26 Tetor 2015 - 20:00 - Brikenda Rexhepi
Rreziku më i madh i një seance si kjo e së premtes janë sensacionet. Ato që intensifikojnë irritimin mes partive e mes përkrahësve dhe që zhvendosin vëmendjen nga thelbi i problemit.
Tash më shumë se me zgjidhjen, opinioni preokupohet me dy fjalët origjinale të kryeparlamentarit, me shishet fluturuese të ujit, me muhabetet ironike të deputetëve, me kordonin e burrave të fortë, dhe me mënyrën se si hyri gazi lotsjellës në sallë.
Kjo, ngase miqtë që e kanë këshilluar kryeparlamentarin e njohin fare mirë mentalitetin e shoqërisë. Kur i kanë thënë që medoemos ta mbajë seancën, e kanë ditur se e premtja mbrëma do të shndërrohej në një film përplot atraksione; si mënyra më e mirë për ta paraqitur krizën superficiale. Tash, duke i qitur edhe nga pak benzinë prej anash, përpjekjet janë që zhvendosja nga thelbi të vazhdojë, derisa Kosova t’ia lidhë vetes këmbët aq sa t’i humbë edhe këto pak mundësi, sado teorike, për ta trajtuar çështjen e marrëveshjeve.
Për të mos u marrë me fjalët e kryeparlamentarit apo gazin lotsjellës, që edhe po të shumëzoheshin me 1 miliard nuk mund të bëhen as afër të dëmshme për Kosovën sa është Asociacioni, ia vlen të diskutohen disa ide, në teori, që po përmenden në opinion për rrugëdalje nga kriza e vërtetë.
Një nga to është ajo e zgjedhjeve të parakohshme. Ndonëse përmendet me të madhe, duket krejt joreale që ato të prodhojnë mundësi të zgjidhjes së problemeve që dalin nga marrëveshjet me Serbinë. Madje, efekti mund të jetë krejt i kundërt. Në një situatë tashmë të tensionuar politike, zgjedhjet përbëjnë rrezik të acarimit të mëtejmë të rivaliteteve e armiqësive. Do të largohej si mundësi zgjidhja e problemit thelbësor dhe rrjedhimisht edhe zhbllokimi institucional. Meqë partitë dhe njerëzit që kandidojnë janë të njëjtët, nuk është as se do të kishte gjasa për kthim të legjitimitetit të institucioneve që është devalvuar nga po këta.
Po ashtu, me zgjedhje nuk mund as të matet përcaktimi i popullit pro apo kundër Asociacionit, sepse në Kosovë ende mbizotëron fenomeni i përkrahjes fanatike të partive e të individëve.
Në një rast, p.sh., kur një votues është kundër Asociacionit, por është militant i PDK-së, LDK-së apo Listës Serbe, ai më parë do t’ia jepte votën partisë që e do, se që do ta kundërshtonte Asociacionin duke ia dhënë ndonjë partie që po ashtu është kundër. Një gjë të ngjashme tashmë e kanë bërë edhe shumica e deputetëve në Kuvend. Ndonëse publikisht nuk pranojnë të thonë se e përkrahin Asociacionin, pra ata nuk e përkrahin, megjithatë kanë qenë pro kur është votuar Ligji nga i cili derivoi ai.
Një ide tjetër është referendumi. Në krahasim me zgjedhjet, do të ishte tregues i asaj se çka mendon populli. Në një situatë hipotetike, kur me procedurë të shpejtuar do të përpilohej e miratohej Ligji për referendum, përfaqësuesit e vërtetë “pro-Asociacion” të partive do ta kishin të vështirë të dilnin publikisht e t’i bindnin qytetarët që ta përkrahin atë. Deri tani ai është kontrabanduar, gjë që tregon se ata janë të vetëdijshëm për pasojat, por kanë prioritete të tjera.
Referendumi do t’u nxirrte punë edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë. Krejt puna me dhe rreth nënshkruesve kosovarë të marrëveshjeve do t’u shkonte huq, e argumentimi para popullit për të mirat e Asociacionit do të ishte mision i pamundur. Fjala e popullit, po, që i bie vulë, por nuk është rastësi mosekzistimi i Ligjit për referendum në Kosovën që ka ditur të miratojë me dhjetëra ligje brenda një dite.
Dje doli një ide, ose më mirë thënë vërejtje, nga miku i shqiptarëve të Kosovës, Pandeli Majko. Tha se Kosova është në dorë të Gjykatës Kushtetuese dhe se “përtej saj ekziston vetëm Zoti”. Idetë dhe vërejtjet janë të mira, por problemi këtu është që Gjykata vetë nuk e ka mbajtur Kosovën në dorë. Madje e ka hedhur kur ajo ka pasur më së shumti nevojë. Duke i trajtuar marrëveshjet me Serbinë si një marrëveshje ndërkombëtare (të cilën meqë jemi te këto lloj marrëveshjesh, Serbia fare nuk e ka ratifikuar, e Kosova po) Kushtetuesja është vetëdistancuar
nga trajtimi i shkeljeve të Kushtetutës në këtë rast. Kjo pavarësisht që ideja e heqjes dorë nga një pjesë e sovranitetit nëpërmjet një marrëveshjeje ndërkombëtare, p.sh. me BE-në kur integrohesh në të, dallon nga ajo e heqjes dorë nëpërmjet marrëveshjes “ndërkombëtare” me Serbinë në proces të “normalizimit” të marrëdhënieve me të.
Në këtë kontekst dhe sipas vërejtjes, kosovarëve tash u kanë mbetur veç kishat e xhamitë për të kërkuar mbrojtje të Kushtetutës e sovranitetit. Por, është një thënie edhe më e moçme: “i gjalli ia gjen çarenë vetes”. Andaj shqiptarët e Kosovës, përderisa janë të gjallë, mund të kenë edhe më mundësi pas Kushtetueses.
Ideja tjetër që është përmendur është dërgimi i marrëveshjeve në Komisionin e Venecias. Si kërkesë që është rrahur mjaft edhe nga opozita, në shikim të parë gjasat për t’u pranuar mund të krahasohen me ato të tërheqjes së nënshkrimit. Komisioni i Venecias shkon përtej referendumit. Derisa ky i fundit do të shpërfaqte kundërshtimin e qytetarëve të Kosovës ndaj defunksionalizimit të saj, Komisioni do të shpërfaqte vlerësimet e juristëve ndërkombëtarë për shkeljet e direktivave evropiane kundër diskriminimit. Dy fakte këto jo të vështira për t’i ditur edhe pa referendum e pa Komision, po të kishin dashur t’i merrnin parasysh nënshkruesit dhe ndërmjetësuesit e marrëveshjeve.
Tani, meqë Kosova ka hyrë në krizë (e cila sipas pushtetit nuk ekziston, e ndërkombëtarët tek kanë nisur ta shohin), zgjidhja çfarëdo qoftë ajo është e domosdoshme. Ajo nis me pranimin e pushtetit se ka krizë. Këtë do ta kuptojë, siç raporton sot “Koha Ditore”, këtë javë kur përfaqësues të QUINT-it do të nisin takime me udhëheqës të Qeverisë, për ta parë se si mund t’ia bëjnë.
Hapi i dytë veç kalon sërish në teori dhe mbase ëndërrim me sy çelur. Megjithatë, ai është ftohja e gjakrave dhe modifikimi i shprehjes së kushtëzimeve nga palët. Kjo për t’ia lejuar vetes që të kalojnë në hapin e tretë: krijimin e një organizmi të përbashkët nga njerëz të paelektrizuar të partive politike (pra jo liderët e as fytyrat përfaqësuese, po teknokratët e partive); nga ekspertë vendorë të papolitizuar të shkencave juridike; nga ekspertë të huaj të këtyre shkencave të pavarur nga ambasadat e nga Brukseli. Një grup që nuk do të mendonte politikisht po juridikisht se çfarë mund të bëhet që Kosova të nxirret nga lloçi ku është futur. Dhe sa mund të nxirret nga aty.
Idetë mund të jenë të shumta. Zgjidhje për të gjallin ka. Por sa të vazhdohet me sensacione, aq do të vazhdojnë edhe idetë të mbesin në teori.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...