Në pritje të opozitës

15 Qershor 2014 - 11:12 - Brikenda Rexhepi      

Kur PDK-ja ka qenë në opozitë, gazetarët e kanë pasur punën më të lehtë. Rrjeti i kësaj partie që siguronte informacione dhe fakte për keqpërdorimet e Qeverisë LDK-AAK ishte shumë efektiv.

Do të bëhej e mërzitshme nëse do të dilte vetë me konferenca a deklarata shtypi, andaj dokumentet e argumentet e pakontestueshme rridhnin në media dhe ashtu kryhej punë. Kur PDK-ja e mori pushtetin, një formë e tillë e bërjes opozitë nuk ndodhi më. Partitë opozitare konferencat e shtypit i mbanin kryesisht pasi që i lexonin gazetat, ose në ndonjë rast kur ia dilnin të siguronin ndonjë informatë (p.sh. kontrata e autostradës) – bënin pazar me të.

Nëse tani PDK-ja nuk do t’ia dalë që me metodat për mbajtjen e kontrollit mbi të gjitha institucionet e proceset ta bllokojë edhe iniciativën e partive të tjera për ta marrë pushtetin përmes shumicës në Kuvend, do ta shohim sërish në opozitë.

Kjo gjë do t’i prodhonte dy të mira për Kosovën. Njëra është se sërish do të hapej ventili i informatave për dallaveret brenda institucioneve; dhe tjetra është se PDK-ja nuk do të ishte vetë në Qeveri për t’i fshehur ato. Se do të ketë dallavere në qeveritë e Kosovës, nuk ka fije dyshimi.
Sikur LDK-AAK-NISMA, ashtu edhe PDK-ja, cilado që ta marrë pushtetin, kanë historik të bujshëm të tyre. Dhe se PDK-ja e ka ende rrjetin e shtrirë, po ashtu nuk ka fije dyshimi, madje vetëm nëse është konsoliduar më mirë.

Sikurse qeverisja, ashtu edhe kultura opozitare lë shumë për të dëshiruar. Kosova pak ka ditur për opozitë, deri me hyrjen e “Vetëvendosjes” në Kuvend. Episodi PDK-ORA ka qenë i shkurtër, derisa partitë tjera mbahen mend për hipokrizi parlamentare: një gjë e thonë e të kundërtën e votojnë. Kjo posaçërisht kur PDK-ja vuri kontrollin mbi Kuvend nga Qeveria. Edhe pse përpjekjet e “Vetëvendosjes” për të bllokuar proceset mbetën vetëm përpjekje, shenja së paku kanë lënë.

Shpesh të argumentuara kanë qenë, por kanë ditur edhe të eskalojnë në situata qoftë qesharake (skena: Albana Fetoshi duke soditur nga karrigia e Jakup Krasniqit), apo irrituese (skena: bllokimi fizik i ndërtesës së Kuvendit). Megjithatë nga kjo perspektivë më e rëndësishmja është se dhënia shpirt sallës së Kuvendit ka nxjerrë në pah kotësinë e partive tjera opozitare. E kjo kotësi disavjeçare sqaron edhe mentalitetin e votuesit kosovar. Ai nuk ka arritur të kuptojë rëndësinë e opozitës, sepse nuk ka pasur rastin ta shohë a përjetojë fuqinë e saj. Bile janë ndëshkuar ato parti, gjë që ka ndodhur edhe në këto zgjedhje. Ndëshkimi u ka ardhur në formë mosdaljeje në votime. Derisa PDK-ja i ka marrë votat konstante të elektoratit të saj, partitë opozitare nuk kanë arritur të bëjnë ndryshim.

Megjithatë, arritja e marrëveshjes mes tyre ditën e parë pas zgjedhjeve i dha një frymë tjetër këtij blloku dhe shpërfaqi edhe më shumë kufizimet e mangësitë e deritashme të jetës demokratike e parlamentare. Nuk është se kjo marrëveshje vjen si rezultat i ndonjë pjekjeje politike të partive nënshkruese, më shumë është një hap i zorit dhe dëshpërimit. Por çfarëdo që është, përderisa sjell diçka të re është e mirëseardhur dhe sido që të përfundojë, përderisa bën një ndryshim, është prapë e mirëseardhur.

Megjithatë, në shtetin që Freedom House këtë javë e cilësoi “gjysmautoritar” mbetet ende e pasigurt nëse do të pyetet shumica parlamentare dhe nëse ky bllok opozitar i bërë bashkë do ta ketë rastin ta krijojë Qeverinë. Më shumë se për rezultate të zgjedhjeve, java që lamë pas do të mbahet në mend për leximin masiv të Kushtetutës, konkretisht neneve 84 e 95 (Kompetencat e Presidentit dhe Zgjedhja e Qeverisë); për leximin e paragrafëve të Komentarit të Enver Hasanit rreth këtyre dy neneve; leximin e dëgjimin e interpretimeve të juristëve e politikanëve dhe madje edhe për analizimin e këtyre dispozitave nga vetë qytetarët e thjeshtë në bazë të logjikës së shëndoshë.

Ajo që del në fund është se PDK-ja nuk mund ta pranojë mposhtjen nga shumica parlamentare. Është inercia e kontrollit të Kuvendit karshi një realiteti tjetër. Tani PDK-ja ia tërheq vërejtjen Presidentes që t’i hapë sytë para se ta propozojë kandidatin për kryeministër, derisa Kushtetutën e interpreton siç i konvenon – nëse PDK-ja nuk do ta krijojë Qeverinë, askush tjetër nuk do ta bëjë këtë. Partitë e bllokut opozitar e lexojnë Kushtetutën ndryshe. Presidentja ka thënë se do të veprojë ashtu siç e parasheh Kushtetuta. E se sa do t’i hapë sytë ajo para se ta propozojë mandatarin, pritet të shihet pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.

Ndoshta nuk bëhet e tepërt edhe njëherë të shkruhet paragrafi i parë i nenit të famshëm 95 - “Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.

Nëse ky paragraf interpretohet strikt fjalë për fjalë, atëherë mandatimi i Thaçit katër vjet më parë ka qenë antikushtetues. PDK-ja nuk e ka pasur shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë. Rrjedhimisht do të ishte antikushtetues mandatimi tani, ngase as tash ai nuk e ka atë shumicë.

Nëse ky paragraf (dhe i katërti që parasheh të njëjtën procedurë nëse mandatari nuk ia arrin ta krijojë Qeverinë herën e parë) interpretohet nga pozicioni i PDK-së, atëherë Kosova do të duhej të shkonte në zgjedhje sërish, ngase askush nuk do të bëjë Qeveri me këtë parti.

Nëse ky paragraf interpretohet nga logjika e thjeshtë dhe nga praktikat demokratike parlamentare, forca politike që ka shumicën në Kuvend për formimin e Qeverisë e merr mandatin për ta bërë këtë.

Në një situatë, ku të gjithë vrapojnë pas pushtetit, është me rëndësi të theksohet se sa e rëndësishme për Kosovën është një opozitë e fortë në Kuvend. Meqë, përveç votuesve që kanë qenë përfitues të drejtpërdrejtë të votimit të një partie të caktuar politike, të gjithë të tjerët pothuaj kanë pasur një qëndrim “po e votoj atë që është më së paku e keqe” ose nuk kanë dalë fare për të votuar, vendit i duhet një opozitë që Qeverisë do t’ia bënte jetën të vështirë. Kjo, rrjedhimisht, qytetarëve do t’ua bënte jetën më të lehtë.

Kur i mat forcat politike dhe e sheh që mentalitetin e keqpërdorimeve e kanë dëshmuar të gjitha që kanë qenë në pushtet, atëherë e zgjedh opozitën.

[email protected]

© KOHA.net 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...