç po vazhdon të bëjë ende.
Nëse kosovarët që e shpresuan të mirën në shtetin e Kosovës, qofshin ata të neutralizuarit brenda sistemit, apo edhe qytetarët e rëndomtë jashtë tij, nuk nisin të shkundin kullat e krimit siç ndodhi me denoncimin për EULEX-in, do të mbesim duke dorëzuar copa të shtetit në përpjekjet e të huajve për të na “mësuar rend”. “Koha Ditore” është e hapur dhe në pritje të rrëfimit tuaj.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...