Ilustrimi i realitetit në shtetin bosh

7 Shtator 2014 - 09:11 - Brikenda Rexhepi      

Fryma e anarkisë po ndihet në Kosovë. Qeveria merr vendime si t’ia dojë qejfi, mungesa e rishikimit të buxhetit ka nisur të japë efektet e veta, një pjesë e agjencive të pavarura janë bllokuar e ata që pretendojnë se janë të zotët edhe i marrin punët në dorë të vetën... Kushtetuesja tallet e partitë politike shtyjnë inat

Kur një djalë nga Kaçaniku ia preu kokën një njeriu, u tmerruan e u habitën kosovarët. Nuk ishin të paktë ata që iu hapën sytë. Ilustrimi e qartësoi realitetin.

Kështu shkon thuajse gjithçka në Kosovë. Realiteti shihet veç kur ndodh diçka morbide a absurde. Nuk ka kapacitet e vullnet që me problemin të merret kush para se ai ta mbërrijë kulminacionin. Për më keq, kapaciteti e vullneti ekzistojnë që të çohen situatat deri në atë pikë sa gjërat të bëhen më të komplikuara për t’i zgjidhur.

Bllokada institucionale është shpënë pikërisht aty. Por njerëzit ende nuk po e kuptojnë plotësisht tmerrin e “kasapëve” që shtetin e kanë lënë bosh. Kjo, mbase, që ilustrimi nuk është aq morbid sa prerja e një koke, por padyshim është absurd në shumë raste.

Shteti i Kosovës sot ka arritur në pikën ku zyrtarët e tij me vetëdije i shkelin ligjet e Kushtetutën dhe dalin me arsyetime po ashtu zyrtare se shkelja është më pak e dëmshme sesa vendimet e tyre. Për ilustrimin e kësaj “meritat” i shkojnë Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, e cila javën që shkoi mori në dorë kompetencat e Kuvendit “të ngrirë” dhe vetë u përcaktua se kush do ta drejtojë atë pas skadimit të mandatit të drejtorit ndërkombëtar. Por lehtësia e shpërfilljes së institucioneve, ligjeve dhe Kushtetutës ngjitet edhe më lart. Edhe Presidentja e Kryetari Gjykatës Kushtetuese i kanë ilustrimet e veta.

Javën që shkoi, Presidentja me një dekret ua zgjati mandatin tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Kushtetueses, ndonëse Kushtetuta e rregullon ndryshe këtë punë. E “meritat” për këtë ilustrim Presidentja i ndan me Kryetarin e Kushtetueses. Ajo e ka bërë dekretimin në bazë të një letërkëmbimi me përfaqësuesen e lartë të BE-së e që muaj më parë është miratuar në Kuvend.

Njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Arsim Bajrami, pati thënë në seancë asokohe se nuk ishte vetëm kontrabandimi i tre gjyqtarëve të huaj antikushtetues. E tillë ka qenë, sipas tij, edhe kërkesa për këtë e kryetarit të Kushtetueses që paraprakisht ia kishte bërë përfaqësueses së BE-së, duke e anashkaluar fare Kuvendin e Kosovës. Në një situatë të këtillë, kur Kryetari i Gjykatës Kushtetuese e shpërfill përfaqësuesin e sovranit , absurditeti i ilustrimit të ZAP-it zbehet.

Se si vërtet e sheh Kushtetuesja Kuvendin, e ilustron trajtimi i lëndës për seancën konstituive. Njëherë e ngriu atë, tani e nxori aktgjykimin që e komplikoi punën edhe më shumë, duke ua zvarritur qytetarëve të drejtën për të qenë të përfaqësuar në institucionin më të lartë të pushtetit. Është debatuar nëse kanë përbërë lëndë për Kushtetuese të katër pikat e ngritura nga PDK-ja, nëse vendimi për Mustafën ka qenë i drejtë, e nëse ka pasur ndikim e favorizime politike në krejt këtë punë. E qartë mbetet një gjë: që vullneti i Kushtetueses nuk ka qenë të hapë rrugë, por të vërë kushte.

Duke e definuar grupin më të madh parlamentar dhe duke nxjerrë dispozitën që askush përveç grupit të definuar sipas Kushtetueses nuk mund ta propozojë kryeparlamentarin, kjo Gjykatë e ka caktuar vetë kujt i takon ky post. Se si do të zgjidhet kjo punë, dhe nëse do të zgjidhet disi, do ta shohim javën që vjen. Do të kemi PDK-në që mbështetet në definicionet e Kushtetueses dhe Bllokun që kapet për pikën që Gjykata u bën thirrje deputetëve ta gjejnë rrugëdaljen, por megjithatë duke u bazuar në Rregullore e Kushtetutë.

Edhe ky ilustrim i boshllëkut institucional megjithatë nuk është vetëm meritë e Kushtetueses. Sikur akti më i lartë juridik, ashtu edhe ligjet shumë prej të cilave janë miratuar në toptan, përbëjnë një potencial të paqartësive në të ardhmen. Pasojat e qasjes së papërgjegjshme të të gjitha strukturave të shtetit ndaj proceseve të hartimit të legjislacionit tashmë po ndihen.

Ilustrimet po i shohim thuaja çdo ditë, dhe “meritat” po shpërndahen te të gjithë që kanë gisht në formësimin e një shteti të këtillë.

Boshllëku ndihet çdo kund. Sot përkufizimi i termave dhe interpretimi i dispozitave të Kushtetutës do të kishte qenë shumë më i lehtë sikur dokumentacioni i punëve përgatitore të Kushtetutës të ishte ruajtur e arkivuar. Gjyqtari Robert Carolan, amerikani i Kushtetueses që pati mendim të kundërt me aktgjykimin, në pikën ku definohet termi “grupi më i madh parlamentar” ka elaboruar logjikën pse Kushtetuta e përdor këtë term ndryshe nga Korniza Kushtetuese, e cila kishte përcaktuar se Kryetari i Kuvendit do të jetë deputet i një partie apo koalicioni që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje.

“Kur hartuesit e Kushtetutës hartuan nenin 67, ata, në veçanti, refuzuan atë dispozitë të Kornizës Kushtetuese, duke kërkuar që kandidati për Kryetar të Kuvendit të propozohet nga partia më e madhe parlamentare, e jo nga partia apo nga koalicioni që ka marrë më se shumti vota popullore në zgjedhjet e fundit”, ka shkruar ai.

Por se çka është menduar e diskutuar vërtet gjatë hartimit të Kushtetutës, mbase është e shkruar diku, por nuk mund të shihet ku. Në vendet ku ngritja e Kushtetutës është trajtuar si proces i rëndësishëm aq sa edhe ky akt, dokumentacioni përgatitor është shndërruar në literaturë. Në Kosovë as që u kujtohet se ku kanë mundur t’i linin letrat. E kështu, pra çfarë mund të thuhet për seriozitetin e hartimit të ligjeve apo akteve të tyre nënligjore.

Nuk është e tepërt të thuhet se fryma e anarkisë po ndihet në Kosovë. Qeveria merr vendime si t’ia dojë qejfi, mungesa e rishikimit të buxhetit ka nisur të japë efektet e veta, një pjesë e agjencive të pavarura janë bllokuar e ata që pretendojnë se janë të zotët edhe i marrin punët në dorë të vetën... Kushtetuesja tallet e partitë politike shtyjnë inat.

Fatkeqësisht, këto nuk janë ilustrimet e vetme që e qartësojnë realitetin në Kosovë dhe “meritat” i ndajnë të gjithë prej kreut të shtetit e deri te zyrtari atje në një agjenci.

[email protected]

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...