Sakrifica e kurbetçinjve

12 Korrik 2015 - 08:21 - Elmaz Isufi      

Diaspora asnjëherë nuk është perceptuar si kolektivitet, si fuqi ekonomike e politike me efekt të gjerë ndikimi. Për shumë kë largimi i tyre ishte fatkeqësi kombëtare, së cilës i kontribuuan varfëria e papunësia, por më shumë dhuna dhe presioni i regjimit serb

Debati i mirëfilltë për mërgatën shqiptare të Kosovës ka qenë krejt sipërfaqësor. Dhe, po të mos ishte bërë vitin e kaluar një raport serioz i UNDP-së për diasporën dhe remitencat, mund të kishim thënë se ai debat as që ka ekzistuar fare.

Në vitet e para të ikjes së shqiptarëve në Perëndim është shfaqur vetëm një dozë dhembshurie për “të pafatët” që lanë familjet për bukën e gojës, ashtu siç kishte ndodhur në vitet e para të pas Luftës së Dytë me “hamallët” shqiptarë që kishin pushtuar rrugët e Beogradit dhe të qendrave të tjera të ish-Jugosllavisë.

Kurbetçinjtë deri në fund të viteve ‘80 vinin kryesisht nga zonat rurale. Të gjithë kishin statusin e të papunit, madje të përhershëm dhe të pashpresë. Ata ishin bindur thellë se po qe se nuk kapesh për punën e shtetit, të ka marrë lumi. E në ndërdijen e tyre kjo ishte punë që s’bëhej. Në një shtet me ekonomi të centralizuar s’mund të prisje asgjë nga iniciativa private, ndërsa sektorët e tjerë ishin pa perspektivë, përfshirë bujqësinë primitive.

Me thellimin e krizës politike dhe ekonomike në ish-Jugosllavi, rrjedhimisht edhe në Kosovë, ndryshoi fotografia për kurbetçinjtë dhe kurbetin. U përmbys afirmiteti i të qenit i punësuar në fabrikë, në shkollë, në gjykatë, polici e administratë shtetërore. Në vend të saj, më shumë peshë në shoqëri morën të punësuarit në Zvicër e Gjermani. Bumi ekonomik në Evropë, që erdhi si pasojë e zhvillimit të teknologjisë, u manifestua në vlerën e pagave që merrnin mërgimtarët dhe fuqinë që kishin valutat e huaja kundrejt dinarit jugosllav, që në vitet ‘90 mund të përdorej edhe për letër tualeti.

Rruga e tyre filloi të bëhej “ëndërr” për shumë të rinj, për shumë njerëz që u përzunë nga puna dhe u nxorën në rrugë, por edhe për një pjesë të kamur që e ndien aromën e barutit dhe ikën, ashtu si minjtë që të parët nuhasin tërmetin.

Shifra e shqiptarëve që mësyn Perëndimin në vitet ‘90 ishte alarmante. Ajo arrinte në afro 500 mijë veta. Nuk bëhej fjalë më për një anëtar të familjes që kurbetin e konsideronte sakrificë për të tjerët që qëndronin në shtëpi, por për familje të tëra që në pako largoheshin nga vendi.

Asnjë analizë e kohës, nëse veç ka pasur, nuk ka mundur të nxjerrë përfundime të sakta se çfarë efekti mund të prodhojë ky largim masiv i qytetarëve të Kosovës, përveç konkluzionit të përgjithshëm negativ – se vendi po boshatiset, ndërsa të larguarit brenda pak kohësh do të asimilohen.

Diaspora asnjëherë nuk është perceptuar si kolektivitet, si fuqi ekonomike e politike me efekt të gjerë ndikimi. Për shumë kë largimi i tyre ishte fatkeqësi kombëtare, së cilës i kontribuuan varfëria e papunësia, por më shumë dhuna dhe presioni i regjimit serb. Ikja komentohej edhe si një plan i organizuar i Beogradit zyrtar për ndryshimin e raportit demografik të popullsisë në Kosovë, i ngjashëm me aksionin e organizuar shtetëror të viteve ‘50 e ‘60, kur shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe të Luginës ishin shtrënguar në masë të migronin në drejtim të Turqisë.

Por, ky plan i projektuar për të keq nga Beogradi dhe i gjykuar gabimisht nga ne pati rrjedhë tjetër nëpër kohë. Diaspora doli me hair. Ajo me vete kishte pas marrë emocionin për vendin dhe ishte e vendosur që të ndihmonte në ndëshkimin e atyre që ishin bërë sebep që t’u mohohej liria, e drejta për punë e shkollim, e deri te detyrimi për largim. Mobilizimi i tyre në mbështetje të lëvizjes për pavarësi ishte mahnitës dhe model për komunitetet e rrezikuara që iknin nga vendet e origjinës. Kontributi financiar shkonte përtej mundësive të tyre, duke marrë parasysh se një pjesë e madhe nuk kishin punë të sigurt, e edhe më pak status të rregulluar qëndrimi.

Ata ndanë për shumë vjet kafshatën e gojës për të mbajtur gjallë, jo vetëm familjet e tyre, por edhe Qeverinë në ekzil, institucionet paralele që vepronin brenda Kosovës, dhe organizatat humanitare brenda dhe jashtë vendit.

Me qindra e mijëra individë dhe delegacione që përfaqësonin politikën e atëhershme të Kosovës nuk kanë reshtur t’ua zinin derën mërgimtarëve, t’u kërkonin të holla, t’ua hanin drekat e darkat... Mërgimtarët i mbanin me para, e këta i mbanin me shpresën se në Kosovë po punohet, se Kosova është me ta, se nuk i harron dhe se e çmon kontributin e tyre.

“Sharrën” atyre, ato vite ia lëshuan edhe të tjera struktura përfituese të krizës dhe manipulues të emocioneve të tyre për atdheun - këngëtarë, artistë, analistë, gazetarë, klerikë e të sojeve të tjera.

Dhe barra atyre iu shtua kur u bë më keq për vendin, në vitet 1998-99, përkatësisht me nevojën e financimit të luftës. S’e kishin problem të bëheshin kurban, meqë e dinin se ishin shpresa e vetme, por problemi ishte se ata për një moment u gjendën në mes dy zjarreve. Në njërën anë, të vazhdonin të mbështesnin lëvizjen që ua kishte ushqyer ëndrrën për çlirim për gati 10 vjet, apo të mbështesnin formacionet e luftës që kishin rrokur armët dhe nuk besonin më në politikën e durimit. U rreshtuan me shumicë nga lufta, por nuk ndalën së financuari edhe të parët, saqë pak pas luftës, drejtuesit e asaj që quhej Qeveria në ekzil deklaruan publikisht se u kanë tepruar dhjetëra e ndoshta qindra miliona marka gjermane, franga zvicerane, dollarë e valuta të tjera. Ato para nuk iu kthyen atyre që i kishin fituar me djersë dhe i kishin dhuruar për interes të vendit. Drejtuesit e Qeverisë që s’kishte më legjitimitet i mbajtën për vete.

Askush nuk di saktë se çfarë ndodhi me to, përveç atyre që u sollën me shumë kapadaillëk si pronarë të tyre. E raportet për paratë e grumbulluara nga diaspora nuk u bënë publike kurrë as nga drejtuesit e fondit “Vendlindja thërret”. Krejt çfarë dihet nga këto fonde, është se ata që patën qasje në to u bënë shumë shpejt milionerë, për t’i lakmuar edhe vetë mërgimtarët që dikur i kishin mbajtur si njerëz në nevojë.

Ka ekzistuar një frikë e radhës, se pas këtij abuzimi me fonde mërgimtarët do t’ia kthenin shpinën Kosovës, do të ndiheshin të lodhur e të harxhuar. Se është koha që t’i kthehen vetes dhe perspektivës së familjes së tyre. Për më tepër që Kosova tashmë ishte e lirë dhe se për ata që duan dhe dinë ishin hapur mjaft fronte pune. Por, edhe ky parashikim nuk doli i saktë. Përkundrazi, sa shkonin vitet, rritej entuziazmi i tyre për të investuar në Kosovë, për të sjellë para e për t’i vizituar vendlindjen dhe të afërmit. Me ndihmën e tyre, Kosova shumë shpejt shleu gjurmët e luftës dhe të pasojave të saj.

Bilancet për kontributin e tyre nuk kanë marrë peshën e merituar për gjithë vitet e pasluftës, ndonëse në asnjë raport financiar nuk ka mundur të fshihej fakti se dërgesat nga jashtë janë faktor i rëndësishëm. Por, tash ka dalë sheshit se fuqia ekonomike dhe financiare e diasporës është jetike për Kosovën, e jo politikat e mençura qeveritare. Nuk bëhet fjalë më vetëm si për njërin nga faktorët e zhvillimit ekonomik, por për faktorin kryesor. Institucionet tona financiare kanë raportuar për afro 700 milionë euro dërgesa në vit, ndërsa të tjerë indikatorë të shpërfillur me qëllim nga raportuesit qeveritarë flasin se ky potencial arrin në një miliard e gjysmë euro në vit. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, kur, ta zëmë, Maqedonia sipas raporteve zyrtare përfiton 700 milionë euro në vit nga diaspora e saj (kryesisht shqiptare) dhe që është dyfish në numër më e vogël se e Kosovës.

© KOHA

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...